Irani kundërpërgjigjet: Propozimi i Obamës, i papranueshëm

Irani ka refuzuar menjëherë si të “papranueshme” kërkesën e presidentit amerikan Barack Obama për të ngrirë aktivitetet e ndjeshme bërthamore për të paktën një dekadë, por është i gatshëm të vazhdojë bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje sigurie, raporton agjencia iraniane e lajmeve “Fars”.

“Irani nuk do të pranojë kërkesa të tepruara dhe të palogjikshme”, është cituar të ketë thënë ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, sipas agjencisë “Fars”. “Qëndrimi i Obamës është shprehur nëpërmjet frazave të papranueshme dhe kërcënuese”, raportohet të ketë thënë ai, duke shtuar se negociatat që po zhvillohen në Zvicër duhet të vazhdojnë e të mos ndërpriten.

Zarif dhe kryediplomati John Kerry janë ulur sërish, për të dytën ditë radhazi, për të biseduar, vetëm pak orë pasi Obama ishte shprehur për “Reuters” se Irani duhet të angazhohet për ndaljen e verifikueshme për të paktën 10 vjet të aktiviteteve bërthamore, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje historike bërthamore.

Synimi i negociatave është të bindin Iranin të frenojë programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, të cilat kanë gjunjëzuar ekonominë e Republikës Islamike të mbështetur kryesisht në eksportin e naftës.

Shtetet e Bashkuara dhe disa prej aleatëve të tyre, veçanërisht Izraeli, dyshojnë se Irani po përdor programin civil bërthamor si një mbulim të zhvillimit të aftësive për prodhimin e armëve bërthamore. Irani e mohon këtë, duke thënë se programi është vetëm për qëllime paqësore, si gjenerimi i elektricitetit.

Kerry dhe Zarif u takuan në Montreux të Zvicrës, ndërkohë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëhet gati të kritikojë ashpër diplomacinë, në fjalimin që do të mbajë para Kongresit në Uashington. Pavarësisht tonit të ashpër të citimeve të Zarifit, sipas “Fars”, diplomati iranian përdori një ton më të zbutur kur foli për reporterët, menjëherë pas bisedimeve dyorëshe me Sekretarin Kerry.

I pyetur nëse dy palët kishin arritur ndonjë akord, Zarif u përgjigj se “do të përpiqemi, ndaj jemi këtu”.

“Ekziston një seriozitet mbi faktin që ne duhet të ecim përpara. Duke qenë se i kemi thënë të gjitha, tashmë duhet të ofrojmë dëshirën dhe vullnetin politik të nevojshëm për të kuptuar se e vetmja rrugë për të ecur përpara është përmes negociatave”, shtoi ai.

Duke folur pas raundit të bisedimeve të mëngjesit, Kerry tha për reporterët se “jemi duke punuar në një mënyrë produktive”.

Dy palët kanë vendosur një afat skadence në fund të muajit mars për të arritur një marrëveshje kuadër, ndërsa afati i qershorit të këtij viti do të jetë përfundimtari për një marrëveshje gjithëpërfshirëse zgjidhjeje, e cila do të frenonte aktivitetin bërthamor të Iranit, në mënyrë që vendi islamik të mos prodhojë armë bërthamore. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button