Luran Ahmeti: punoni shumë dhe punoni me devotshmëri (Intervistë)

Lurani është nga shqiptarët e rrallë që punon shumë për vizionet dhe ëndërrat e veta. Edhe pse ne mendojmë se ai ka arritur kulmin, ai në intervistë na thotë se ka edhe shumë për të dhënë. Lurani është brend i shqiptarëve nëpër botë dhe kjo na bënë krenar. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani

Luran, ju keni aktruar në filma të ndryshëm me aktor të nacionaliteteve të ndryshme. Çka i bashkon dy aktor me nacionalitet të ndryshëm?
Dy aktor të nacionaliteteve të ndryshme i bashkon puna, dëshira për sukses, këndvështrimet e njejta në pune…

Së fundmi ju jeni duke aktruar në serialin O sa mirë, një projekt mbarë kombëtar që me plot kuptimin e fjalës them se na ka bashkuar humorin. A mendoni se suksesin e serialit O sa mirë shqiptarët mund ta zbatojnë edhe në elementet tjera të jetës? Si shembull mund ta marrim arsimin. A është kjo e mundur?
Me sa di ka pasur nisma të tilla, me abetaren e unifikuar, që është një projekt shumë i bukur, sa po realizohet nuk e di, por shpresoj qe po. Por për arsimin mbarëkombëtar para bashkëpunimit duhet të vijë një herë “pastrimi” nga antivlerat, korrupcioni  dhe kuadrot arsimore jo adekuate që gjithandej më duket që janë me shumicë, dhe besoj që për të ardhur deri te ky “pastrim” duhet shumë kohë, për shkak se e kemi të “përlyer” shumë. Gjithsesi unë jam optimist, mendoj se ca gjëra do të filtrohen vetiu dhe se si do të shkojë koha çdo gjë që përfaqëson antivlerë si në arsim si çdo kund te kombi yne “ka për tja hëngër kokën vetes” dhe kështu do te fillojmë të ecim para. Te “O sa mirë…” ka një bashkepunim të mrekullueshëm, kolegialitet të mrekullueshëm, mikpritje jashtzakonisht të mirë dhe shume punë të sinqertë, besoj se si rezultat i kësaj edhe seriali është i suksesshëm. Kur të fillojnë institucionet të sherohen nga korrupcioni dhe të bashkëpunojnë dhe të punojnë shumë do ta kenë suksesin e merituar, shpresoj të mos vonojë.

Çka do të luajë Lurani në vitin 2015?
Po vazhdoj te “O sa mirë…” dhe jam i lumtur për këtë. Kemi shfaqjen “Gjymtimi” në repertoar, dhe poashtu do ta luajmë në disa festivale, ndërkohë besoj që do të ketë edhe projekte të reja për të cilat nuk mund të flas që tani.

Si arritët të shfaqeni në filmat në Turqi?
Një shok i imi më propozoi te producentët që benin një serial që do xhirohej në Manastir, bëra audicionin e më pranuan, dhe kështu filloi karriera andej

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?
Jo shumë, por kam mësuar se puna është i vetmi “motor” që e mban të gjallë njeriun. Dhe kam mësuar të luftoj deri në fund, mos ta lë veten pa punë. Kam mësuar që jeta pa shoqëri të mirë nuk shtyhet, dhe kam mësuar se i vetmi vend ku të duan pa rezervë dhe pa kompromis dhe do të bënin çdo gjë për ty është aty ku e ke familjen. Gjëja më e rëndësishme në jetë është familja.

Si i hapni perspektivat për jetë dhe sukses?
Me shumë punë! Dhe ti mbani sytë hapur, kur t’u ipet mundësia ti rrekeni punës pa hezitim dhe ta shfrytëzoni mundësine e dhënë…

Cili është sekreti juaj i suksesit?
Kur do ta arrij suksesin që pretendoj apo që dëshiroj atëherë do t’ua them… Për momentin vetëm po punoj dhe po kënaqem me shoqëri punë e me familje…

Kush e ka fajin për pa punësinë që aktualisht në Maqedoni është mbi 35%?
Kush? Politika, korrupcioni, gënjeshtrat, qeveria…

Çka mendoni për televizionin si media? Si mund të rinjët të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?
Është definitivisht arma më e fortë e të sotmes. Propaganda e bërë mirë ndrron kahjen e zhvillimit të komplet kombeve e civilizimeve. Mjet i propagandës është telvizioni. Do të këshilloja që të rinjtë të mos zhvilloheshin me televizion por me punë, me zhvillim në arsim… Mendoj se televizioni ka efekt të kundërt dhe të rinjtë duhet ta shohin pak dhe vetëm për relaksim…

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjëve?
Asgjë nuk do të kisha ndryshuar, përveç ndoshta të kisha kujdes mos të shtoja kaq në peshë… Këshilla e vetme është të zgjidhni profesionin që doni dhe punoni shumë dhe punoni me devotshmëri në atë profesion, dhe asnjëherë mos e harroni familjen.

Si duhet të veproj një i ri i pa punë?
Të mos dorëzohet deri sa të gjejë punë… Të luftojë  çdo gjë që i del përpara, qoftë edhe sistemin, deri sa të gjejë punë.

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?
Autori im i preferuar shqiptar është Ridvan Dibra. Filmi… Çdo film më pëlqen shumë, kam aq shumë filma që më pëlqejnë sa që do të më duhej të beja një listë shumë të gjatë… Të them kështu, çdo film që e ka të qartë se çfarë thotë në skenar, çdo realizim i mirë i këtij skenari, dhe çdo film që nuk pretendon me dhunë të shfaq “art” sepse arti del nga thjeshtësia jo duke u munduar ti ngatërrosh gjërat që tenton ti thuash.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button