Ëndrra ime!

Situata në vend po i bën thirrje çdo qytetari, që duke ndjerë përgjegjësi të kontribuojë në zgjidhjen e krizës aktuale. Kurse fakti se ndryshimet evolutive kërkojnë  kapacitet më të madh demokratik, na bën të ditur se neve na nevoitet revolucion. Por një revolucion, i cili përveç hovit që do të marrë kur të ndodhë, patjetër të ketë strategji të atillë që të  japë rezultate për afat të gjatë… Një parti e përbashkët popullore, anëtarët e së cilës të jenë përfaqësues të të gjitha etnive që jetojnë në Maqedoni do të ishte jo vetëm përpjekje për t’iu përgjigjur thirrjes së lartëpërmendur, por njëherit dëshmi se vetëdija ka arritur atë nivel, sa që më nuk ka vend për bindje të imponuara…kjo është ëndrra ime!

Duke e ditur rolin e partive në shtet, kjo parti e përbashkët nuk do t’i relativizonte ekstremizmat e kota vetëm si zbukurim i pluralizmit demokratik, por do të ishte sinonim i platformës së drejtë, anti-diskriminuese. Gjuha e saj nuk do të ishte patriotizëm, jo për shkak të kosmopolitizmit ekstrem, por sepse e çmon atë mjaftueshëm sa për të mos e keqpërdorur. Projektet e saja nuk do të planifikoheshin nga historianë, jo për tjetër por sepse anëtarët e partisë do të ishin tashmë të bindur se asnjë heroi, të cilit mund t’i ndërtohej statujë, nuk do të donte kthim në kohën e gurit.

Politika e saj jo ndëshkuese, por do të ishte parandaluese. Të paktën nuk do të miratonte akte që do të nxitnin protesta dhe për çështje kruciale (përfshirë dhe arsimin) do të konsultohej me ekspertë e palët e duhura. Veprat e saja më shumë se premtimeve shurdhuese, do t’u ngjanin fabrikave profitabile. Ndërsa shteti nuk do të ishte policor, por ekonomiko-social që nuk do të kishte prioritet të shpërndajë ndihma sociale sa për të mbajtur popullin gjallë, por do t’u siguronte atyre punë e t’ua rriste standartin jetësor.

…Sidoqoftë kjo nuk është aq utopike sa mund të duket. Nëse kemi guxim për të menduar lirshëm, do të na bëhet e qartë se asnjëherë nuk ka egzistuar armiqësi mes pjesëtarëve të etnive të ndryshme, të cilët ulen pranë njëri-tjetrit në automjete transporti, kafene a objektje tjera hoteliere; të cilët respektojnë një kushtetutë dhe ligje të njejta; e mbushin një buxhet dhe së bashku përfaqësojnë popullatën e shtetit të përbashkët. Në këtë territor njerëzit kanë bashkëjetuar të lumtur e sikur të pyeteshin ata, nuk do ta ndërronin atë vëllazërim me diçka tjetër. Ashtuqë çfarëdo urrejtje e armiqësi e mundshme është e sajuar, nga individë e për qëllime po aq të sajuara sa dhe teoria lokeane (se njeriu për njeriun na qenka ujk)! Bashkëjetesa në një shtet multietnik si Maqedonia jonë, nuk është pasuri por domosdoshmëri. E marëveshja kornizë nuk është përpiluar për të favorizuar vetëm pjesëtarët e një etnie, por për t’ua kthyer tërë qytetarëve dinjitetin që e meritojnë. Këtë mund ta realizojë vetëm partia e përbashkët, e cila nuk do të lejonte që fëmijët romë të lypin rrugëve, si të dënuar për krim të pabërë!

Lajme të ngjashme

Back to top button