17-vjecari: Ja si nisi aventura jonë me pedalinë në det të hapur

Një shëtitje në det të hapur për pak sa nuk u ka kushtuar jetën tre adoleshentëve nga qyteti i Durrësit. 17-vjeçari Vilson Marku dhe 16-vjeçarët Florin Gjoka dhe Mirel Nikolli, me origjinë nga Fani i Mirditës, pasditen e së dielës kanë marrë me qira një pedalinë plastike në zonën e Kallmit dhe kanë dalë në det të hapur. Rreth orës 17:00, Florin Gjoka i ka dërguar vëllait të tij një SMS në celular, ku thoshte se do të iknin me pedalinë në Itali.

Familjet e adoleshentëve, me banim në Spitallë të Durrësit, janë alarmuar, ndaj kanë denoncuar në polici zhdukjen e djemve të tyre. Për shkak të detit të egërsuar dhe dallgëve të mëdha, Marku dhe dy shokët e tij nuk kanë mundur që t-i afrohen bregut. Të terrorizuar, ata kanë marrë në celular policinë për të kërkuar ndihmë, por për shkak të mungesës së valëve nuk kanë mundur të lidhen. Pas denoncimit të bërë nga familjarët, policia nisi operacionin e kërkim-shpëtimit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë me dije se operacioni nisi rreth orës 20:00.

Në operacionin që zgjati deri në mesnatën e së dielës, dolën skafet e policisë kufitare dhe një anije e Guardia di Finanzës, por pa rezultat, sepse deti i trazuar dhe errësira, nuk e favorizonin kërkimin. Rreth orës 2:30, një prej të rinjve telefonoi sallën operative të policisë duke kërkuar ndihmë. Lokalizimi i tyre ishte tepër i vështirë, pasi të rinjtë nuk dhanë asnjë pikë referimi se ku gjendeshin. Në kushte të tilla, familjarët janë tensionuar edhe më shumë, duke vijuar kërkimet vetë. Vetëm pas 16 orësh (rreth orës 08:00 të ditës së djeshme), tre adoleshentët u gjetën nga familjarët e tyre në sektorin “Rinia”, në Gjirin e Lalzit. Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, 17-vjeçari Vilson Marku tregon orët e tmerrit në det.

Vilson, mund të na thoni se si nisi aventura juaj në det?
Ne u nisëm për një shëtitje me varkë në plazhin e Kallmit, rreth orës 16:00 të së dielës. Ishim tre shokë dhe kishim marrë me vete bukë, birra dhe ushqime. Morëm me qira një pedalinë për një orë. U larguam goxha nga bregu. Unë kisha harruar celularin në shtëpi, ndaj nuk munda të lajmëroja familjen time. Ne pa e kuptuar shkuam pak më larg sesa duhet, u përpoqëm të lidheshim me celular me familjet, por nuk kishte valë.

Ju u nisët për në Itali?
Jo, njëri prej shokëve të mi, Florin Gjoka i çoi një SMS vëllait të tij, duke i thënë se do iknim në Itali me pedalinë. Ai ishte në gjendje të pirë dhe bëri shaka me vëllain e tij. Thjesht dolëm për një xhiro në det dhe nuk donim që do të përfundonte kështu.

Çfarë ndodhi më pas?
Deti kishte shumë dallgë, ishte i trazuar. Ne kemi lundruar edhe më parë, por pasditen e së dielës, deti ishte me dallgë të mëdha dhe nuk i afroheshim dot bregut. Në orët e vona të mbrëmjes të së dielës morëm policinë në telefon, por nuk hynte linja. Më pas, njëri prej shokëve të mi foli në celular me familjen dhe kërkuam ndihmë, por nuk e dinim ku ishim. U shqetësuam shumë, pasi deti ishte shumë i trazuar.

A rrezikuat në det?
Rreziku gjithmonë është i madh, por nuk u shkëputëm asnjëherë, qëndruam të tre. Pedalina afër mëngjesit doli në sektorin “Rinia”. Aty na gjetën familjarët tanë.

Do ta bëni sërish një aventurë të tillë?
Jo, kurrë, sepse vetëm vdekja të pret. Ne përjetuam orë të tëra tmerri natën e shkuar.(BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button