E shenjta e 7 Marsit!

Kush guxon të japi mësim kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari. Kjo thënie aq kuptimplotë dhe aq e thellë mund të kuptohet seriozisht vetëm nga ata mësimdhënës që profesionin e mësuesit e konsiderojnë si një profesion të mirë, të vështirë, me shumë përgjegjësi dhe vlera të mëdha.

Që të edukosh të tjerët duhet vetë të jesh i edukuar, që të ndikosh drejtë te brezi i ri, duhet të jesh shembull i mirë. Si edukator i gjeneratës së re, mësuesi  ndikon drejtpërsëdrejti në formimin e personalitetit të tyre, prandaj ai duhet të posedoj cilësi shembullore, dhe jo vetëm t’i posedoj, por edhe t’i përcjellë ato tek brezi i ri. Njëkohësisht ai duhet t’i luftojë vetitë negative  dhe të kontribuojë në ngritjen arsimore e kulturore në përgjithësi. Mësuesi, jo vetëm që është transmetues i shkencës dhe kulturës, i traditës dhe historisë njerëzore, por edhe i vlerave materiale e morale. Si faktor subjektiv, mësuesi ka në duar të veta zhvillimin e mëtejmë të  shoqërisë, ka në duar gjeneratën e re e cila do të jetë zëvendësuese për të vjetrën. Në duar të mësuesit nuk do të jenë njerëz vetëm të një profesioni, por do të jenë puntorë e ekspertë të fushave të ndryshme, shkrimtarë, shkencetarë, muzikantë, piktorë dhe skulptorë e shumë talentë nga lëmi të ndryshme. Prandaj, është detyrë e mësuesit, që këta talentë t’i zbulojë dhe t’u japë mundësi për zhvillim të plotë.

Mësuesi duhet të angazhohet jo vetëm në aftësimin intelektual të nxënësve, por ai duhet të jetë transmetues edhe në aftësimin e përgjithshëm të gjeneratës së re, për zgjerimin e kulturës në të gjitha sferat jetësore, t’i aftësojë për të kuptuar dhe për ta adhuruar artin, sepse atë mund ta kuptojnë vetëm njerëzit e ngritur në këtë pikëpamje. Kur flasim për këtë ditë, është e pamundur të mos i kujtojmë mësuesit tanë të parë, ata njerëz që na mësuan shkonjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun. Na mësuan poezitë e bukura të autorve tanë të mrekullueshëm që çdo fjalë e varg i saj të mbetet e të ngulitet thellë në mendjet tona.

Angazhimi dhe kontributi i tyre ndër vite është i pamohueshëm në ngritjen arsimore e kulturore të kombit tonë. Ata nuk ndaluan së punuari edhe në kohët më të vështira, në kohën e përndjekjeve e vrasjeve, ndalimit të teksteve e mbylljen e shkollave shqipe nga regjimet e egra serbe ndaj popullit tonë në periudha të ndryshme të cilët nuk ia arritën asnjëherë qëllimit që popullata shqiptare të jetë e paarsimuar dhe të mbjellin primitivizëm. Edhe pse regjimi serb i mbylli shkollat, mësimi vazhdoi, ku populli hapi dyet e shtëpive të veta që fëmijët të mësonin gjuhën shqipe.

Përfundimisht duke i kujtuar mësuesit tanë dhe duke qenë falenderues për edukatën e njohuritë që na dhanë, shpreh urimet më të përzemërta për të gjithë kudo që janë dhe kudo që punojnë. Poashtu shumë urime edhe veteranëve të arsimit të cilët ndërtuan themelet e arsimimit tek shqiptarët. Gëzuar!

Lajme të ngjashme

Back to top button