Pse BDI-ja kërkon të dalë e pastër mes “bombave” të Zaevit

Jemi mbledhur dy milion popull rreth një amfiteatri të madh që e quajmë “shtet” edhe po kënaqemi me cirkusin në të cilin performojnë pehlivanë të njohur si Nikolla dhe Zorani. Jo vetëm që u kënaqëm nga performansa e deritanishme, por trailerat e performansave të ardhshme premtojnë shumë më shumë nga kjo që kemi parë e degjuar deri tani. Premtim shumë joshës për një popull të uritur – i uritur jo vetëm për bukë. Mbi të gjitha është i uritur, i etur për debate, për sharrje, për intriga, përgjithësisht për performansa të këtilla. Janë lodhur nga seritë turke të Alsatit dhe Sitelit. Të harrojë barkun bosh duke u marrë me hallet e Nikollës dhe të Zoranit. Të uritur të dëgjojnë fjalët e të tjerëve – si puna ime – që i përshtjellojnë këto performansa derisa të përzihen zorët dhe mundohen të parashikojnë atë që do sjellin episodat e reja. Ah sa qejf!

Pastaj kur i sheh gjithë këta “analistë” të cilëve ju hap goja më në fund! Me siguri presin fundin e regjimit të Nikollës, prandaj kanë marrë hovin e guximin të gjithë të komentojnë, shajnë dhe të shesin mend e pordha, kush më përpara se tjetri.  Janë bërë si ato këpurdhat pas shiut, që mbijnë ku duhet e ku s’duhet. Nuk dua që askush nga kolegët e mij të ndjehet i ofenduar… e vërteta shpesh është e hidhur, por duhet pranuar ashtu siç është. Le të mos më keqkuptojnë lexuesit, nuk kam asgjë kundër këtyre këpurdhave, më falni – analistëve – vetëm se pyetem se a thua si tingëllojmë ne të tjerët që kemi kohë të gjatë që si kukuvajka paralajmërojmë këtë krizë të demokracisë, që tregojmë që diçka nuk është në rregull me këtë shoqëri, që shajmë ata që ne i konsiderojmë fajtorë dhe përgjegjës të gjithë kësaj.

Por më së shumti më tmerron qëndrimi i BDI-së. Tendenca e tyre për t’u amnistuar nga gjithë kjo që ndodhën duke përdorur arsyetimin e neutralitetit është e vështirë për t’u pranuar. Nuk e kuptoj pse askush, asnjë analist, asnjë këpurdhë nuk flet për këtë. Si është e mundur që indolenca e tyre të mos i bëjë askujt përshtypje? E kam një përgjigje në pyetjen time që dua ta ndaj me ju: Supozoj ngase të gjithë presin që kur të abdikojë Nikolla, nuk do i tërheq teposhtë Aliun me shokë; që qeveria e ardhshme, në mungesë të alternativës tjetër tek shqiptarët, do të duhet të formohet mes SDSM-së dhe BDI-së; rrjedhimisht SDSM-ja nuk do guxojë të provokojë BDI-në me “bomba” që i tangojnë interesat e BDI-së , prandaj edhe BDI-ja merr guximin të vetë-amnistohet. Janë dy elemente që nuk janë të realta këtu: e para nëse humb luftën VMRO-ja – edhepse dyshoj në këtë – dhe mandatin për formimin e qeverisë e fiton SDSM-ja në zgjedhjet e parakohshme që do të organizoheshin, BDI-ja do të jetë e para që do kërcejë për të marrë do kolltuqe në qeveri pa marrë parasysh asgjë. E dyta, që varësisht eksplozivitetit të “bombës”, situata e BDI-së mund të mos jetë shumë e këndshme pas zgjedhjeve të mundshme të parakohshme. Pikërisht për këtë arsye mendoj që BDI-ja tenton që paraprakisht të amnistojë veten duke u thirrur në intervencën e ndërkombëtarëve. Kërkon të fitojë terren nëse eventualisht “bomba” është e fuqishme mjaftueshëm sa për të dridhur themelet e korrupsionit të krijuar nga ata.

Jemi lodhur mendoj me arsyetimin e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Secili problem i këtij vendi, sipas pikëpamjes së BDI-së, duhet të zgjidhet nga ndërkombëtarët. Ndodhi rasti Monstra – ndërkombëtarët të thirren në ndihmë. Zgjedhjet e parregullta, përsëri me ndërkombëtarët ta zgjidhim. Plasën “bombat”, ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë ta zgjidhin. Nëse na duhen ndërkombëtarët për të na dalë në ndihmë në secilën pengesë që do të hasim si shtet, atëherë pse po i paguajmë BDI-në, deputetët dhe ministrat e saj në qeveri?!

Unë nuk kam dëgjuar asgjë konkrete nga zyrat e BDI-së e cila do të sillte pak dritë në këtë krizë. Një ide, një mendim, një propozim tjetër përveç të përhershmit – Ndërkombëtarët. Jam dakord që në një moment të caktuar do të kërkohet intervenca e bashkësisë ndërkombëtare, por rrugën deri në atë moment duhet ta trasojmë vetë. Ndihma e tyre do të duhej të ishte në formën e lehtësimit të një dialogu për një qeveri teknike, por asgjë më shumë nuk mund të presim. Aq më pak, nëse situata nuk shkon ashtu siç pretendojnë “puçistët” edhe Gruevski shpallën diktaturën. Pak duhet për këtë, një arrestim i vetëm dhe përforcim i rolit të policisë së shtetit… çka do kërkojë BDI-ja atëherë, pyetem? Ndërhyrje të Interpolit?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button