Ymeri: Gjykata Speciale e dëmshme për Kosovën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka shkuar bashkë me deputeten Albulena Haxhiu, në takim tek Presidentja Atifete Jahjaga, për të diskutuar lidhur me krijimin Gjykatën Speciale.

Pas këtij takimi, Ymeri deklaroi se partia që drejton e konsideron këtë Gjykatë jashtëzakonisht të dëmshme dhe të rrezikshme për të kaluarën dhe për të ardhmen e Kosovës.

“Përmes kësaj gjykate po shtrembërohet e vërteta për të kaluarën e Kosovës, për luftën që ka ndodhur në Kosovë. E dini që kjo gjykatë do ta ketë për bazë raportin e Dick Martyt, si dhe raportin e prokurorit Williamson, ku flitet për mundësinë që pjesëtarët e UÇK-së të kenë kryer krime, dhe shkon deri aq larg sa thuhet se ka pasur dyshime edhe për tentim gjenocidi ndaj serbëve në Kosovë, gjë që është pikërisht e kundërta me atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Ne e dimë që ka pas gjenocid ndaj shqiptarëve nga strukturat shtetërore, policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, dhe ky projekt i gjenocidit ndaj shqiptarëve ishte intensifikuar gjatë tre muajve të fundit të luftës. Tash po krijohet një gjykatë e veçantë për UÇK-së dhe për shqiptarët e Kosovës, thua ti që shqiptarët e Kosovës paskan qenë edhe shkaktarët edhe krimbërësit më të mëdhenj në luftërat në ish-Jugosllavi”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, mënyra si është konstruktuar kjo gjykatë është një rrezik dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës, sepse po krijohet një gjykatë paralele, një sistem paralel i drejtësisë, i cili edhe po konsiderohet të jetë i Kosovës, pra i brendshëm; por njëkohësisht do të jetë i jashtëm pasi nuk do të jetë nën kontrollin e Republikës së Kosovës e as të institucioneve përgjegjëse për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Gjykatësit dhe prokurorët nuk do të jenë përgjegjës e as llogaridhënës as ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), dhe as nuk do të emërohen nga KGJK. E njëjta vlen edhe për prokurorët, të cilët nuk do të jenë as të emëruar nga Këshilli Prokurorial, e as nuk do t’i japin llogari këtij këshilli. Në anën tjetër, sa i përket çështjeve për të cilat merr vendim edhe Gjykata Kushtetuese, këtë vendim do ta marrin vetëm tre anëtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dhe do të konsiderohet si vendim i kësaj gjykate. Kjo e përjashton plotësisht sistemin gjyqësor të Kosovës, dhe e mbindërton një sistem shumë më të fuqishëm sesa shteti, përmbi dhe brenda këtij sistemi”, ka thënë kreu i LVV-së.

Çështja tjetër mjaft problematike, sipas Ymerit, ka të bëjë me shpërfilljen e procedurave ndaj institucioneve tjera që parashihet të ndodhin me Gjykatën Speciale.
“Në dokumentin e dorëzuar më herët në Kuvend nga Ministri Kuqi, thuhet që kjo gjykatë do të ketë të drejtën që të hyjë në marrëveshje ndërkombëtare me shtetet e tjera, për qëllime të gjykatës, dhe kështu përmes marrëveshjes ta fus tërë Kosovën në obligime ndërkombëtare, pa pasur nevojë që këto marrëveshje t’i ratifikojë Kuvendi, ose disa të tjera Presidentja, siç parashihet me Kushtetutë. Kështu suspendohen institucionet sovrane të Republikës së Kosovës, për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe në emër të Kosovës”, ka thënë Ymeri. “Parashihet që pjesa dërmuese e zyrave të kësaj gjykate të jenë të vendosura jashtë vendit, gjykimet të mbahen atje, dhe vuajtjet e dënimeve të bëhen jashtë territorit të Kosovës, që nënkupton automatikisht edhe ekstradim të qytetarëve të Kosovës pa e kërkuar një diskutim e vendim në Kuvend për të drejtën për ekstradim të qytetarëve. Pra, i tërë sistemi i Gjykatës Speciale, i dhomave të veçanta, dhe i pjesëve tjera të kësaj gjykate që po konsiderohet të jetë e Kosovës, do të jetë edhe përjashtues, edhe ekskluziv karshi institucioneve tjera të Kosovës. Kjo Gjykatë Speciale do të jetë shteti mbi shtetin e Kosovës, që e bën Kosovën jo shtet”, ka shtuar më tej ai./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button