Rrëfimi i gruas që u dhunua nga paramilitarët serbë (Video)

Një grua, e cila për 16 vjet heshti para familjes dhe para medieve për dhunimin që iu bë gjatë luftës nga forcat paramilitare serbe, ka vendosur të flasë sot.

Ajo qëndroi dy javë e mbyllur nga frika se do të identifikohej pas nismës së peticionit “Drejtësi për gratë e dhunuara”.

Ajo arsyetohej duke thënë se “deklaratat e mia do t’i dëmtojnë shumë gra që kishin plagën e njëjtë”.

Por, ajo më në fund vendosi të flasë para kamerës së RTV21.

“Ka ndodhur në 1999, kemi qenë refugjatë, na kanë ndalur paramilitarët. Ne kemi qenë afër 30 persona dhe na kanë mbajt në një shtëpi tre ditë. Kanë qenë paramilitarë me maska. Jemi munduar që ta mbrojmë njëra tjetrën por s’kemi pasur fuqi”, thotë ajo.

Kjo grua rrëfen se bashkëshorti i saj nuk di për rastin e përdhunimit sepse ka frikë se do ta dëbojë nga shtëpia.

“Bashkëshorti nuk e di. Ne nuk kemi fuqi për të treguar të vërtetën që na ka ndodhur sepse mendojmë se do të na largojnë nga shtëpia”.

“Gjëja më e vështirë për një femër është përdhunimi. Më mirë është vdekja. Ajo ndihet e turpëruar, e pafuqishme për tërë jetën”, tha ajo për RTV 21.

Lajme të ngjashme

Back to top button