SHBA, 295 mijë vende pune gjatë shkurtit, papunësia në nivel rekord

Pavarësisht motit tepër të ftohtë, vendet e punës në SHBA nuk duket se kanë “ngrirë” gjatë muajit shkurt. Pikërisht gjatë këtij muaji, ekonomia amerikane ka hapur 295 mijë vende të reja pune, duke tejkaluar pritshmëritë. Sipas ekonomistëve, pritej një rritje prej 235 mijë vende.

Rritja e punësimit përgjatë shkurtit tregon edhe njëherë sesa përparime ka bërë ekonomia amerikane gjatë vitit të fundit. Ky është muaji i 12 radhazi, që ekonomia ka parë të hapen mbi 200 mijë vende të reja pune, ndërkohë që norma e papunësisë ka rënë në 5,5%, transmeton Top Channel.

Kjo është edhe norma më e ulët e papunësisë që prej majit të vitit 2008, përpara sesa të niste kriza financiare. Papunësia ka njohur një rënie drastike që prej vitit të kaluar, kur shifrat flisnin për 6,7% të të papunëve.

“Kemi pasur erën në favorin tonë, ndërsa besimi ka qenë tepër i lartë ndaj shumë sektorëve të ekonomisë sonë”, thotë Sekretari i Punës, Tom Perez.

Por, çfarë mund të thuhet për pagat minimale? Ndërkohë që shumica e amerikanëve janë rikthyer tashmë nëpër punëra, çështje me rëndësi të veçantë bëhet fakti se kur do të rriten pagat minimale. Pagat mesatare javore janë rritur vetëm me 2% gjatë shkurtit, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që në një ekonomi të shëndetshme, pagat duhet të rriten me një normë mes 3,5% dhe 4%.

Ritmi i ngadaltë i rritjes së pagave janë një arsye kyçe, se përse shumë njerëz ende nuk ndihen të rehatuar gjatë këtij rikuperimi të ekonomisë. Pavarësisht përmirësimit të dukshëm të saj, pagat po kthehen tashmë në pikën kryesore. Rezerva Federale kërkon të sigurojë një normë rritjeje të pagave mesatare më të mirë, përpara sesa të rrisë normën kyçe të interesit, e cila do të kishte një impakt të madh në ekonomi dhe tregjet financiare.

Raporti i së premtes është shqyrtimi i fundit mbi tregjet e punësimit, përpara se të mblidhet komiteti i politikbërjes së Rezervës Federale, më vonë gjatë këtij muaji.

Nëse ulja e papunësisë, apo rritja e punësimit do të vazhdojë, edhe pagat do të pësojnë një rritje të përshpejtuar, argumentojnë shumë ekonomistë. Por, raporti i punësimit të muajit shkurt e vërteton gjithashtu këtë parashikim: sigurimi i shkëlqyer i vendeve të reja të punës do të nxisë edhe rritjen e pagave minimale.

Pagat priten të rriten, nëse papunësia do të qëndrojë rreth 5,5% ose nën këtë normë, thotë Jim O’Sullivan, shef i ekonomistëve amerikanë në firmën e studimeve “High Frequency Economics”.

Lajme të ngjashme

Back to top button