ANALIZË: Еkonomia rritet, standardi i ngrirë!

Statistika ka regjistruar rritje të ekonomisë prej 3,8% në vitin 2014, me çka jo vetëm që u realizuan, por, sipas kësaj matjeje fillestare, edhe u tejkaluan projektimet për rritjen e PBB-së gjatë vitit të kaluar.Treguesit e këtillë inkurajojnë, mirëpo vetëm nëse rritja e PBB-së nënkupton edhe standard më të mirë për qytetarët, komentojnë ekonomistët. Edhe më tej qytetarët e Maqedonisë, në krahasim me një pjesë të rajonit dhe të Evropës, numërohen në grupin e më të varfërve, me vetëm 36% të mesatares evropiane.

Rritja nuk do të thotë edhe zhvillim…

Është e vërtetë se ekonomia e Maqedonisë vite me radhë, në vitin 2013 dhe 2014, shënoi përqindje pozitive të rritjes ekonomike, mirëpo këta tregues nuk kanë asnjë domethënie në qoftë se atë rritje nuk e ndjejnë edhe qytetarët nëpërmjet rritjes së standardit, konsideron profesori Naser Selimi.

”Nëse një ekonomi shënon rritje, kjo nuk do të thotë se ka edhe zhvillim të ekonomisë. Kjo gjendje me të cilën ballafaqohet pikërisht Maqedonia është rezultat i distribuimit të keq të profitit, gjegjësisht të PBB-së. Në fakt, nëse nga rritja ekonomike përfiton një masë e madhe e njerëzve, gjegjësisht ka diapazon më të gjerë të shpërndarjes, atëherë efektet do t’i ndjejnë të gjithë. Mirëpo, nëse me profitin disponojnë një numër më i vogël i qytetarëve, atëherë të pasurit bëhen më të pasur, ndërsa të varfërit më të varfër, siç është rasti me vendin tonë. Kështu, ne tani kemi tregues për rritje ekonomike që nuk sjell zhvillim ekonomik dhe kjo nuk pasqyrohet mbi standardin jetësor të qytetarëve”.

Edhe përkundër asaj se numrat tregojnë se Maqedonia është ndërmjet liderëve sipas rritjes ekonomike në Evropë, efektet nuk ndjehen, thotë edhe profesori dhe njëri nga ministrat e mëparshëm për financa, Nikolla Popovski.

“Dëgjojmë se ekonomia e Maqedonisë rritet mbi mesataren në krahasim me rajonin, për të cilin unë do të thoja se ka rritje prej 1%, poashtu kemi dy vende si Kroacia dhe Greqia të cilat me vite janë në recesion, kështu që vetë baza e krahasimit është e ulët. Përndryshe, në mënyrë të izoluar, përqindja e rritjes prej dy ose tre përqind sipas meje nuk ka ndikim serioz mbi standardin e përgjithshëm jetësor”, vlerësori profesori Popovski.

Sipas të dhënave nga Enti për statistikë, viti i kaluar 2014 përfundoi me rritje ekonomike prej 3,8%, edhe pse në tremujorin e fundit kishte përqindje më të ulët të rritjes së PBB-së në krahasim me tre tremujorët e parë. Banka Popullore në vlerësimin e saj të fundit të gjendjes ekonomike prognozon se rritja ekonomike do të vazhdojë.

“Ekonomia edhe më tutje do të këndellet me tempo solide, në një pjesë e përkrahur edhe nëpërmjet aktivitetit kreditor të bankave vendore. Këndellja ekonomike zhvillohet pa presione të çmimeve. Lëvizjet e këtilla tregojnë se ka ambient adekuat për këndellje të qëndrueshme të sektorit privat, me ç’rast përsëri u vlerësua se ekonomia e vendit është përkahur në masë të mjaftueshme nëpërmjet masave të ndërmarra për politikë monetare”, vlerëson BPRM-ja.

Analizuar sipas sektorëve, vitin e kaluar, rritje më e madhe është regjistruar te artet, zbavitja dhe rekreimi prej 11,7%, industria e përpunimit 10%, te veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike, se bashku me ato administrative ka rritje prej 7,2%, ndërsa te lokomotiva e deritanishme e rritjes ekonomike – ndërtimtaria është regjistruar rritje prej 6,1%. Xehetaria dhe nxjerrja e gurrit, veprimtaritë financiare dhe veprimtaritë e sigurimit, sikurse edhe sektorët e tjerë, janë me përqindje më të ulët të rritjes vjetore.

