Burbuqe Kaprolli: Jini garues, depërtoni në tregun e punës, dhe jetoni (Intervistë)

Studentëve ju duhet mbështetje profesionale kur duhet të orinetohen nga jeta pas universitetit dhe kah karriera profesionale. Qendra e Karrierës në UEJL bënë një punë të mirë duke i këshilluar, sugjeruar dhe duke ju propozuar vende pune studentëve të sapo diplomuar. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët! 

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Burbuqe ju udhëhiqni me qendrën e karrierës që nga viti 2009 dhe detyra juaj kryesore është të gjeni punë për studentët e sapo diplomuar nga UEJL. Si ndodh e gjithë kjo?

B.KAPROLLI: Do të ishte shumë mirë po që se unë marr të gjitha meritat e punësimit të të diplomuarve tanë por fatkeqësisht kjo nuk është vetëm punë e imja. Universiteti investon tek studenti që nga regjistrimi i tij, në forma të ndryshme: plan programet studimore, trajnimet e ndryshme për zhvillim të tyre, ato të organizuara për karrierë nga Qendra jonë, praktika që zhvillohet në institucione apo komani përsëri të ndihmuar nga ne dhe mësimdhënësit e tyre. Studenti në fazën e diplomimit dhe pas saj vjen i gatshëm tek ne. Ne, në këtë rast jemi ura lidhëse-ndërmjetësuesi me kompanitë dhe ata që i marim meritat përfundimtare.

Sa janë punësuar deri tani nga ndihma juaj?
B.KAPROLLI: Një herë në vit Qendra e karrierës përpilon Raportin e punësimit. Raport ky i cili analizon nivelin e punësimit së të diplomuarve tanë për çdo gjeneratë. Normalisht të dhënat nuk janë të njëjta, ndryshojnë nga viti në vit. Duke mos përfshirë përqindjen e atyre që nuk punojnë me dëshirën e tyre (magjistrojnë jashtë shtetit apo nënat me fëmijë të vegjël), përqindja e punësueshmërisë arrin mbi 50 e 60% të totalit të të diplomuarve.

Ju keni magjistruar në fakultetin e shkencave të komunikimit me temë Strategjia e mediave. Më thoni të lutem, a mund të edukohen, informohen dhe zhvillohen të rinjtë nga mediat në Maqedoni?

B.KAPROLLI: Përpos prindërve si bartës së edukatës, fëmija edukohet nga shoqëria rrethi, shkolla, mediat, internet e kështu me radhë. Interneti bën çudira çdo ditë tepër e më tepër. Në këtë rast edhe të rinjtë ndryshojnë, ndërsa ne mundohemi t’u përshtatemi këtyre trendeve pasi koha ikën shpejt dhe të shkelën. Sipas mendimit tim, niveli i lirisë së shprehjes në media tregon zhvillimin, emancipimin e atij shteti dhe populli në të. Sa më tepër media të pavarura që kemi aq më shtet të zhvilluar kemi dhe aq më tepër shtresë intelektuale të zhvilluar gjejmë. Në këtë rast do ta kisha përmendur shprehjen e të madhit Faik Konica: “Liria është e drejta e kujtdo, të mendojë atë që do, mjafton të mos i bëj dëm askujt” .

 

Sa vlerë ka magjistratura në Maqedoni. A kemi magjistra me kualitet? Se kuantitet e di krejt bota se kemi shumë..
B.KAPROLLI: Kualitativja dhe kuantitativja, janë kategori morale relative. Ç’është kualitative për ty, mbase nuk është për mua. Normalisht që bota akademike ka të përcaktuara rregulla dhe kriteriume për përmbushje të këtyre kërkesave. Mendoj që sërish me qasjen në internet kufijtë e aplikimit me punime shkencore gjithandej janë të lira. Tani programet kompjuterike shumë shpejtë identifikojnë në qoftë se punimi juaj është I vlefshëm apo jo. Unë vlerësoj zhvillimin etik të çdo personi në ndërtimin e karrierës së tij. Në qoftë se dikënd e gëzon një diplomë e pamerituar, unë skam ç’të them për atë. Vazhdo.

