PËR TY

Rrezet e diellit mëngjesor hynë në dhomë. Rafte me libra në mure, në një kënd, e ndriçuar drejtpërdrejtë nga dielli që hyn nga dritarja, një tavolinë shkrimi me një turrë të dyanshme librash.

Hapa sytë e lëbyrur, dhe në çaste imagjinata mu ndez, dhe përfytyrova fytyrën  e saj engjëllore.

Do të të njoh që në momentin e parë që do të të shikoj në fotografi. Oh po, flokët e tua, ndoshta, nuk do të kenë ngjyrën e verdhë që unë gjithmonë kam imagjinuar, ndoshta do të jenë të shkurtër që të nxjerrin në pah vëthë të çmuar. Por gjithsesi, unë përsëri do të të njoh. Sepse sytë e tu janë të pangatërrueshëm, janë unikë dhe qiejt që ato pasqyrojnë, janë qiej të një bote tjetër, qiej të një bote të qetë, të thellë e të pashkelur ndonjëherë më pare.

E di? Do të ta them këtë gjë, kur të të takoj. Po, do të ta thëm. Kur të të njoh në fotografi, kur të kuptoj se më në fund edhe shpirti im do të gjejë qetësi sepse tani ka gjetur atë që ishte duke kërkuar, do të vij dhe do të të takoj.

Do të blej një tufë me trëndafila të kuqe. Lule të freskëta. Oh, do e kem të vështirë të them fjalën e parë: asnjëherë nuk jam shquar për komunikim. Por do jenë trëndafilat që do të mbaj në dorën e majtë që do të thonë fjalën e parë. Ti do të buzëqeshësh, do të shikosh lulet dhe do të pyesësh se për kë janë.

Do të të them se ti je ajo që unë kam kërkuar gjatë gjithë jetës sime, se ti je fati im më i madh. Do të buzëqeshësh, ndoshta edhe do më kërkosh ndjesë, gjë që unë do ta prapësoj, sepse natyrisht, ti nuk ke përse kërkon ndjesë. Jo mua.

Pastaj do të vendosësh lulet mbi një tavolinë. Do të nxjerrësh prej çantës një paketë të shtypur. Do të ndjek me vëmendje çdo lëvizje tënden, do të rrëshqas vështrimin tim mbi format e trupit tënd, pastaj do të përqëndrohem tek buzët e tua të kuqe teksa do nxjerrin jashtë tymin e cigares. E kur të ngre sytë tek sytë e tu, ata do më buzëqeshin dhe do më ftojnë në botën e tyre.

Do të të afrohem. Do të të marr dorën dhe do të ta fshik me një të puthur. Do të të kërkoj të vallëzosh me mua.

Kur të mbarojë vallëzimi, ti do marrësh çantën tënde, do marrësh edhe lulet dhe do më udhëheqësh jashtë. Por jashtë, në ajërin e pastër të natës, vallëzimin do e udhëheq unë.

Do të të hedh dorën rreth belit. Do të të afroj buzët tek veshi dhe do të të pëshpëris lumturinë time që më në fund të gjeta.

Të nesërmen, do shkoj të marr edhe pjesën tjetër të honorarit tënd dhe do të shkoj ne pushime. Dhe, oh, jam i sigurtë se kësaj here do të bëj pushimet më të bukura të jetës sime. Dhe a e di se kujt do ia dedikoj këto pushime?

Ty.

 Eroll Velija

Lajme të ngjashme

Back to top button