Si deri te standardi më i mirë…

Maqedonia është vend i njerëzve shumë të varfër nga njëra anë, dhe i njerëzve shumë të pasur nga ana tjetër, për shkak se dallimi ndërmjet atyre që kanë edhe atyre që nuk kanë është i madh, vlerëson profesori Selimi.

“Duke pasur parasysh se të gjithë qytetarët nuk janë pjesë e kësaj shpërndarjeje të profitit, qytetarët nuk mund ta ndjejnë rritjen ekonomike. Të dhënat tregojnë se vetëm 5 firma disponojnë me 17% të profitit, që dëshmon për këtë shpërndarje joproporcionale. Mendoj se duhet të ndryshohet modeli aktual i ndarjes së pasurisë, në një mënyrë më humane dhe më të drejtë”, thotë profesori Selimi dhe shton:

“Koncepti aktual, sipas meje nuk i jep rezultatet e pritura, punësimi rritet ngadalë ndërsa papunësia zvogëlohet ngadalë. Shteti zgjodhi të bazohet në modelin e tërheqjes së investitorëve të huaj, të cilët duhet ta rrisin numrin e punësimeve dhe të kenë hise më të rëndësishme në rritjen ekonomike, mirëpo, gjithsesi, edhe ky koncept, jo gjithmonë i jep rezultatet e pritura për vendin nikoqir”.

Në njërën nga strategjitë e saja, Banka Botërore vlerësoi se Maqedonisë do t’i duhen madje njëzet vjet dhe rritje prej së paku 4,5% që të mund ta arrijë mesataren evropiane.

“Që ta mbyllë dallimin në të ardhurat në krahasim me vendet e reja anëtare të BE-së, Republika e Maqedonisë duhet ta përshpejtojë rritjen. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2009, vendi shënoi rritje reale prej 3,9% në vit që është nën mesataren e EJL 6 (anëtaret e reja të BE-së) që i mundësoi vendit ta zvogëlojë dallimin e të ardhurave në krahasim me BE-në. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2009, të ardhurat për krye banori u rritën prej 25% të PBB-së për krye banori të BE-së në 36% në vitin 2009. Prej atëherë, rritja mesatare u zvogëlua në 2,1% në vit dhe afrimi kah BE-ja u ndërpre”, thuhet në Dokumentin e Bankës botërore që u publikua vitin e kaluar dhe shtohet:

“Rritja reale PBB-së duhet të përshpejtohet në rreth 4,5%, dukshëm mbi mesataren dhjetëvjeçare prej 3,2 përqind, që të mund Republika e Maqedonisë t’i afrohet standardit jetësor të vendeve – anëtare të reja të BE-së në 20 vitet e ardhshme”, konstatoi Banka Botërore.

Sipas pritjeve dhe prognozave për këtë vit, rritja ekonomike do të rrotullohet ndërmjet tre dhe katër përqind. Për shpenzimet kapitale, të cilat konsiderohen si komponentë zhvillimore e buxhetit, janë planifikuar 344 milionë euro, ose 2 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Praktikisht këto harxhime mbeten në pozicionin e njëjtë, edhe përkundër asaj se shpenzimet e përgjithshme janë rritur për 5%. Nga investimet e paralajmëruara kapitale, qeveria për këtë vit e paralajmëroi korridorin 10, për të cilin do të investohen gjithsej 3,4 miliardë denarë, për infrastrukturën hekurudhore 1,3 miliardë denarë, për rrjetet ujësjellëse dhe stacionet e filtrimit të ujërave janë paraparë 1,7 miliardë denarë.

Në shpenzimet kapitale janë vendosur edhe projektet për gasifikim, ndërtimet plotësuese të zonave ekonomike, objektet sportive etj. Në buxhetin e sivjemë do të ketë para edhe për disa nga objektet e filluara nga projekti “Shkupi 2014”. Kështu, janë paraparë 3 milionë euro për ndërtimin e filharmonisë, do të ketë para edhe për ndërtimin e bibliotekës dhe të teatrit në Tetovë dhe të teatrit shqiptar në Shkup, me vlerë të përgjithshme prej pothuajse 3 milionë eurosh. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button