Krokodili i larë me lotët tanë

Është një e vërtetë e pakontestueshme në mesin dhe mendësinë e popullit tonë. Njerëzit sa janë gjallë nuk i nderojmë dhe posa të vdesin për pak sa nuk i hyjnizojmë. Për ta kuptuar këtë mbrapshti si duhet, në vijim do të sjellim disa argumente. Harun Aliu derisa ishte gjallë nuk njihej gjithaq dhe shumë pak përkrahej prej popullit tonë, mbase dihet se politikisht ai qe varrosur prej këtij populli. Vetëm pasi e vranë barbarët në mënyrë mjerane, filloi të bëhet i madh Haruni në mesin e popullit tonë, madje edhe vocërrakëve e frikacakëve i ra në hise ta përmendin e të krenohen me atë, ani pse shumë pak prej nesh as shtëpinë nuk ia dimë Harunit sa për t’ia dhënë ndonjë ndihmë a ngushëllim familjes së tij.

Gjithsesi, Xhezair Shaqiri, komandant Hoxha, ishte prej njerëzve kyç në luftën e 2001-shit, po ashtu si njeri që nuhat larg, ka vite të tëra që i izoluar jeton në Republikën e Tanushës, për t’i shpëtuar kështu ndonjë kurthi të mundshëm. Shumë pak prej nesh krenohemi me komandant hoxhën, madje vetë votat tona treguan se sa i padëshirueshëm është z. Shaqiri për gjirin e këtij populli. Unë jam më se i sigurt, se po të vdisje a të vritej komandant hoxha të gjithë do të qanim e do të fillonim të shkruanim për trimëritë e tij, mbase goxha shumë do të krenoheshim me këtë burrë të madh. Ai është gjallë, ndaj edhe heshtim si huta, heshtje kjo që më së miri argumenton se ne jemi hipokritë. Prandaj, derisa nuk e shkopsisim këtë këmishë të turpit, punët keq e më keq do t’i kemi dhe çështjen tonë kombëtare as në ëndërr nuk do të mund ta zgjidhim!

Lajme të ngjashme

Back to top button