Protesta e opozitës, Basha: Meta ik, në zyrën e ministrit pazar me jetët e deputetëve

Pak minuta pas orës 11.10 ka nisur protesta e paralajmëruar e opozitës, e prirë nga kryedemokrati Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të opozitës.

Kryedemokrati Basha deklaroi nga tribuna e protestës se Shqipëria e pa dhe mbarë bota e pa se pamja e bashkimit të shqiptarëve të gjithë bashkë mbylli Parlamentin dhe pushoi Ilir Metën nga detyra e kryetarit të Parlamentit.

“Pas çdo fature të rritur, pas çdo vështirësie qëndron ikona e dyshes Rama- Meta. Për dy vite me radhë kanë rritur taksat, kanë detyruar dhjetëra qytetarë drejt vetëvrasjes. Mjerim, varfëri dhe papunësi kudo, por këta oligarkët po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisë ka vjedhje dhe makutëri. Kur ekonomia është zhytur në krizë dhe kur shqiptarët shtrëngojnë rripin, një hall tjetër i madh na ka zënë pasiguria, tritoli, vrasjet”, u shpreh Basha.

Ai tha se pasiguria e shqiptarëve e ka origjinën tek Edi Rama dhe Ilir Meta, të cilët sipas tij erdhën në pushtet me krimin dhe qeverisin me krimin.

Kreu i PD deklaroi se bandat e Tahirit, Ramës etj., kanë territor të lirë dhe nuk kuptohet më ku mbaron krimi e ku fillon shteti, duke bërë që krimi të mbërrijë në Parlament.

Sipas tij, kreu i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, duke shtuar se akuza vjen nga ortaku i biznesve dhe aferave, ku nënvizoi se për gjashtë muaj Rama dhe Meta kanë mbajtur në errësirë krimin bashkë me oborrtarin ministër që tenton të fshehë krimin, duke tentuar që t’ia hedhin fajin opozitës.

“Në zyrën e Ministrit të Brendshëm është bërë pazar me jetët e dy deputetëve. I kërkojmë Ilir Metës me një zë, ik jep dorëheqjen”, tha Basha.
Duke vijuar më tej ai deklaroi se Rama- Meta do e kenë përballë opozitën bashkë me qytetarët deri sa të çlirohet vendi nga krimi dhe deri sa drejtësia të bëhet.

“Jemi këtu jo vetëm për ta ndalur por për ta larguar qeverinë. Shqipëtarët kanë nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se Shqipëria do e e ketë ofertën e re ne nuk ndalemi deri sa të ketë ligj dhe derejtësi dhe deri sa bijët dhe bijat tona të kenë drejtësi. Nuk ndalemi deri sa të shporrim të keqen, deri sa Edi Rama dhe Ilir Meta të largohen. Qeveria Rama- Meta është rrëzuar moralisht. Ilir Meta dëgjoje zërin e qytetarëve jep dorëheqjen”, tha Basha.

Ai kërkoi që Kryeministri Edi Rama të mos bëjë hesape me krimin, të mos bëj hesape me bandat, të mos bëj hesape me Metëbn, pasi në të kundërt duhet të shporret.

Në nisje të saj protesta u çel me fjalët e mbajtura nga qytetarë të ndryshëm, të cilët denoncuan pasojat sipas tyre të keqqeverisjes.

Në vijim deputeti demokrat dhe numri dy i PD, Arben Ristani në fjalën e tij në foltoren e ngritur para Kryeministrisë tha se pushtetarët janë një grup oligarkësh që synojnë të mbushin xhepat me paratë e krimit dhe korrupsionit.

“Shoqëria shqiptare është në depresion nga dhuna dhe arroganca e pushtetit. Është bërë e frikshme jeta e përditshme nga shpërthimet e tritolit, vrasjet monstruoze që nuk kursejnë askënd. Rama urdhëron burg për qytetarët dhe Ilir Meta vrasje për deputetët. Depresioni i padrejtësisë dhe arrogancës i ka shtyrë qytetarët drejt vetëvrasjes. Të protestojmë me zë të fuqishëm se krimi dhe mafia jo vetëm që nuk mund të sundojnë por duhet zmbrapsur. Protestat do të shmangin kthimin e Shqipërisë në ologarki banditeske”, u shpreh Ristani.

Në vijim kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka deklaroi se klika e krimit mbylli sot Parlamentin.

“Jemi këtu për t’i thënë Metës ik dhe Ramës zhduku, sepse kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më”, tha ai.

Protesta e sotme mbahet kundër mazhorancës, pas akuzave të deputetit socialist të Shkodrës, Tom Doshi, se kreu i Kuvendit Ilir Meta me dijeni të Kryeministrit Edi Rama ka porositur ekzekutimin e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi.

Autobusë me mbështetës të opozitës ishin nisur në orët e para të mëngjesit nga Dibra, Burreli, Kukësi, Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora, Fieri, Gjirokastra, Lazarati etj., dhe mbërritën pak para nisjes së tubimit.

Opozitarët nga të gjitha qytetet e Shqipërisë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të nisur protestën e cila u stacionua përpara Kryeministrisë.

Më herët mbrëmë, kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi grupin e deputetëve, të cilët i udhëzoi për masat që duhet të merrnin për një protestë sa më paqësore.

Ndërkohë ashtu siç lajmëroi një ditë më parë, policia ka ushtruar kontrolle për bllokimin e sendeve të paligjshme apo persona me precedentë penalë. Policia e Shtetit pretendon se njerëz të armatosur janë afruar drejt protestës./NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button