Gjermania mund të përfitojë nga migrimi i kosovarëve

Norbert Mappes-Niediek, korrespondent në Evropën Juglindore për gazeta të ndryshme gjermane, austriake e zvicerane dhe autor i disa librave për Ballkanin udhëton rregullisht në Kosovë.

Norbert Mappes-Niediek, korrespondent në Evropën Juglindore për gazeta të ndryshme gjermane, austriake e zvicerane dhe autor i disa librave për Ballkanin udhëton rregullisht në Kosovë.

Ai tha se dhjetëra mijë kosovarë po vijnë ndërkohë në BE. Por, sipas tij, ky imigracion ka një traditë të gjatë dhe nëse ata legalizohen, Gjermania mund të përfitojë.

Në një intervistë për Deutsche Welle, ai tha se ka një largim të vazhdueshëm të shqiptarëve nga Kosova, por edhe të pakicave të tjera.

“Arsyeja kryesore është mungesa e perspektivës. Çdo vit rreth 50.000 të rinj dalin në tregun e punës dhe nuk kanë asnjë shans atje. Shumë prej tyre praktikisht nuk kanë asnjë mundësi, veçse të shkojnë jashtë vendit. Vala e emigracionit si në panik që arriti kulmin në dhjetor dhe ndërkohë ka nisur të bjerë, pati një dinamikë të vetën. Shkaku i vërtetë i saj është i vështirë të përcaktohet. Shumë thonë, se kjo kish të bënte me krijimin e qeverisë në fillim të dhjetorit. Pas kësaj u bë e qartë, se në Kosovë nuk do të ndryshojë asgjë. U desh të pritej gati një gjysmë viti pas zgjedhjeve derisa Kosova të bëhej me qeveri. Fillimisht u krijua një koalicion për ndryshimin e pushtetit. Por pas ndërhyrjes së fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare – edhe të Gjermanisë – kthesa në pushtet mbeti e parealizuar. Tani ka një koalicion me bazë të gjerë. Si rrjedhojë në Kosovë u krijua përshtypja: ne mund të votojmë, por në pushtet mbeten të njëjtët njerëz, nëse ata e duan këtë”, u shpreh Mappes-Niediek.

Por, çfarë zgjidhjeje sheh Mappes-Niediek?

“Unë mendoj se së pari duhet të shfuqizohet në BE detyrimi për vizë për kosovarët. Për të gjitha vendet e tjera fqinjë ky hap tashmë është ndërmarrë. Të gjithë shqiptarët, malazezët, boshnjakët, serbët dhe maqedonasit mund të lëvizin lirshëm në BE, të paktën si turistë për tre muaj. Nëse detyrimi për vizë do të hiqet, kjo natyrisht nuk do të thotë patjetër, që kosovarët paskëtaj do të dalin për të vizituar kullën Eifel. Ata gjatë kësaj kohe do të punojnë. E kësisoj do të dërgojnë para në shtëpi apo edhe do të kthehen pas një farë kohe, për të jetuar në Kosovë me paratë që kanë mbledhur gjatë kësaj periudhe në Perëndim. Sidoqoftë në një rast të tillë krijohet një lloj shkëmbimi. Ky shkëmbim bën që në Kosovë të mundësohet më lehtë krijimi i diçkaje të re. Përveç kësaj me heqjen e vizave nuk do të kishte më largime në panik, siç kemi përjetuar javët e fundit”, tha ai.

“… Nuk duhet të harrojmë, se ne nuk mund ta shkëpusim lidhjen me kosovarët. Në Kosovë thuajse nuk ka askënd që të mos ketë të afërm diku në Zvicër, në Gjermani apo në Austri. Lidhjet familjare janë shumë të forta. Ne e perceptojmë shpesh Kosovën si një vend të largët ekzotik. Por nuk është aspak kështu. Shumica e kosovarëve kanë lidhje diku në Gjermani, në Zvicër apo në Austri. Nëse këto lidhje duhet të ripërtërihen, atëherë duhet kujdesur, që ata që vijnë tek ne të kenë kualifikim të mirë e ndoshta të kenë mësuar edhe gjermanisht, kur të vijnë këtu. Gjermania mund të përfitojë nga një imigrim i tillë. Por për aq kohë sa ky është ilegal, ai mbetet një problem. Nëse ky emigracion legalizohet dhe vendoset mbi baza të arsyeshme, kjo është diçka e mirë. Kosova është rajoni me dendësinë më të lartë të popullsisë në Ballkan dhe asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të mbajë vetveten. Ajo ka qenë gjithmonë pjesë e një shteti më të madh dhe të shpresosh, se një ditë kjo do të ndryshojë, unë besoj, se ky është një iluzion. Imigrimi, pikërisht i djemve të rinj, ka një traditë të gjatë. Gjithmonë ka qenë kështu, që ata janë larguar dhe familjet kanë jetuar prej asaj që ata kanë dërguar në shtëpi. Sot kjo nuk është ndryshe nga sa ka qenë para 50 apo 100 vjetësh”, u shpreh Norbert Mappes-Niediek. /DW/

Lajme të ngjashme

Back to top button