Kush janë ata që flasin pas shpine?

Përgjimet e fundit të publikuara nga opozita maqedonase, LSDM edhe një herë konfirmuan shkeljet e shumta ligjore të funksionarëve të lartë shtetëror, mes tyre shkelje edhe morale. Sociologët vlerësojnë se qeveria për të arritur qëllimet e veta ka shkelur tërësisht anën morale të saj. Sipas tyre ministrat edhe pse qenkan të vetëdijshëm se puna që u kërkohet atyre nuk është e drejtë si dhe e moralshme ata sërish vendosin të jenë pjesë e saj, dhe pajtohen me kërkesat që u vinë nga shefi i tyre.

Sociologu Ali Pajaziti thekson se në mes funksionarëve haset një krizë marramendëse të moralit, një humnerë etike.

“Ajo që u dëgjua nga regjistrimet audiale të bisedave mes politikanëve, ministrave, pra prej funksionarëve politikë konstatojmë një krizë marramendëse të moralit, një humnerë etike në të cilën janë katandisur këta prijës të popullit që demokracia i ka prurë në pozitat më të larta shoqërore prej ku gjoja se menaxhojnë me punët publike dhe për të mirën publike-kolektive, ndërsa në fakt, një pjesë e mirë e tyre punojnë për klanin e vet (partinë) dhe veten dhe interesat personale. Kemi të bëjmë me një gjendje në të cilën njerëzit të cilët s’e kanë ndërtuar vetveten, i kanë përveshur krahët që t’i zgjidhin problemet e masës, t’i kurojnë problemet sociale, ndërsa vetë kanë nevojë për kurim shpirtëror, për eticizim, për stolisje me vlera në plotkuptimin e fjalës, jo me vlera pamore, kostume, kollare, parfume, makina. Për fat të keq, kemi të bëjmë me një klikë politikanësh me zemra të zeza, më sterrë se veturat në të cilat ngjiten me shumë krekosje”, tha për Portalb, Pajaziti.

Ai shtoi se funksionarët janë shëndërruar në pakurrizorë që flasin pas shpine, ndërsa nuk e thonë troç të vërtetën.

Kemi njerëz që menaxhojnë me resorë dhe që dinë për kopilitë dhe prapë në konferenca shtypi mundohen që të shesin dokrra, sikur diskursi i shprehur nëpër audio incizimet të mos ishte i tyre. Njerëz pakurrizorë që flasin pas shpine, ndërsa nuk e thonë troç të vërtetën. Vërtet duhet t’ia ketë qëlluar autori i fjalëve se në politikë marrëzitë s’paraqesin ndonjë prapambetje mentale. Moralpolitika për politikanin e sodit është një tokë e panjohur, ai njeh vetëm interesa, benefite. Sikur ndërgjegjja e këtyre njerëzve si korrektor i brendshëm ka pushuar së ekzistuari. Në kushte normale, në një demokraci të vlerave, do duhej që moti të jepnin dorëheqje për bëmat e veta, për joparimësinë, për skandalet. Imagjinoni njeri i parë i qeverisë merret me hakmarrje, me mjete shpërthyese, dy kryeparët e qyteteve si Shkupi dhe Manastiri etiketohen për punë të paligjshme nga dy ministra të rëndësishëm dhe asgjë! S’ka përgjegjësi dhe llogaridhënie. Heshtje vdekjeje.

Edhe sociologu Nelko Stojanovski vlerëson se përveç shkeljeve të të drejtave të njeriut gjithashtu u zbulua edhe shkelje e rëndë morale.

“Për të qeverisur përveç moralit duhet edhe mjete tjera të përdorën, gjë që është normale në politikë, mirëpo me përgjimet e fundit që u publikuan po del në pah se morali ka humbur në qeverinë tonë. Ka shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje etike dhe morale në shumë aspekte. Gjithashtu jemi dëshmitarë që janë bërë shkelje edhe të nderit si dhe u vërtetua që humanizmi më nuk ekziston. Këtë gjë më së miri e dëshmon ajo që asnjë nga zërat e atyre që dëgjuan nuk thanë që është montazh apo që nuk janë dukë folur ata. Normal nuk mund të montohet një telefonatë aq e gjatë dhe aq në detaje. Mbrëmë doli ministri Zoran Stavrevski me deklaratë se janë zgjedhje të tyre ato që bëjnë mirëpo ajo nuk është deklaratë e duhur. Qeveria nuk bën vetëm gjëra të këqija ashtu siç publikohen përgjimet, mirëpo populli ka nevojë që t’i din edhe mallverzimet dhe krimet që po bëhen brenda”, tha për Portalb, Stojanovski.

Ai gjithashtu kritikoi mënyrën e shprehjes së funksionarëve të lartë, si dhe epitetet me të cilat ata u referohen kolegëve të tyre.

“Ajo që më bëri përshtypje gjithashtu ishte edhe fjalori i ndytë i funksionarëve  gjë që nuk u ka hije, si dhe epitetet me të cilat u referohen kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre ishin të nivelit më të ulët vulgar. Pas gjithë kësaj mund të vijmë në përfundim se qeveria ka shkelur tërësisht anën morale të saj”, shtoi Stojanovski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button