Hetime ndaj 135 personave për terrorizëm në Kosovë

Janë 135 persona ndaj të cilëve organet e ndjekjes penale në Kosovë, po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin.

Pjesëmarrja, nxitja apo inkurajimi i njerëzve për pjesëmarrje në luftërat jashtë Kosovës, sidomos në Siri, në krah të organizatave të shpallura terroriste, janë vepra të cilat rëndojnë mbi këta persona të dyshuar.

“Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, nga periudha paraprake, në vitin 2014, janë bartur 8 raste. Prej tyre 4 raste me 19 persona janë nën hetime, kurse 2 raste me 2 persona dhe një rast me persona të panjohur janë në fazën preliminare të hetimeve”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj.

Nga janari i vitit 2014 deri më tani, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë zëdhënësja Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, ka pranuar gjithsej 23 raste, prej të cilave, 3 raste të pranuara në vitin 2015 me 117 persona, të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin.

Në përgjithësi, prokurorët e kësaj prokurorie kanë filluar hetimet ndaj 135 personave.

Vetëm gjatë vitit 2015, janë ngritur 4 aktakuza kundër 14 personave. Të pandehurit, dyshohen se u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale.

Të gjitha këto vepra, janë të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Persona tjerë, akuzohen se kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist në atë mënyrë që paraprakisht janë dakorduar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS”.

Andaj, edhe këto vepra që kanë të bëjnë me organizimin dhe pjesëmarrjen në grupin terrorist, janë të dënueshme me Kodin Penal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo edhe në Irak.

Institucionet e Kosovës janë në fazën finale të miratimit të Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës. Pas miratimit dhe fuqizimit të tij, pritet që rastet e aktiviteteve terroriste dhe esktremizmit fetar të marrin një goditje shtesë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, beson që sanksionimi me ligj i pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit në krah të organizatave terroriste ishte më se i domosdoshëm në rastin e Kosovës.

“Është një ligj me rëndësi të veçantë në aspektin e pengimit, jo vetëm të pjesëmarrjes direkte, por në një formë edhe të implikimeve tjera që ka të bëj me nxitjen, mbështetjen, financimin, organizimin dhe pjesëmarrjen e njerëzve në këto konflikte të armatosura”, ka thënë Ibishi.

Deputeti Ibishi thekson po ashtu se numri prej 300 personave, sa besohet se marrin pjesë në luftën e Sirisë, është mjaftë alarmant. Për këto zhvillime ai mendon se përgjegjësinë nuk e kanë vetëm autoritetet e Kosovës, gjendja e rëndë sociale dhe papunësia, por edhe ato ndërkombëtare që e kanë lënë Kosovën si një geto të izoluar në Evropë.

“Sigurisht që situata është alarmante. Raportet e ministrit Hyseni, por edhe autoriteteve tjera në Kosovë tregojnë për një implikim të tillë dhe një situatë mjaftë të rëndë. Fatkeqësisht që edhe jeta në geto në Kosovë, në kuptim të ngecjes në liberalizimin e vizave në njëfarë forme, ka frustruar qytetarët e Kosovës dhe një pjesë e tyre fatkeqësisht kanë zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme, pra kyqjen në këto organizata terroriste në Siri dhe Irak”, ka deklaruar Ibishi.

Ndërkohë, njëri nga ish-deputetët më aktiv nga trajtimi i çështjeve nga fusha e sigurisë në legjislaturën e kaluar të Kosovës, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se rastet që tashmë janë në procedurë, do të duhej të trajtoheshin përmes kodit penal dhe ligjeve përkatëse, ngase ligji i ri i miratuar nuk do të ketë efekt retroaktiv.

“Ky ligj, i cili po shpresoj që shpejtë do të hyj në fuqi, nuk ka efekt prapakthyes apo retroaktiv, por decidivisht ka efekt në parandalimin e vazhdimit dhe rritjes apo zgjerimit, indoktrinimit, thirrjeve për bashkim në luftërat e huaja, apo në gjuhën e urrejtjes apo në shpërndarjen e thirrjeve të tilla”, ka thënë Ramadani.

E veçanta e luftimit të ekstremizmit fetar dhe terrorizmit, ishte zgjerimi i hetimeve ndaj disa imamëve të Kosovës, të cilët vitin e kaluar në disa raste përfunduan edhe prapa grilave.

Ndonëse ata janë liruar, hetimet janë duke vazhduar, nën dyshimet për shpëlarje parash, financim të terrorizmit, nxitje për kryerje të veprave terroriste, rekrutim për terrorizëm, thirrje për rezistencë, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar është një problem global. Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar luftimin e këtyre dukurive me prioritet të veçantë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në disa raste ka deklaruar se Kosova nuk do të bëhet çerdhe dhe as strehë e terrorizmit, kurse ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është lidere në rajon sa i përket luftimit të ekstremizmit fetar. /rel/

Lajme të ngjashme

Back to top button