Biznesi po humb besimin ndaj shtetit

Situata e krijuar pas aferës së përgjimeve, sipas ekspertëve ekonomik, ka ndikuar që jo vetëm biznesi vendor të humb besimin në institucionet shtetërore, por edhe investitorët e huaj po e humbin besimin për të zgjeruar bizneset tyre në Maqedoni.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) Menderes Kuçi konsideron se kriza ekonomike po hyn në një fazë kritike pas publikimit të aferës së përgjimeve dhe si pasojë e agonisë, e cila tani më po zgjat gati një muaj, nuk paraqet asnjë garanci për stabilitet të qëndrueshëm politik dhe ekonomik të vendit, shkruan Koha.

“Faktor i rëndësishëm që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik është agonia e cila tani është prezentë nga dita e parë që opozita po bën publike ‘përgjimet’. Kjo në mënyrë plotësuese e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike në Maqedoni, sepse më duhet të theksoj se nuk është i mjaftueshëm angazhimi i qeverisë të proklamojë përmes reklamave të ndryshme në shtëpitë prestigjioze informative botërore favoret që ofron Maqedonia. Duhet pasur parasysh se për çdo afarist, në rend të parë është siguria e kapitalit të investuar dhe pastaj vjen përfitimi. Si pasojë e shumë zhvillimeve, investitorët e huaj dhe ata vendorë pas publikimit të përgjimeve nuk e ndjejnë mjaftueshëm sigurinë për t’u bindur të investojnë në Maqedoni”, thotë Kuçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button