Rikonstruim të Qeverisë për të amortizuar aferën e përgjimeve

Në Maqedoni nuk po përjashtohet mundësia e ndryshimeve të kabinetit qeveritar nga ana e kryeministrit Nikola Gruevski.

Kjo bëhet e ditur sot nga gazeta “Utrinski” e cila shkruan se sipas informacioneve të qarqeve të politikës, kryeministri Nikola Gruevski mund të shkojë në riformatim të kabinetit qeveritar, për siç thuhet amortizimin e presioneve nga opinion lidhur me aferën e përgjimeve.

Siç shkruan gazeta, në listën e zyrtarëve të parë që do të shkarkoheshin do të ishin ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska dhe ministri i Shëndetësisë, Nikola Todorov.

Kryeministri Nikola Gruevski javën e kaluar i pyetur nga deputetët se a do të jap dorëheqje ministrja e Brendshme pas aferës së përgjimeve deklaroi se duhet të shihet se çfarë ka ndodhur, cilët janë analizat dhe më pas të sillet vendim.

Gruevski nga ana tjetër ka përjashtuar çdo mundësi për dorëheqjen e tij.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve gazeta përmend edhe ndërrimin e kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe se siç thuhet nuk përjashtohet mundësia që ky post ti takojë partisë shqiptare BDI.

Sipas gazetës, në BDI ndër ministrat që do të jenë në listën e atyre që duhet ndërruar janë ministri i Arsimit, Abilaqim Ademi dhe nuk përjashtohet edhe mundësia e largimit të ministrit të Ambientit jetësor, Nuran Izairi.

Edhe kjo javë pritet të jetë vendimtare lidhur me zhvillimet aktuale dhe tensionet në skenën politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button