Na ishte njëherë

E dashura mike, 

Disa herë kam dashur të dalim bashkë me djemtë, do doja shumë ta shoh Albesin, atë fytyrë të buzëqeshur, me nur…siq e kemi biseduar më parë, fëmija reflekton prindërit, por më së shumti të ëmën…mandej, më bën përshtypje fakti se këto vite në ballë të listës ke vënë djalin duke hequr politikën.Më duket vetëm arsyetim i bukur se qenka me rëndësi “cilësia e kohës, e jo vetë koha që kalojmë me fëmijët”; nuk e besoj të ketë fëmijë që do ta pohonte. Karieristet me orare moderne të punës – pra pa orare, të cilat nga qejfi e jo zori vazhdojnë fill pas lindjes dinamikën e dikurshme të punës, ndërkohë që kalamejt rriten në duar të huaja apo në çerdhe të shtrenjta “bilinguale” gjithmonë më janë dukur josimpatike dhe mendoj se as profesionin e as privatitetin nuk i kanë sagllam. 

Roli dhe rrjedhimisht mungesa e nënës nuk barazohet me atë të babës, e thonë edhe librat e shenjtë, por e them edhe nga përvoja: ne u rritem me nënën dhe gjyshen, ai shpesh mungonte me seancat federative, udhetimet zyrtare. Në kohën kur nendrejtonte financat e vendit me ekip bashkëpunëtorësh të ngushtë u izoluan në Bistra të Mavrovës për të ujdisur buxhetin larg nga zhurma e Shkupit, obligimet e zyrës, etj; atehere sefte dëgjova për “buxhet” dhe e mora zët fjalën se baba mbeti në mal nja 2 javë, bile edhe në telefon tingëllonte i raskapitur…ndërsa kur s’bënte asnjë batutë ne e kuptonim se është i lodhur apo mërzitur nga puna dhe se duhet të ishim të urtë.

Politika atëherë na ishte një profesion serioz.

Po të përcjell tash remineshencat e fëmijërisë për një gjeneratë të vjetër politike në një kohë që duket moti e perënduar…

Ka disa gjëra që më kanë lënë pershtypje tek ai, e që janë kthyer mandej në Shenja ndanë rrugës (Znakove pored puta) si titulli i veprës së Ivo Andricit.

Sa herë që i parashtroja ndonjë pyetje, pavarësisht temës, kishte përgjigje të zgjeruar…më vonë kuptova se paska qenë disa vjet i shpërblyer si lexuesi më i dalluar i qytetit dhe aq shpejt i paska kthyer librat sa që referentja në bibliotekë e pyetka ndonjëherë “Tahir, a i lexon librat para se t’i kthesh”? Ai lexonte shumë edhe materiale për mbledhjet qeveritare apo ato parlamentare në Beograd pasi mendonte se si shqiptar duhet të jetë dyfish më i përgatitur se kolegët sllav dhe përgjithësisht në të njëjtat nivele me më të mirët prej tyre: ende ia përmendin diskutimet ata që kanë pasur mundësinë ta dëgjojnë në Kuvendin jugosllav se si diskuton me kompetencë në serbishte të përkryer. Në kohën e kryeministrit Dragoljub Stavrev, atij si një nga tre zëvendëskryeministrat iu besua menaxhimi i aferës më të madhe në shtet Feni: fabrika e pare e falimentuar ne shtet që “prodhoi” punëtorët e parë të mbetur rrugëve: nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj tyre filluan t’i zbardhen flokët dhe mjekrra. Nuk e dija, si femije qe isha, cila është kjo Feni dhe ndonjëherë e mendoja të jetë ndonjë dashnore tekanjoze që e syrgjynos njeriun dhe habitesha si e përmend ashtu serbez para nënës, a nuk i vjen keq!? Mandej, çfarë dashnore kjo që të zbardh brenda natës!? 

