Dëshmitari: Më paguan për të luajtur rolin sipas versionit të Tom Doshit

Durim Bami i ka mohuar të gjitha thëniet e tij në videon që deputeti Tom Doshi ka denoncuar dy ditë më parë.

Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se, përpara grupit të prokurorëve, Bami ka deklaruar se është shpërblyer nga deputeti Tom Doshi me një automjet tip “Audi” e blinduar, që të depononte në polici se kishte marrë një ofertë prej 500 mijë eurosh për të ekzekutuar dy deputetët, një të Partisë Demokratike dhe një të Partisë Socialiste.

Sipas Bamit, ai duhet të përdorte emrat e shokëve të tij, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, për të sajuar një histori të tillë. Durim Bami ka shpjeguar se, 10 ditë më parë ai ka larguar edhe familjen jashtë vendit, ndërkohë që vetë ka tentuar të largohej përmes pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit. E gjithë deklarata e tij, thanë burimet, është filmuar nga grupi i hetimit.

Bami u përpoq të largohej nga vendi ditën e arrestimit e tij, por u kap në kufirin me Malin e Zi. Ndërkohë rezulton se daljet më të shpeshta të tij jashtë vendit janë nëpërmjet pikave kufitare të Muriqanit e të Hanit të Hotit.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button