Maqedoni, skenaret e mundshme të krizës me ‘bomba’ dhe ‘puç-e’

Zgjidhja e situatës politike në Maqedoni e krijuar pas aferës së përgjimeve, në mungesë të një shteti juridik mund të ketë një kosto të padëshiruar për qytetarët e vendit, thonë analistët. Sipas tyre epilogu është fare i qartë, dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, për ekspertët mbetet dilema nëse  kjo zgjidhje do të arrihet pas dorëheqjes kolektive të qeverisë apo pas trazirave në rrugë.

Zgjedhjet të parakohshme të domosdoshme, por tensionet mund të jenë të rrezikshme

Analisti Suad Misini, thotë për Portalb se e ardhmja e Maqedonisë varet nga ajo se çafër ende ka për të thënë lideri i opozitës Zoran Zaev. Sipas tij nëse vazhdon me këso lloj materialesh do të forcohet ende diktatura e pushtetit, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë që të jetojnë në një shoqëri autiste, apo me një fjalë thënë, “Horor pa kufij”.

Nga e gjithë kjo Suad Misini pret një epilog të çuditshëm, sipas tij do të forcohet regjimi totalitar dhe sundimi i plotë i manipulimeve politike dhe gënjeshtrave.

Për daljen nga kriza Misini thotë se së pari patjetër duhet të ketë një zgjidhje politike.

“Me institucionet aktuale nuk mund të ketë zgjidhje të problemeve. Qeveria me siguri do të mundohet që të keqpërdor rregullimin juridik të shtetit dhe do të rrumbullakoje disa procedura dhe ato do të jenë inteligjent edhe në shkeljen e të drejtave të njeriut”, thotë Misini.

Misini thotë se nëse Zaev vazhdon të ngrejë tensionet me zbulime më dramatike, situata mund të shkojë më ndryshe.

“Duket  qartë se asnjë nga qeveritarët nuk do të japë dorëheqje, por në një situatë të tensioneve në rritje është e mundur që e gjithë qeveri të tërhiqet. Kjo do të thotë votim për një qeveri të re, por kjo është pak e mundur se nuk do të ketë legjitimitet”, thotë Misini.

Sipas tij patjetër do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe atë shumë shpejt, por deri atje do të shkohet me shumë tensione që mund të destabilizojnë vendin për të cilën pushteti tashmë ka skenarë të përgatitur.

Gjendja politike do të imponojë dorëheqjen e domosdoshme të qeverisë

Eksperti i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu thotë për Portalb se duke marrë parasysh dimensionin  krizës aktual politike patjetër që të ketë një zgjidhje.

“Qeveria sa do që të mundohet që të relativizojë situatën politike në të cilën është futur vendi pas përgjimeve nuk do të mund që t’ia arrijë qëllimit”, thotë ai.

Sipas tij gjyqësori është i përfshirë në këto devijime dhe nuk mund të presim që ata të zgjidhin krizën pa bërë ndryshime rrënjësore.

“Situata në të cilën ndodhemi është tipike me rënien e sistemit të sigurisë dhe në këto rrethana duhet të krijohet një qeveri teknike e cila duhet të përgatisë terrenin për dalje nga kriza. Parlamenti nuk mund të vazhdojë punën me këto devijime dhe deputetët duhet që të thirrin seancë për votëbesimin e qeverisë”, thotë Kadriu.

Sipas tij, afera e përgjimeve dhe veprat e  rënda penale që dalin nga to e bëjnë përgjegjëse qeverinë e cila duhet patjetër që të jap dorëheqje dhe më pas të rishikohet i gjithë emërimi i gjyqtarëve dhe Prokurorit, për t’i hapur rrugë një gjyqësie efikasë që do të procedojë më këto kallëzime penale.

Sipas Kadriut, qeveria nuk mund të mbetet indiferente ndaj shkeljes së të drejtave themelore të qytetarëve, pasi ata kanë të drejtë ligjore që të padisin qeverinë për përgjimet që u janë bërë.

“Tani për tani qeveria mundohet të qëndrojë me dhunë, por situate do tu imponojë nevojën e dorëheqjes”, thotë Osman Kadriu.

Kokëfortësia e Gruevskit dhe Ahmetit mund të shtojë rrezikun për trazira

Analisti Xhelal Neziri mendon se epilogu i krizës aktuale politike në vend do të jetë ulja e palëve në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, për të arritur një marrëveshje konkrete për dalje nga kriza.

Sipas tij dilema mbetet nëse kjo zgjidhje do të arrihet pas dorëheqjes kolektive të qeverisë apo pas trazirave në rrugë.

“Nuk përjashtohet edhe mundësia e përshkallëzimit të gjendjes në rrafshin ndëretnik apo ndër fetar. Mendoj se Gruevski, ministrat e tij dhe të partnerëve të koalicionit do të presin qe Zaev t’i publikojë të gjitha bombat, që më pastaj të fillojnë një zgjidhje gjyqësore të krizës.   Pasi pamë se  si funksionon drejtësia në Maqedoni, mund lehtë ta parashikojmë edhe epilogun. Por mendoj se kokëfortësia e Gruevskit dhe Ahmetit përballë bombave të opozitës vetëm se do të shtojë deponimin anti-qeveritar te të gjithë qytetarët, i cili mund të shpërthejë nëpërmjet trazirave të rrezikshme për qytetarët dhe shtetin”, thotë Xhelal Neziri. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button