Intervista me të nominuarit për arritjen e vitit në muzikë

Vetëm një ditë para mbrëmjes gala të ndarjes së cmimeve “Arritja e vitit Milingona e Artë 2014”, prezantojmë është dy kategoritë e fundit, ato të muzikës pop dhe muzikës serioze.

Të nominuarit në kategorinë Arritja e vitit në muzikë për këtë vit janë: Elita 5, Leonora Poloska dhe Kanita, Krenar Ismaili, Visar Rexhepi dhe Tuna.

Elita-5Elita 5– Nominohen për kthimin e madh në skenën muzikore gjatë vitit 2014 duke publikuar albumin e tyre më të ri “Mohikani i Fundit”. Rok grupi legjendar shqiptar tregoi edhe një herë pse e gëzon këtë epitet. Me albumin “Mohikani i fundit” sollën disa këngë fantastike, ku hiti më i madh doli të jetë super projekti “Më fal” për të cilin incizuan edhe një video klip po aq të realizuar. Kjo këngë gëzon rreth 3milionë klikime të cilat janë pa asnjë dyshim me meritë të plotë.

 

leonora-kanitaLeonora Poloska dhe Kanita – Leonora nominohet për rikthimin e saj në skenën e muzikës pop për vitin 2014 duke e veçuar baladën e fuqishme “Digjem për ty” të cilën e prezantuan në Festivalin “Kënga Magjike” ku fitoi çmimin për duetin më të mirë. Kënga ishte një bashkëpunim i suksesshëm me Kanitën e talentuar, u prit shumë mirë nga publiku duke marrë shumë klikime në internet, ndërsa fitoi çmimin për duetin më të mirë në festival.

Për Leonorën baladat janë stili i saj më i preferuar i të kënduarit pasi aty ndjehet më e sigurtë dhe vetvetja, ndërsa sa i përket mungesës së saj prej një kohe në skenën e muzikës zbavitëse ajo shprehet: “Nuk do të thotë që nuk këndoj nëpër media dhe nuk jam e involvuar, thjesht këndoj në momentin që e ndjej se duhet të këndoj, nëse ekziston ndonjë barometër që duhet ndjekur (skemë) te unë nuk funksionon.”- ka deklaruara Leonora Poloska për Milingonën.

krenar-ismailiKrenar Ismaili- Nominohet për suksesin e tij si vokalisti më i mirë nga Maqedonia që doli finalist në “The Voice of Albania 3” gjatë vitit 2014. Krenar është violinist i diplomuar në Akademinë e Arteve në Tetovë, në klasën e prof. Sihana Badivuku. Gjatë vitit 2014 ka realizuar koncerte në Tiranë dhe Prishtinë së bashku me bendin e tij Blla Blla Blla dhe bendin POR-NO nga Prishtina për të promovuar albumin e tyre të ri “Zhurmuesi”. Krenari gjithashtu është shumë aktiv dhe i dashur për publikun duke performuar ‘live’ në Shkup dhe qytetet tjera të Maqedonisë.

“Eksperimentimi” i tij me muzikën rok dhe violinën ka ardhur krejt spontanisht por që ka qenë mjaft i pëlqyer nga publiku, ndërkaq veten nuk preferon ta etiketoj vetëm si roker, pasi preferon të luaj më shumë zhanre të muzikës.

“Kombinimi rock me violinë ka ardhur mbase spontanisht, pasi që unë studioja për violinë dhe luaja pak a shumë vetëm muzikë klasike deri sa ju bashkangjita bendit Blla Blla Blla…!Pastaj aty filloj “eksperimentimi” im me violinën edhe në zhanre tjera të muzikës, një prej tyre edhe rock-u.”

“Nuk dua ta etiketoj veten si roker pasi që unë i dua dhe i performoj edhe shumë zhanre të tjera,e pastaj arsyeja pse mora pjese në The Voice ishte thjeshtë arsye për ta sfiduar vetveten,pasi që unë si violinist kisha performuar shumë më shumë dhe në skena më të mëdha, por si këngëtar jo fortë dhe e pashë si një mundësi të mirë për ta testuar vetë,pasi që artistet jetojnë për këto sfida, artistet ushqehen me sfidat dhe pas çdo përfundimi të një sfide,ne zakonisht nuk dimë t’i gëzohemi po veçse më mendojmë për sfidën e rradhës.”- U shpreh Krenar Ismaili për Milingonën.

visar rexhepi Visar Rexhepi – Nominohet për sukseset e arritura gjatë vitit 2014. Këngët e reja dhe videoklipet e realizuara i sollën atij suksese duke u vlerësuar edhe me çmime. Visar Rexhepi me këngën “Alibi” fitoi çmimin e parë nga juria profesionale në festivalin ndërkombëtar të Ohrit, po ashtu gjatë vitit të kaluar ai u vlerësua edhe si interpretuesi më i mirë në kuadër të manifestimit “Netët e klipit shqiptar”.

