Presidenti Nishani takoi kryeparlamentaren serbe

Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takimkryeparlamentaren e Serbisë, zonjën Maja Gojkoviç, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe u shpreh se mes dy vendeve ka një mundësi për të rigjallëruar bashkëpunimin si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër rajonal. Presidenti Nishani theksoi se klasa politike ka detyrimin dhe përgjegjësinë për të përçuar qartësi dhe ndjenjën e miqësisë dhe bashkëjetesës për brezat e rinj.

“Vetëm përmes mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe mirëbesimit, vendet e rajonit mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për popujt e tyre” – u shpreh Presidenti Nishani.

Duke mbështetur plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe marrëveshjet e arritura deri tani me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Kreu i Shtetit theksoi se dialogu mbetet platforma më e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe krijimin e një të ardhme në paqe dhe begati mes të dy vendeve.

Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe statusit ekonomik, politik dhe social të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kudo në Serbi, duke theksuar se Shqipëria pret që ata të trajtohen sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit vlerësoi Memorandumin e nënshkruar nga Kryeministrat e të dy vendeve për bashkëpunimin rinor, sipas modelit franko-gjerman, duke shpresuar të shohim impaktin konkret pozitiv për të rinjtë e të dyja vendeve, e veçanërisht në raport me studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës që kanë studiuar në Shqipëri dhe kthehen për të punuar në Serbi.

Në fund të takimit Presidenti përcolli ftesën për Presidentin Nikoliç për të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Europës Juglindore që do të zhvillohet në 26 maj në Tiranë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button