AIPAC, Netanyahu: Me SHBA-të jemi një familje

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, foli përgjatë konferencës së përvitshme të AIPAC në Uashington, gjatë së hënës, duke mburrur forcën e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, pavarësisht raportimeve të fundit për tensionim të tyre për shkak të çështjes së armëve bërthamore të Iranit.

“Raportimet për dështimin e marrëdhënieve Izrael-SHBA jo vetëm që janë të parakohshme, por janë tërësisht false”, tha ai përpara 16 mijë pjesëmarrësve në konferencën e lobit të fuqishëm proizraelit. “Aleanca jonë është më e fortë se kurrë më parë”, tha ai.

Netanyahu falënderoi mes të tjerësh edhe të dërguarin e Izraelit në SHBA, Ron Dermer, “një person që di shumë mirë sesi të përballojë valët e të nxehtit”. Dermer është shënjestruar gjerësisht se ka ndihmuar në mbajtjen e fjalimit kontrovers të Netanyahut në Kongresin amerikan, të parashikuar për ditën e martë, së bashku me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner. Shtëpia e Bardhë është irrituar së tepërmi, për shkak se fjalimi i tij në Kongres është organizuar pa koordinimin e presidentit të SHBA-ve, Barack Obama.

“Fjalimi im nuk ka pasur aspak synim të ofendojë apo të mos respektojë presidentin Obama, apo zyrën e shumëvlerësuar që ai drejton aktualisht”, tha Netanyahu. “Kam respekt të madh për të si individ, por edhe për postin që përfaqëson”.

Ai tha se “vlerëson thellësisht” gjithçka që Obama ka bërë për Izraelin gjatë mandateve të tij si president i Amerikës.

Netanyahu shtoi se çështja kryesore e fjalimit nuk është kthimi i Izraelit në një çështje “partiake”. Si presidentët demokratë, ashtu edhe ata republikanë, por edhe kongresmenët kanë punuar së bashku prej kohësh për ta bërë Izraelin një partner strategjik, theksoi ai.

Qëllimi i adresimit përpara Kongresit është për të folur hapur në lidhje e kërcënimin iranian, kryesisht ndaj ekzistencës së Izraelit, tha Netanyahu.

Kryeministri shfaqi një hartë që tregon shtrirjen e mbështetjes iraniane për terrorizmin anembanë globit. Ai tha gjithashtu se një Iran me armë bërthamore do të mund të bënte realitet dëshirën e hershme të Teheranit për të shkatërruar shtetin e Izraelit.

“Nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha ai. “Kurrë më”, populli hebre nuk do të jetë pasiv përballë kërcënimeve për asgjësimin e tyre. “Ato ditë kanë marrë fund”. Ai tha po e theksonte këtë çështje, këtë kërcënim të hapur, përpara se të jetë shumë vonë për të reaguar.

“Sot kemi mundësinë e të shprehurit, ndërsa nesër, si kryeministër i shtetit të vetëm hebre, kam planifikuar ta shfrytëzoj këtë të drejtë shprehjeje përpara Kongresit”, tha ai.

Izraeli dhe SHBA-të kanë rënë dakord mbi nevojshmërinë për të parandaluar krijimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit, tha Netanyahu, gjithsesi dy vendet respektive kanë mospajtime në lidhje me rrugën më të mirë për ta parandaluar diçka të tillë, shtoi ai.

Ai citoi shembujt gjatë të cilave Izraeli ka mundur të mbrojë vetëveten ndaj kërcënimeve ekzistenciale, madje edhe në rastet kur mënyra sesi është mbrojtur vendi hebre ka qenë në mospajtim me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, marrëdhënia është rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë, pretendoi Netanyahu. Vlerat që Izraeli dhe SHBA-të ndajnë janë më të fuqishme sesa çdo mosmarrëveshje që i ndan këto vende, shtoi më pas ai.

Udhëheqësi izraelit tha se pavarësisht faktit që situata në Lindjen e Mesme po përkeqësohen drejt “barbarizmit”, Izraeli mbetet në shtet demokratik që respekton minoritetet fetare dhe gratë.

“Në një Lindje të Mesme të errët, të egër dhe të dëshpëruar, Izraeli është pishtar i ndriçimit, humanitetit dhe shpresës. Izraeli dhe SHBA-të janë si një familje”, jo thjesht miq, deklaroi Netanyahu, i cili shtoi se mosmarrëveshjet brenda familjes janë të pakëndshme, por ajo që e bashkon familjen është më e rëndësishme. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button