 

Ku duhet të fokusohen të rinjtë në përpilimin e CV?
B.KAPROLLI: CV është takimi i parë dhe ndoshta i vetmi që ju keni me përfaqësuesin e kompanisë apo institucionit. Është letra që ju krijoni lidhje të mëtejshme apo, nuk shiheni më kurë. Studenti duhet të japë maksimumin për këtë takim duke argumentuar aftësitë që ai I ka në lidhje me pozitën ku ai konkurron për punë. Shkrimi i CV është faza e fundit, ju duhet të investoni në të duke kryer punë praktike, duke bërë punë vullnetare, duke marë çertifikata dhe duke investuar në karrierën tuaj. 

Sa ndikojnë aktivitetet dhe edukimi jo formal në zhvillimin e të rinjëve?
B.KAPROLLI: Procesi edukativo arsimor duhet të bazohet në rregulla dhe cilësi. Njeriu duhet të mësojë të respektojë rregullat. Respektimi i kohës, orari i punës, zgjimi në mëngjes, të dëgjosh tjetrin deri sa flet, të respektosh rregullat e  përcaktuara më parë janë gjëra elementare që besoj duhet mësuar që në rini. Unë kam pas fat të kem një mësues të shkëlqyer në shkollë fillore dhe një gjysh të përkryer i cili më ka dhënë shumë shprehi pune. Kam pas një prind i cili para së gjithash më ka mësuar të shoh, mendoj dhe ec vetë në jetë.  Një nënë e cila kishte çdo herë kohë për të më dëgjuar dhe familje e cila çdo herë krijonte hapësirë debative.

A je dorëzuar ndonjëherë nga diçka?
B.KAPROLLI: Jo, zakonisht kam luftuar për gjërat që i dua në jetë. I njoh pikat e mija të forta dhe të dobëta. Çdo herë kam pas listë të prioriteteve dhe jam munduar t’i përmbushi ato. Kam kërkuar gjëra të realizueshme dhe gjëra që kam qenë e sigurt që mund t’ia dal. Asnjëherë nuk kam garuar për fusha që nuk jam e mirë.

Si i hapni perspektivat për jetën?
B.KAPROLLI:Duke u rrëzuar, duke u ngritur dhe duke u mësuar. Shpesh duke luftuar. Duke punuar dhe duke argumentuar me rezultate. Duke heshtur, duke thënë shumëçka dhe asgjë. Duke analizuar audiencën dhe duke vallëzuar sipas rregullave të mija dhe të tjerëve. Duke identifikuar pikat e përbashkëta dhe të kundërta. Duke menduar argumentet, kundërargumentet dhe replikat. Duke respektuar rregullat e komunikimit dhe duke i shkelur ato kohë pas kohe, në bazë të nevojës. Mbi të gjitha duke qen fleksibile në masë.

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?
B.KAPROLLI:Prindërit e mi kanë qenë të bindur që unë do të studioj arkitekturë. Gjatë shkollimit tim kam mësuar lëndë që do më duheshin për këtë fakultet, jam angazhuar me kurse shtesë. Ndërsa tërë verën dhe atëherë kur unë merresha me veten time lexoja libra që unë doja. E merja listën e  shkrimtarëve që do mësonim në shkollë para kohe dhe lexoja veprat e tyre me shumë ëndje. Mërreja me aktivitete të lira, udhëheqja shfaqe, luaja nëpër drama, organizoja ngjarje të ndryshme. Në ditën e hapur të Universitetit të Evropës Juglindore kur erdha për t’i shoqëruar shoqet e mija, e dija që unë do të studioj aty, dhe këtë nuk ia kam thënë askujt por, e dija edhe që do të zgjidhem studente gjenerate dhe që do të punoj aty. Prindërit nuk u pajtuan me këtë por, sot t’i pyesësh janë shumë të sigurt që kam bërë zgjedhjen e duhur. Tani që jam prind vetë e shoh që ata çdo herë duan më te mirën e fëmijëve të vet, mirëpo në çdo fëmijë të tyre shohin edhe një pjesë të vetes së tyre. Atë që ndoshta kanë dashur të bëjnë dhe nuk kanë pasur mundësi të bëjnë. Diçka që do t’i ipte krahë fëmijëve të tyre për të fluturuar lart e më lartë, për t’u ngjitur mbase në Kilimanxharo.