Viti 2014 ishte një vit mjaft i suksesshëm për ty si këngëtar, duke marrë pjesë nëpër festivale dhe duke fituar edhe çmime, a janë realizuar pritshmëritë e tua në sferën e muzikës?

“Mund të them se po, pasi që viti 2014 ka qenë me shumë pjesëmarrje të rëndësishme për mua, ndërsa kurorëzim i gjithë kësaj ishte çmimi i parë që fitova në festivalin e Ohrit, duke marrë çmimin e parë në konkurrencën e interpretuesve ndërkombëtarë. Ky titull i fituar ka bërë që unë tani këtë vit të jem shqiptari i vetëm që do të marr pjesë në festivalin “Sunçane skale” në Mal të Zi, e që do të konkurrojë me një këngë të re.”

Këtyre ditëve jeni duke punuar në një këngë të re, bëhet fjalë për një bashkëpunim, na thoni diçka më shumë rreth saj?

“Fillimisht të them se tani më jemi në përfundim të videoklipit të ri të kësaj kënge, që po e bëj në duet me Vjollca Lukaj. Ideja ka qenë që të kem duete me këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, e fillova me Kosovën në duet me Adelina Thaçi, pastaj në Shqipëri me Gerta Heta, në Maqedoni me Miranda Hashani dhe tani me Vjollca Lukaj, e cila edhe pse është shkodrane, por është nuse ulqinake. Mendoj se do të jetë një këngë që do të pranohet shumë mirë nga fansat e që do të dëgjohet gjatë sikurse edhe projektet tjera që kam pas.” –tha Visar Rexhepi për Milingonën.

Të nominuarit në kategorinë Arritja e vitit në artet e performuara-Muzikë Serioze për këtë vit janë: Fatos Lumani, Shkëlzen Baftiari, Sihana Badivuku dhe Jeton Pustina.

Fatos Lumani-Artet e performuaraFatos Lumani – Kompozitor, nominohet për punën e tij gjithëpërfshirëse gjatë vitit 2014 edhe si autor i veprave të reja të muzikës klasike por edhe autor të cilit i janë luajtur veprat nga orkestra të ndryshme. Si kompozitor, gjatë vitit 2014 ka kompozuar veprat “Kantata”, “Oratoriume” dhe të tjera. Koncerti për piano dhe orkestër simfonike u luajt në hapjen solemne të Festivalit “Ditët e muzikës të Maqedonisë”, interpretuar nga Filarmonia e Maqedonisë. Veprat e tij janë luajtur edhe nga orkestra dhe artistë të tjerë kurse Fatos Lumani ka kompozuar edhe muzikë për film dhe teatër.

Çfarë procesi kalon një kompozitor deri sa shkruan një vepër?

Është një proces mjaft I lodhshëm dhe do kohë,inspirim,mund etj. Sidoqoftë pika vendimtare në të gjitha këto elemente është kur duhet të motivohem mjaftueshëm ,kur vendos që ta marr hapin e të ulem që të kompozoj muzike, pas atij momenti gjithçka tjetër kalon në diçka sekondare… përveç muzikës.

Ku e gjeni frymëzimin kur muzika klasike megjithatë nuk është edhe aq në fokus?

Të shkruash muzike serioze është thirrje e brendshme,nuk ka të bëjë me fokusin, ka të bëje me nevojën për tu shprehur..

Jeni i vlerësuar edhe jashtë Maqedonisë, si u bën kjo të ndjeheni?

Ndjehem mirë sa herë që vepra merr kritikë të mirë jashtë ose brenda vendit. Sido që të jetë vlerësuesi I i vetëm i cili ka rendësi për mua jam unë, nëse unë nuk jam i kënaqur me veprën që kam shkruar,ose kam mundur të gjej mënyrë më të mirë në modelimin e tingujve, kuptohet nuk ndjehem mirë dhe e kundërta , nëse një vepër ka arritur të përmbushë shijet e mija estetike unë ndjehem i plotësuar shpirtërisht….

SHKELZEN BAFTIARIShkëlzen Baftiari – Pianist, nominohet për cilësinë e tij interpretuese dhe aktivitetin e dendur koncertal gjatë vitit 2014. Si pak pianistë, ai gjatë gjithë vitit ka arritur të zhvillojë shumë koncerte recitale por gjithashtu edhe koncerte të ndryshme kamertale. Një nga koncertet më të veçuara është ai me Filarmoninë e Maqedonisë. Ai veçohet për teknikën dhe emocionin që përcjell gjatë interpretimit për çka shpesh është vlerësuar shumë lartë.

Gjithçka duket e lehtë në skenë, por si është në fakt?