Pasi Tahiri gjithë karrierën e vet e kaloi në politikë (e nisi si nënkryetar i Tetovës, më i riu deri më atëherë, deputeti më i ri në Kuvendin federativ, 20 vjet deputet ne Beograd dhe poste tjera të larta qeveritare) mund të thuhet se sfidat për të rrëshqitur në haram i ka pasur të ditëpërditshme. Por mbeti imun. Mbeti në 0 denarë haram. Për rrallëcilin këtë mund ta them me aq siguri.  Ai refuzonte edhe gjërat qe i takonin si p.sh mëditjet gjatë vizitave zyrtare nëpër Maqedoni. Politikanët e lartë asokohe shpesh dilnin në terren për t’i parë nga afër punët, dhe kur shkonte dikund ne vizitë nënshkruante për mëditje për shoferin që e çonte (se haku i punëtorit…), por ama vetë nuk merrte Asgjë, nisur nga logjika se benzinen e ka të paguar, drekën atje ku shkon të siguruar, etj. Pra politikanët menaxhonin me paret e shtetit si me paret e veta private. Kur para dy vitesh një i dërguar i Fondit Ndërkombëtar Monetar e tha këtë premise: paret e shtetit duhet trajtuar si paret e xhepit tend, kjo demek top-informatë arriti në disa ballina gazetash! Kur u shperngulem ne Shkup i ofruan parcelë në Samoilova , afër ambasadës turke. Refuzoi. Paska shtëpi në Tetovë dhe këtu i mjaftoka banesa. I kane ofruar banesë në Ohër, ta ketë për pushime – ka thënë se tash si jeton ne Shkup. shtëpia në Tetovë (qe e ka ndërtuar pas shitjes së shtëpisë së babës së vet dhe pas marrjes së një prej atyre kredive të volitshme atëherë) e ka funkcionin e pushimores dhe një e tillë i mjafton. Së fundi refuzon shtëpizë pushimi në Mavrovë në një vend prej nga liqeni “duket si në pëllëmbë”.
Pse ne u shpërngulëm në Shkup? Nga shkaku se ai u lodh së udhëtuari pesë vjet Tetovë-Shkup. Kishte shofer personal, por parapëlqente të udhëtojë me bus në punë. Kështu, zgjohej herët edhe në pikë të dimrit, nëna ia bënte kafjallin, ai mandej ne kembe ecte nja 3 km deri te stacioni i busit dhe udhëtonte “si gjithë tjerët”. 

E sheh mikja ime, pse kam distancë ndaj politikës së sotme, pse shumica e politikanëve më duken si fëmijë të llastruar që kanë gjetur një top dhe s’e lëshojnë dore dhe pse i shikoj me dozë humori, sidomos etjen e tyre për materialen, gjithë ato gënjeshtra dhe konstrukcione edhe para të afërmve dhe lodhja që pason këtë se njeriu harron cilin version kujt ia ka thënë!? Mandej është e thënë se harami trashëgohet deri në brezin e shtatë dhe përherë më ka bërë përshtypje: vallë të korruptuarit janë aq të pafe sa kjo s’u bën përshtypje fare ose pasurimi i shpejte i verbëron deri në derexhe sa mos të mërziten se çfarë trashëgimie të rrezikshme u lënë më të dashurve të vet me breza të tërë? 

Na edukonte se duhet të jetojmë ashtu që gjumin ta bëjmë rahat, e thoshte si”arsyetim” para komenteve se për vete s’ka bërë gjë prej gjëje: “dua të flej i qetë”

Tjeter nasihat nga ai ka qene të mos hyjmë në politikë, ama të zgjedhim profesione që do i bëjmë sa më mirë që mundemi, sipas asaj “po të jesh këpucëtar, bëri këpucët më të mira në qytet”.

E degjuam Tahirin. Sa per ilustrim:i biri në moshën 20 e diçka vjeçare refuzoi ofertën e PPD-së për ministër për zhvillim. Kryetari A.Haliti ia kishte kthyer me të qeshur se është shqiptari i parë a ndoshta edhe i fundit te ne që refuzon ofertën.

Gjetëm tjera topa.

Dhe puna e punës është që punën t’a bësh nga qejfi dhe të kesh shtytje për t’a bërë edhe sikur mos të të pagonin.

E thoshte profesori i psikologjisë Ballazhi se formula e lumturisë është të gjesh profesionin dhe bashkëshortin…sigurisht  ka dashur të thotë “njeriun e zemrës”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mkTë drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button