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjëve?
B.KAPROLLI:
Identifikoni gjërat që i doni në jetë. Investoni në veten tuaj për gjërat që doni dhe ju bëjnë të lumtur. Jini të realtë dhe ëndërroni. Ndiqni ëndrrat tuaja dhe luftoni për to. Mendoni që koha që vjen një herë nuk kthehet më. Andaj bëni gjithçka që mos të pendoheni për të qoftë për të mirë apo për të keqe. Gaboni dhe mësoni nga gabimet tuaja apo të tjerëve. Ka disa leksione që një herë në jetë i mësoni. Jini garues, depërtoni në tregun e punës, dhe jetoni. Së fundi, niseni ditën me pozitivitet. Jo çdo kush ka mundësi të vjen në këtë botë, ju jeni njëri nga ato.

A janë të rinjtë tanë të gatshëm të marrin procese të rëndësishme në shpinë dhe të fillojnë ndryshimin?
B.KAPROLLI:
Unë kam shumë besim në rininë tonë. Takohem tërë kohën me shumë fëmijë, nxënës të shkollave të mesme, me shumë studentë dhe të rinj. Unë në çdo njërin prej tyre shoh potencial. Ideja është të dish të dallosh gjërat që ata i pëlqejnë, metodologjia që ata preferojnë. Fillimisht duhet dëgjuar të rinjtë. Ata kanë shumë potencial. Kanë nevojë për artistë që do t’i skalisin ato dhe mund të krijohen shumë vepra artistike. Të rinjtë e Maqedonisë njohin shumë gjuhë, janë të gjindshëm, kanë aftësi kompjuterike, kanë diploma universitare, u duhen hapësira për të vepruar dhe njerëz që do t’i lënë të veprojnë ato.

Si e shikoni të ardhmen e të rinjve në Maqedoni?
B.KAPROLLI:Nuk do mund t’i gjeneralizoj gjërat por mendoj të shkathëtit nuk njohin kufij dhe hartë gjeografike. Të tillët I ke gjithandej botës. Ka të tjerë që kanë identifikuar tregun e punës duke u kyçur nëpër punësime sipas modeleve të punësimit në Maqedoni. Normalisht si çdo kund në botë ka dhe të rinj të cilët thjeshtë hezitojnë të gjinden. Mbase kanë edhe rrugë të tjera që nuk u shpejtohet. Kjo laramani njerëzish e bën jetën interesant dhe na jep mundësi të mësojmë nga të gjithë.

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?
B.KAPROLLI:
Kam shumë, zakonisht më pëlqejnë pjesë nga libri dhe ca inserte të filmave. Tani është vështirë që një libër të mbajë vëmendjen e lexuesit nga fillimi deri në fund me të njëjtin intensitet. Që nga shkolla fillore e deri tani do ta kisha veçuar: Ana Kareninën të Tolstoit. Përshkrimi realist i Rusisë së asaj kohe, peripecitë familjare, qëndrimi i një femre si rol kryesor në shoqëri, mënyra e përshkrimit të gjërave sikur je vetë aty, më ka tërhequr shumë. Për sa i përket filmit do ta kisha veçuar Bravehart. Më pëlqejnë njerëzit që vdesin duke luftuar dhe nuk dorëzohen duke pritur vdekjen.  Japin gjithçka për popullin e vet dhe njeriun që duan.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button