Tiranë, shpërthim eksplozivi pranë stadiumit “Dinamo”

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar rreth orës 22:15 në Tiranë, në zonën pranë stadiumit “Dinamo”, ku një automjet i parkuar është hedhur në erë.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se në automjetin tip Benz ML, me targa AA 948 AP, në pronësi të Artan Prengës, 35 vjeç nga Mirdita, është vendosur një sasi e konsiderueshme lëndë plasëse eksploziv.

Sipas dëshmive paraprake mësohet se eksplozivi ka shpërthyer në momentin, që Prenga ka qenë duke hapur derën e mjetit, i cili ishte i parkuar në rrugën “Sulejman Delvina”, përballë zyrave të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Si pasojë e shpërthimit, Prenga ka pësuar dëmtime të shumta dhe është dërguar me Urgjencë në Spitalin e Traumës. Ndërkaq, forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë punën për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

Veç marrjes në pyetje të dëshmitarëve të pranishëm në momentin e shpërthimit, grupi hetimor ka nisur dhe verifikimin e kamerave të sigurisë të disa bizneseve, që ndodhen pranë zonës së shpërthimit. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button