Bombat bëjnë të prekshëm krimin ekonomik, virusin kryeneç të Qeverisë

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev shpalosi edhe ‘bombën’ e gjashtë me radhë në të cilën u publikuan disa biseda në mes ministres së brendshme Jankullovska dhe ministrit të Financave, duke treguar për vështirësitë me mjetet buxhetore, vështirësitë në grumbullimin e tyre.

Ekonomisti Iljasa Salihu vlerëson në këtë rast se krimi ekonomik është një virus kryeneç i strehuar mirë në trungun e shoqërisë dhe shtetit të Maqedonisë.

“Shohim dhe bindemi për çdo ditë se krimi ekonomik është një virus kryeneç i strehuar mirë në trungun e shoqërisë dhe shtetit të Maqedonisë. Shohim se përmes formave të krimit ekonomik varfërimi i përgjithshëm lehtas shkëmbehet me pasurim vetjak. Në të tilla mjedise, pra jo vetëm në Maqedoni, gjithnjë e më të thella bëhen hendeqet mes shtresave ekonomike dhe shoqërore. Papunësia rritet, rrogat e pak atyre të punësuarve bien për ta mbuluar ndonjë mallverzim financiar të kryer prej krerëve të shtetit dhe vetë siguria e shtetit vihet përpara shpatave tejet të mprehta.  Nëse shkurtimi i rrogave dhe thirrja për kursim të mjeteve financiare në gjëra të domosdoshme, siç është rasti me rrymën elektrike dhe karburantet që rëndom shpenzohen nëpër ministri gjegjëse, flet dhe dëshmon një katrahurë të qartë ekonomike dhe politike në vend. Për më keq, në gjithë këtë strumbullar të thatë, na rrënohen edhe shpresat për përmirësim, kur shohim të pasurohen marramendësisht krerët drejtues të këtyre institucioneve të rëndësishme të shtetit, kuptohet me gjithë shpurën e tyre”, tha për Portalb, Salihu.

Ai shtoi se është dëm i madh që kjo shpurë udhëheqëse kaq shumë harxhon para për gjëra që gjenerojnë vetëm probleme dhe siguri për një varfëri të sigurt

“Gjithsesi, publikimet e përgjimeve të fundit nuk janë gjë tjetër, pos një vërtetim i atyre gjërave që edhe më herët i dinim dhe i thoshim, por jo kaq hollësisht, mbase jo edhe prej vetë aktorëve të kësaj katrahure ekonomike dhe politike. Tani vetë ata folën për njeriun e tyre se si i paskësh fryrë faturat e shpenzimeve. Vetë  ata thanë se merret kredi prej institucioneve ndërkombëtare për ngritjen e përmendoreve dhe ndonjë projekt tjetër kulturor krejt i kotë në qerthullin e kësaj varfëria të lemerishme. Vetë ata thanë se tenderi mund të bëhet krejt paligjshëm, po ashtu prej atyre që duhen të jenë shëmbëlltyrë për zbatimin e ligji. Më vjen keq se kreditë e pranuara në këtë qeverisje të kapërthyer prej krimit ekonomik, do t’i rëndojnë edhe supet e brezit pasardhës, kur dihet mirëfilli se kreditë nuk janë marr për ndonjë investim kapital që në të ardhëm do të gjeneronte të ardhura ekonomike dhe financiare, por janë marr për ta përballuar sa më qetë dhe më mirë shumën rreth 500 milionëshe për projektin “Shkupi 2014” i cili zyrtarisht është financuar prej buxhetit të shtetit, projekt ky i cili nuk është i dëmshëm vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë historik, kulturor dhe një mollë sherri edhe për të ardhmen. Është dëm i madh që kjo shpurë udhëheqëse kaq shumë harxhon para për gjëra që gjenerojnë vetëm probleme dhe siguri për një varfëri të sigurt. Këta po të dinin ta ndërtonin njerëzinë si duhet në vend të ndërtimit të gjithë atyre përmendoreve, sigurisht se sot nuk do të flisnim për krimin ekonomik si zemër dhe palcë kurrizore e Maqedonisë”, shtoi Salihu

Analisti politik Mersel Bilalli thekson se është nevoja e regjimit për shpërlarje parash,e cila më së lehti bëhet në ndërtimtari, përmes fyerjes së projekteve.

“Këtë çështje duhet trajtuar nga dy kënde. E para është nevoja e regjimit për shpërlarje parash,e cila më së lehti bëhet në ndërtimtari, përmes fryrjes së projekteve, përmes anekseve të shumta, të drejtave të autorit, zgjidhjeve ideore etj. Pra , harxhoni para të shumta duke ndërtuar objekte vizuelisht grandioze, pa brendi, pa esencë dhe pa logjikë. Porsa më të mëdha të jenë objekte të tilla aq më të vegjël duken njerëzit. Në këtë shtet të përmendoreve më mirë të jesh përmendore se sa njeri. E dyta,ka të bëjë me psigjikën anomalike, ndoshta një ndjenjë e brendshme utopike për imitacion të Aleksandrit të madh. Apo nevojë shpirtërore e personave të vegjël që të krijojnë histori të madhe”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se në të gjithë këtë janë harxhuar mbi gjysmë miliardë euro, por, në histori kemi pas shumë raste kur, janë çuar përmendoret që t’i rrëzojnë njerëzit, por mandej janë çuar njerëzit që t’i rrëzojnë përmendoret.

Ndërkaq nga ana tjetër analisti Naser Zyberi thekson se kriza politike në vend vetem se po shkon e po thellohet dita ditës shumë e më shumë.

“Nuk është  për tu habitur ky seria i shpalosjes së përgjimeve. Ashtu edhe siç pritej secila ‘bombë’ është më dramatike se tjera. Me këtë që dëgjuam sot normalisht që thellohen ende më shumë kriza politike në vend. Lideri i opozitës Zoran Zaev kalkulon në dorëzimin e materialeve të përgjimeve me qëllim që të mos destabilizohet gjendja në vend. Kjo që dëgjuam është një dëshmi e raportit të acaruar brena partisë në pushtet, gjegjësisht mes ministrave të dy resorëve me të rëndësishëm dhe kryeministrit. Kjo asocon në ftohje të raporteve, ku vetë ministrat e kritikojnë iracionalitetin e skajshëm të kryeministrit Gruevski”, tha për Portalb, Zyberi.

Ai shtoi se për rastet e montuara gjithashtu pritet të dalin proceset gjyqësore, të cilat dukshëm janë nën presionin e ekzekutivit.

“Sa i përket pjesës që prek shqiptarët, domethënë rasteve të montuara, Zaev tha nuk ka material ku është porositur ndonjë vrasje, mirëpo ka materiale lidhur me këtë çështje, ku unë besoj se është procedura gjyqësore e rasteve, pasi që kohë më parë u publikuan gjithashtu edhe përgjimet ku dëshmohej se si ekzekutivi ushtron presion mbi gjyqësorin”, shtoi Zyberi.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button