Greqia rifillon pensionet për minoritarët

Qeveria greke ka deklaruar se do të rifillojë dhënien e pensioneve të Entit të Sigurimeve Agrare, OGA, që merrnin minoritarët mbi 67 vjeç nga Shqipëria dhe ish-republikat e Bashkimit Sovjetik dhe që u ndërprenë në shkurt të vitit 2013 nga politikat e ashpra të qeverisë Samaras-Venizelos.

Deklarata është bërë në Parlament nga ministri plotësues i Sigurimeve Shoqërore, Dhimitris Stratulis, në kuadrin e paraqitjes së projektligjit të qeverisë së radikalëve të majtë për të përballuar krizën humanitare në vend.

Sipas tij, brenda një muaji e gjysmë qeveria Tsipras do të dorëzojë në Parlament dhe do të aprovojë një projektligj që do të rifuqizojë dhënien e pensioneve prej 360 eurosh të të moshuarve mbi 67 vjeç që nuk ishin të siguruar.

Në radhët e tyre përfshihen rreth 17 mijë minoritarë nga Shqipëria dhe rreth 14 mijë homogjenë nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik. Sipas ministrit Stratulis, pensioni do të jepet i plotë dhe jo i reduktuar.

Megjithëse përballon një mungesë të konsiderueshme likuiditeti, qeveria greke ka vendosur si kusht në planin e saj, që u ka paraqitur edhe huadhënësve, ndihmën për shtresat e varfëra të popullsisë, si dhënien falas të energjisë, të ushqimeve, të ndihmës mjekësore për ata që nuk janë të siguruar dhe në këtë rast edhe pensione minimale për këtë grup shoqëror në nevojë.

Lajmi, që është pritur me pozitivitet nga minoritarët e moshuar, pasi të ardhurat e pensionit konsiderohen një e ardhur tepër jetike, jo vetëm për ta por edhe për familjet e tyre në të dy shtetet, është publikuar në të gjitha mediat greke. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button