LSI “kërcënon” Bashën: Bën mirë mos e kërkosh më dorëheqjen e Metës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili doli sonte në një konferencë për shtyp për të folur mbi zhvillimet e fundit ku kreu i kësaj partie u denoncua nga deputeti socialist Tom Doshi se ka porositur dhe paguar vrasjen e tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi.

Vasili kërkoi që kreu i opozitës t’i japë fund kërkesës për largimin e Ilir Metës nga posti i kryetarit të Parlamentit.

“Kryetari i Partisë Demokratike do të bënte mirë që të hiqte dorë sa më parë nga kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, për arsyen e thjeshtë, sepse kryetari i Partisë Demokratike është i vetmi shqiptar i cili nuk mundet ta bëjë një kërkesë të tillë”, – tha z.Vasili.

Ai solli në vëmendje se sipas tij, z.Basha është ende në rrezik për t’u përfshirë në procedim penal pasi siç tha Vasili, “kryetari i Partisë Demokratike vazhdon të jetë i akuzuari për mega-aferën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve”.

“Të gjithë qytetarët e këtij vendi, – shtoi ai, – e kanë mjaft mirë të fiksuar në mendje, që ky person është akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega-aferën e rrugës Durrës-Kukës. Akuzë e cila është aty dhe sot e kësaj dite dhe për këtë akuzë të gjithë shqiptarët e mbajnë mend më së miri, që ky person nuk e dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit, por vazhdoi qetësisht, sikurse nuk kishte ndodhur asgjë, pra vazhdoi që të ishte ministër i të njëjtës ministri, të cilës i kishte vjedhur 230 milionë dollarë. Dhe jo vetëm kaq, por me makinacione pafund, i shpëtoi gjykimit nëpërmjet procedurave dhe me dhjetëra raporte mjekësore për qindra sëmundje imagjinare, duke vazhduar të qëndronte aty dhe duke mos dhënë dorëheqje. Ndërkohë, që nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel, për të zbardhur një më një se si ishte e vërteta e vjedhjes së 230 milionë dollarëve”.

“Edhe sot e kësaj dite kryetari i Partisë Demokratike vazhdon të jetë i akuzuari për mega-aferën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve, pra një çështje e pagjykuar dhe e pambyllur dhe për të cilën ai vazhdon që të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi, pra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Si i tillë dhe duke mos dhënë njëkohësisht edhe dorëheqjen në atë kohë për asnjë minutë, vazhdon që të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin”, – tha z.Vasili.

“Kjo kërkesë e tij e vazhdueshme e bën edhe më qesharake atë dhe Partinë Demokratike, të cilët së bashku me ish-kryetarin e tyre vazhdojnë të kenë shembuj të pafund të raportit të tyre refuzues, neglizhues dhe mosbashkëpunues me ligjin, duke mos ushtruar asnjë nga përgjegjësitë e tyre morale, duke mos dhënë kurrë dorëheqjen edhe kur ka qenë akuzuar për vepra të rënda kriminale”, – tha z.Vasili. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button