Në mes të vërtetës dhe mllefit!

Jetojmë në një shoqëri të komunikimit, të mediave, por ende jo në një shoqëri të së vërtetës. Njerëzit nuk e thonë të vërtetën kur iu preken gjëra thelbësore. Thonë të pavërteta, fjalë pa rëndësi, banale, shpesh budallallëqe.

Nuk përdorim fjalët që duhen për t’i thënë siç duhet gjërat e rëndësishme të jetës sepse i neglizhojmë ato.

Jetojmë një një kohë kur flitet çdo ditë për gjithçka e s’thuhet asgjë, fjalë që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën. Kujt mund ti besojmë? Kemi ngelur në mes të rrugës dhe nuk dimë se çfarë jemi duke bërë.

Jetojmë një një kohë kur e vërteta kushton sa një kokë njeriu. Të dish të vërtetën është e frikshme, është e tmershme. E vërteta duhet të heshtet pasi rrezikojmë kokën, familjen, të ardhmen, mund të përfundohet burgjeve, mund t’i vuajmë rëndë pasojat. Duhet të heshtësh dhe të mos flasësh, duhet të jesh i kujdesshëm të mos e prekësh ata që ka pushtet, të mos lëndosh pushtetarin , pasi e ardhmja jote varet nga ai , me një fjalë mund të përfundosh aty ku s’ta merr mendja. Jemi pjesë e shumë informacioneve, disa mundohen të lajnë hesapet e tyre me informacionet që kanë, të tjerët mundohen që ta vjedhin historinë, ta fshehin atë. Disa të tjerë heshtin dhe mundohen të amnistohen me të njejtën, ndërsa disa pushtetarë mundohen të tregohen engjuj, duan të na integrojnë në kohën kur një gjë e tillë është një ‘mision i pamundur’.

Ndërsa ne duhet të bartim informacione dhe të informojmë ashtu siç duhet, por në të shumtën e rasteve të mirat që i bëjmë na shpërblehen me të keqe, por megjithatë ne jemi duke bartur një përgjegjësi për shoqërinë .Prindërit e mi nuk më kanë mësuar që të hesht kundër të padrejtësive, padrejtësia duhet të luftohet deri në asgjësim pa marrë parasysh çmimin që mund të paguajmë. Kohëve të fundit jemi duke dëgjuar plot informacione ‘Bomba’, spiunimi ,përgjime, gjë për të cilën nuk dua të flas, por vetëm desha që të apeloj tek të gjithë se ne duhet të jemi krenarë dhe me plot përgjegjësi për atë se çka do të ndodhë në të ardhmen sepse nuk ka çmim që mund të blejë të vërtetën , ajo mbetet ashtu siç është dhe duhet të shfaqet qoftë mirë apo keq. Askush nuk të ngacmon nëse rri heshtur , po heshtja jote nuk vlen asgjë , ti nuk mund të jesh një njeri por vetëm një parazit i kësaj shoqërie, një kancer i lirisë, i të drejtës elementare dhe i këtij realiteti të hidhur që është duke u krijuar në këtë vend. Në fund, ti ,unë dhe të gjithë ne do të paguajmë çmimin e atyre të heshturve kundër të padrejtës, kundër diskriminimit, ne duhet të jemi arsye e një ndryshimi elementar në shoqëri dhe këtë më së miri mund ta bëjnë gjeneratat e reja, studentët, të rinjtë. Arma e lirisë është rezistenca dhe jo dorëzimi. Por deri sa të dalë e vërteta në shesh ne do të vazhdojmë të ngelim mes të vërtetës, mllefit dhe frikës për të folur.

Lajme të ngjashme

Back to top button