“Është ashtu si duket. Të përballesh me skenën dhe publikun nga këndvështrimi im duke pasur parasysh se jam shfaqur qysh si fëmija, është bërë një nga vendet më komode sepse pikërisht aty me profesionin që kam, e konsideroj si vend kyç për ta dhuruar atë energji pozitive të muzikës që interpretoj tek publiku dhe sigurisht kur publiku e ndjen atë energji tek un reflekton me ndjenjën e rehatisë.”-ka deklaruar Shkëlzen Baftiari për Milingonën.

JETON PUSTINAJeton Pustina – Dirigjent, nominohet për angazhimin e tij të konsiderueshëm për organizimin, zhvillimin dhe drejtimin e dhjetëra aktiviteteve artistike. Vetëm gjatë vitit 2014 ai ka qenë pjesë dhe ka menaxhuar mbi 50 aktivitete kulturore. Veçohet puna e tij si dirigjent në disa koncerte, sidomos ato të përpunimit të këngëve tradicionale shqiptare në forma dhe shprehje origjinale muzikore. Aktiviteti i tij përfshin edhe gjini të tjera muzikore apo dhe pjesë e organizimeve të rëndësishme si “Vera Kulturore e Tetovës” apo “Tetova feston Nëntorin”.

Kur jeni në skenë dhe dirigjoni arrini t’i dëgjoni të gjithë?

“Kur jam në skenë mundohem që t’i dëgjoj të gjitha instrumentet por edhe solistin në qoftë se vepra(kënga) është edhe me këndim. Çdo instrument e ka rendësin e vet dhe harmonizimi i tyre nëpërmjet tingujve bën që vepra të arrijë sa më mirë tek dëgjuesi në sallë. Përveç se duhet të “kontrollohet situata” me instrumentistët në të njëjtën kohë duhet të jem i kujdesshëm me mbajtjen e tempos që kërkohet por edhe dinamikes së veprave.”

Thuajse gjithë suksesi në skenë varet nga dirigjenti, por pse?

“Nuk do kisha thënë se gjithë suksesi varet prej dirigjentit. Dirigjenti është pika kryesore e organizimit dhe mbarëvajtjes së punës në orkestër por për mua instrumentistet dhe solistet se bashku me

dirigjentin e bëjnë suksesin. Kjo është pune ekipore dhe shumë gjëra varen prej njëri tjetrit.”-deklaroi dirigjenti Jeton Pustina për Milingonën.

SIHANA BADIVUKUSihana Badivuku – Violiniste, nominohet për angazhimin e saj konstant gjatë vitit 2014, duke zhvilluar një koncerte recitale si brenda ashtu edhe jashtë Maqedonisë. Veçohen dy koncertet e saj në Shkup dhe Itali. Interpretimet e saj marrin vlerësime të larta, “dramë, patos, dhimbje, krenari, një artiste e cila plotësisht i jepet artit”, thuhet në një prej këtyre vlerësimeve. Sihana Badivuku veç koncerteve recitale, ka qenë pjesë edhe projekteve të ndryshme të muzikës klasike si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Sa punë ju duhet të bëni gati një koncert?

Kur janë veprat që i kemi luajtur më herët dhe që i kemi në repertor”në gishta” atëherë 1-2 javë punë çdo ditore dhe studim për ta mbajt “kondicionin psiko-fizik në skenë”;kur kemi të bëjmë me vepra të reja që nuk i kemi studiuar asnjëherë atëherë na nevojitet më tepër kohë, 1 apo 3 muaj e më tepër varësisht nga vështirësia teknike dhe artistike e veprës që duhet ta ekzekutojmë.

I përkisni një brezi më me përvojë, a mendoni se ka një interes më të shtuar ndaj muzikës klasike?

Specifika dhe formimi i një instrumentisti të ri në muzikë klasike respektivisht instrumentist skenik kërkon studim dhe përkushtim minimum 20 vjeçar në shkollat profesionale muzikore krahas shkollave të obliguara fillore etj. Andaj edhe zhvillimi cilësor në këtë profesion zgjatë me decenie dhe nuk lindin instrumentistë” brenda natës” por ata ndërtohen me punë dhe përkushtim studioz shumëvjeçar.

Lirisht mund të themi se pikërisht në momentin e duhur nga kuadrot e USHT po krijohen instrumentistë të rinj të muzikës klasike dhe duhet seriozisht të mendojmë të formohen orkestra kamertale dhe simfonike shqiptare në Maqedoni me kuadrot dhe gjeneratat e reja tashmë të krijuara nën ombrellën e qytetit të Shkupit,Tetovës dhe Ministrisë së kulturës.

Interesimi për studim të muzikës klasike rritet dita më ditë në Maqedoni tek gjeneratat e reja shqiptare dhe ky është një hap shumë pozitiv .

Lajme të ngjashme

Back to top button