Roli i Avokatit të Popullit në kontrollin e administratës në Maqedoni

Ka kohë që në vendin tonë po debatohet mbi propozim-ndryshimet në Kushtetutë dhe në ligjin mbi Avokatin e Popullit. Po cili është qëllimi i vërtetë i kësaj iniciative? Sipas shumë ekspertëve, propozuesi i kësaj iniciative përcjell mesazhin se ka ardhur koha të përmbyllet etapa e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkaq, ka një numër ekspertësh që janë të mendimit se kjo iniciativë,  në fakt,  mëton mbylljen e të gjitha “dritareve” prej nga mund të fluturojnë faktet për debalancimin permanent të përfaqësimit etnik në administratën e Maqedonisë.

Sipas propozim-ndryshimeve që e kaluan leximin e parë në Kuvend, Avokati i Popullit nuk mund të mbikëqyrë më përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në administratë! S’do mend se pesha e këtij ndryshimi ka karakter negativ për klasën politike shqiptare, sepse     tanimë është e qartë se qëllimi kryesor i “hartuesit” të këtij propozim-ndryshimi të ligjit për Ombudsmanin është fshehja e numrit të përfaqësimit të shqiptarëve në administratë.

Është e vërtetë se përqindja e shqiptarëve në institucionet e sistemit shënon rritje nga viti 2001 e këndej:  nëse ju referohemi të dhënave nga viti 2001, numri i administratorëve shqiptarë ishte diku 7 %, ndërsa tani kjo shifër arrin mbi 18 %. Edhe krahas konkurseve nga SIMO (diku nga dy brenda një viti), prapë kemi ngecje në realizimin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike jo shumicë, për arsye se edhe më tutje vazhdon punësimi i administratorëve maqedonas, ndoshta me përqindje edhe më të lartë në krahasim me administratorët shqiptarë. Ky avaz i punësimit të administratorëve maqedonas e pengon përfaqësimin e drejtë dhe proporcional, ndërsa përqindja magjike “25” vështirë se mund të realizohet!

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë se çfarë do të thotë mosfunksionimi i mekanizmave të kontrollit ndaj organeve të administratës së vendit, si p.sh. mos kontrolli i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim dhe afera e përgjimeve. Prandaj, Avokati i Popullit,  si institucion i veçantë i sistemit politik  në vend, i cili është i paraparë me Kushtetutë dhe me ligj të veçantë si institucion i pavarur me kompetencë për t’i mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, kur ato shkelen nga administrata, ka peshën e veçantë dhe është i pakrahasueshëm,  si dhe i pazëvendësueshëm me cilindo institucion tjetër në një shtet. Jo rastësisht është një nga shtyllat e atyre shteteve me një demokraci të qëndrueshme. Përveç kësaj, duhet të potencohet roli i Ombudsmanit në ndjekjen e përfaqësimit të pakicave jo shumicë në vend…

Andaj, me të drejtë mund të nënvizojmë se edhe krahas shumë strategjive për reforma dhe ndryshimeve në institucionet e vendit, sistemi politik është jostabil dhe shënon ngecje. Autoritetet qeverisëse duhet ta kenë të qartë se forcimi i mekanizmave të kontrollit nëpërmjet institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit, komisionet parlamentare, shoqëria civile dhe mediat janë në pajtim me parimet demokratike dhe kriteret e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, në rrafshin kombëtar, subjektet politike shqiptare duhet të kenë kujdes, se mos mbikëqyrja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në organet e administratës nga Avokati i Popullit do të jetë një hendikep i madh, sepse edhe krahas konkurseve të shpallura nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit,  vështirë se mund të arrijmë deri te “kuota” magjike e përfaqësimit 25%.

Po cili është qëllimi i vërtetë i iniciativës për ndryshime në Kushtetutë për sa i përket Avokatit të Popullit, sidomos në sferën e kontrollit të administratës? Sipas shumë ekspertëve, propozuesi i kësaj iniciative përcjell mesazhin se ka ardhur koha të mbyllet etapa e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkaq, ka një numër ekspertësh që ndajnë mendimin se kjo iniciativë,  në fakt,  mëton mbylljen e të gjitha “dritareve” prej nga mund të fluturojnë faktet për debalancimin permanent të përfaqësimit etnik në administratën e Maqedonisë. Sepse, përfaqësimi i realtë nuk mund të ndodhë asnjëherë (kështu siç po shkojnë punët). Punësimi i administratorëve maqedonas është shumëfish më i madh se sa punësimi i atyre shqiptarë dhe, veç kësaj, madje edhe ata që janë punësuar pjesa dërrmuese po rrinë nëpër shtëpi. Po krijohet një “komunitet i administratorëve shtëpiakë” dhe një tjetër “zyrtar”! As përfaqësimi vertikal në administratën shtetërore nuk është ai që do të ishte konform parimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Të gjitha këto anomali, pa dyshim që do t’i vërente Ombudsmani (Avokati i Popullit),  i cili edhe do të ngrejë vazhdimisht zërin, duke e luftuar këtë padrejtësi dhe këtë diskriminim etnik. Një reagim i tillë do t’i kushtonte rëndë cilido pushtet, ndërsa ky aktuali pretendon të ngelë edhe për gjatë kohë. Këtu diku është arsyeja e iniciativës që rrjedh pikërisht nga strukturat e qeverisë aktuale për sa i përket ndryshimit të Ligjit për Avokatin e Popullit dhe rolin e tij sidomos si kontroll i administratës. Nëse do të kalojë ky propozim-ligj, atëherë do të hapen të gjitha shtigjet për ndryshime permanente, deri në zbehjen totale të rolit dhe të peshës së këtij institucioni kaq të rëndësishëm për popullatën e një shteti demokratik.

Lajme të ngjashme

Back to top button