Në USHT u prezantua projekti “Noterët dhe efikasiteti i shërbimeve të noterisë

Në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës u prezantua projekti kërkimor-shkencor “Noterët dhe efikasiteti i shërbimeve të noterisë në fushën e drejtësisë civile”. Dekani i Fakultetit Juridik,  Ferat Polisi vlerësoi se fakulteti që ai e drejton gjithmonë prioritet i jep punës kërkimore-shkencore. “Fakulteti Juridik po e kultivon në vazhdimësi një politikë për inkurajimin dhe mbështetjen e projekteve dhe punëve kërkimore-shkencore të studentëve në studimet pasdiplomike Master, të bashkëpunëtorëve dhe mësimdhënësve.

“Me këtë projekt është kultivuar ushtrimi i veprimtarisë shkencore dhe mësimdhënies akademike, si dhe është kultivuar bashkëpunimi kërkimor në mes të universitetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, në rastin konkret, Noterët, Agjencitë për kadastër të patundshmërive dhe gjykatat e vendit”, tha Prof. dr. Ferat Polisi, dekani i Fakultetit Juridik.

Projekti “Noterët dhe shërbimet e noterisë në fushën e drejtësisë civile” është i dyti me radhë që realizohet nga ana e studentëve të studimeve pasdiplomike Master. Sipas udhëheqësit të këtij projekti, Agim Nuhiu vlerësoi se ky projekt ka pasur për qëllim të nxjerr në pah efikasitetin e punës së noterëve në Maqedoni.

“Krijimi i shërbimeve të noterisë pozitivisht ka ndikuar në funksionimin e përgjithshëm të sistemit juridik, përkatësisht të pushtetit gjyqësor, sidomos për qarkullimin juridik dhe ekonomik, në shkëmbimin e mallrave dhe dhënien e shërbimeve, në zhvillimin e procedurave jokontestimore në fushën e rregullimit të megjeve, në ndarjen e trashëgimisë, në fushën e përmbarimit”, deklaroi Agim Nuhiu.

Të dhënat statistikore të cilat i prezantuan studentët Natmir Aliti, Shasime Halili, Nazmi Hani, Emin  Fetai, ishin të marra nga Gjykatat themelore të qyteteve Strugë, Kërçovë,  Gostivar, Tetovë dhe Kumanovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button