VAKI SHQIPTARE

Eh, sa reklamën është kah na e bën interneti! Secili me i mençur, më i ndershëm, më i devotshëm, më baba-komb se tjetri. Thua ti nuk mbeti kokër pisllëku ndër ne, thua Shqiptaria u qërrua e tëra prej trutharësh, hafijesh, mashash të huaja, kurvarhanesh të sponsorizuara prej shitakombësish të rinj, që na duan degë t’këputura trungu.

Dreqo-o-punë! Një jetë të tërë po zhdehemi nunurisjesh anakronike, për t’u bërë sërish teslim para marifeteve të përzierjes së kompetencave, ku gjithkush di gjithçka dhe asnjëri s’di kurgjë prej gjëje, ku politikani është qorr e qorri politikan, ku pushtuesi është çlirimtar e çlirimtari pushtues, ku historiani hesht devotshëm e kleriku ligjëron mbi Skënderbeun dhe Rilindësit armiq të kombit…

Pa përgjithësuar aktorët e tragjikomedisë etnike, duhet thënë zëshëm: jemi të rrezikuar nga vetvetja, sepse s’ka kush të pastrojë në vend tonin vatrat e kancerit që shpëlajnë trutë tanë më shpejt dhe më dhimbshëm se kushdo tjetër.

Klikoni YouTube-ve për të parë e dëgjuar sihariqet e mizërisë së çallmave që trashin qafat me paratë e popullit, pa e lodhur fiqirin se populli i paguan për t’ia mësuar Zotin, jo për t’ia rrezikuar qenien. Mjerisht, të tillët shfrytëzojnë nivelin e ulët të vetëdijes kombëtare dhe shpirtin e robit me rrënjë shekullure. Mjerisht 1000 herë, ligjëratat e malukatit në fjalë hipnotizojnë njësoj xhahilët pa një ditë shkollë, gjynafët që kanë lexuar librin e vetëm të latinëve dhe levantinët e helmuar pariparueshëm nga afishet antishqiptare.

Për çudi, vakitë e kobshme për të ardhmen tonë në trojet e mbetura nën tutelat e të tjerëve i bëjnë sehir partitë politike, analistët e mëdhenj, ekspertët e çështjes kombëtare, ideatorët e gjithçkahit dhe asgjësë, klasa amorfe intelektuale dhe, gati pa përjashtim: unë, ti, ne…, që, kur janë në pyetje pisllëqet ordinere, ndjekim pabëzajtur kursin e furtunës.

Tek-tuk ndonjë zë vetmitar paralajmëron sahatin që bie dymbëdhjetë, sfidon me qytetari vakinë specifike, që, NJËSOJ si enciklopedia albanofobe maqedonase, propagandon mashtrimin idiot se ne na paskan sjellur pushtuesit në këto troje, se qenka mëkat simboli ynë kombëtar e hajt bir!?

Një zë i tillë prej mohikani është ai i një Liridoni, i cili zhvesh matrapazllëkun e izmeqarëve të dreqit me komente të qarta për ata që s’pranojnë t’kullosin moçaleve: “Këto fakte, si për çudi janë IDENTIKE me ato të cilat i mbron shteti serb kur është në pyetje çeshtja serbo-shqiptare. Tani po te keni pak njohuri mbi historinë e kombit shqiptar, do ta vëreni ku qëndron mashtrimi. Do ta vëreni pse këta shërbëtorë të shërbëtorëve e bëjnë këtë. Në fund do ta kuptoni sa e cekët është kërkesa e tyre tokësore në krahasim me paraqitjen e tyre hyjnore. Ky është religjioni politik! Zoti i mëshiroftë për punën djallëzore që bëjnë!!!”

Specifike edhe kjo, apo?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. “…pa përjashtim: unë, ti, ne…, që, kur janë në pyetje pisllëqet ordinere, ndjekim pabëzajtur kursin e furtunës.
    Tek-tuk ndonjë zë vetmitar paralajmëron sahatin që bie dymbëdhjetë, sfidon me qytetari vakinë specifike, që…”-
    Fatmir, edhe mbretin rrahagjoks se nuk gënjehej, e mashtroi magjupja dhe ky vazhdoi të ndjehet edhe tutje mbret ! ( e këtillë është formula e manipulimit deri në fisnikërim përmes argumenteve , veprave ).

Back to top button