ANALIZË: Kriza politike do ta rrënojë gjithë sistemin?

Besimi te institucionet është shkatërruar, ndërsa pa zgjidhje të shpejtë të krizës politike do të vihet në pikëpyetje edhe funksionaliteti i sistemit, konsiderojnë një pjesë e analistëve. Bomba politike e LSDM-së opozitare dhe materialet e publikuara nëpërmjet “Youtube”-it për Ljube Boshkovskin dhe biseda e kryeministrit me liderin opozitar Zaev në kabinetin e kryeministrit, e treguan jo vetëm dobësinë e sistemin, por edhe keqpërdorimin e mekanizmave për përgjim, sqarojnë njohësit e rrethanave dhe theksojnë se pasojat do të jenë afatgjate dhe se askush nuk do të kursehet nga mbajtja e përgjegjësisë.

Luhatet besimi te institucionet…

Kriza politike në Maqedoni rrezikon ta rrënojë gjithë sistemin dhe për këtë arsye nevojitet zgjidhje e shpejtë, konsideron profesori Sami Bislimi.

“Në kushte të krizës politike besimi i qytetarëve dhe i komunitetit afarsit te institucionet bie, dhe në qoftë se situata nuk zgjidhet së shpejti, atëherë vihet në pikëpyetje jo vetëm shkalla e funksionalitetit, por edhe ekzistimi i tyre. Atëherë sistemi shkatërrohet nga brenda, gjë që nuk duhet të lejohet të ndodhë”, thotë profesori Bislimi.

Besimi te institucionet edhe deri tani ka qenë i luhatur, ndërsa qytetarët me përkatësi etnike shqiptare tashmë një kohë të gjatë dyshojnë në kapacitetin dhe objektivitetin e institucioneve shtetërore, thotë politikani Abedin Zimberi.

“Tashmë janë lodhur edhe maqedonasit edhe shqiptarë, të gjithë duan ta dijnë të vërtetën. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur besim te institucionet për shkak se vazhdimisht ka pasur raste të montuara ku njerëzit kanë përfunduar në burg, disa edhe me dënime të përjetshme. Që të kthehet besimi te shqiptarët, duhe të rishqyrtohen të gjitha rastet dhe të lirohen të pafajshmit dhe të burgosen fajtorët”, konsideron Zimberi dhe sqaron se nëse LSDM-ja opozitare dëshiron që të kthehet besimi te institucionet duhet t’i publikojë edhe materialet që kanë të bëjnë me politikanët shqiptarë.

“Shqiptarët janë të gatshëm ta japin dorën e pajtimit dhe të fillojnë prej zeros, pra kjo krizë mund të sjellë gjëra të mira, mirëpo mund të sjellë edhe konflikt. Kjo varet nga ajo nëse udhëheqësi i ardhshëm do të nënshkruajë marrëveshje drejtpërdrejt me popullin shqiptar, e jo me politikanët shqiptarë. Zaevi duhet të mendojë shumë me kujdes për ardhmërinë e Maqedonisë, e nëse mendon se Maqedonia do mbetet si shtet pa shqiptarët, atëherë do të bëjë gabim edhe më të madh se Gruevski. Zaevi duhet t’i pastrojë politikanët shqiptarë që kanë qenë pjesë e aferave të Gruevskit, duke bërë koalicion publik me BDI-në dhe koalicion intim me PDSH-në. Të gjithë duhet të fillojmë nga fillimi. Turp është që dy milionë njerëz të ndahemi dhe vazhdimisht të frikësohemi nga njëri tjetri”, konsideron Zimberi.

Komuniteti afarist është i brengosur…

Investitorët tashmë i dërguan sinjalet e para, dhe para se të vendosin t’i investojnë paratë në vend, pyesin se çka është duke ndodhur. Këtë e thonë një pjesë e biznesmenëve që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me investitorët e huaj.

“Çdo shqetësim i këtij lloji ka ndikim mbi çdo shtet, gjegjësisht mbi ekonominë e saj. Ne kemi qenë dëshmitarë të tronditjeve të këtilla edhe në disa vende fqinje të cilat nuk kanë qenë imune ndaj situatave të këtilla. Në terren vendor, kompanitë tona u mësuan me gjendjet e këtilla, mirëpo kjo nuk do të relfektohet njësoj edhe mbi investitorët e huaj, gjegjësisht, për fat të keq, ndikimi te ata do të jetë shumë i keq, madje kemi momente, e kam fjalën për një takim konkret që e kam pasur unë me një investitоr konkret që donte të të investojë në zonën e lirë ekonomike në Tetovë, i cili u tërhoq nga qëllimi i tij për të investuar për ndonjë kohë më të mirë, që është pasojë e drejtpërdrejtë e gjendjes në vend”, thotë afaristi Menderes Kuçi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore të Maqedonisë.

Se gjendja politike mund të ndikojë negativisht mbi ekonominë, theksoi edhe kryeministri Nikolla Gruevski.

“Se Maqedonia është izoluar ndërkombëtarisht është diçka që përpiqet ta prezantojë kundërshtari ynë. Kjo nuk është e vërtetë dhe koha do ta dëshmojë këtë. E njëjta gjë u plasua edhe në vitin 2008, pas samitit të NATO-s, dhe siç kalonte koha, u pa se kjo nuk është e vërtetë”, vlerësoi kryeministri dhe sqaroi se investitоrët e huaj tashmë janë interesuar për atë se çka ndodh në Maqedoni.

“Gjithsesi se ka ndikim negativ mbi investitorët dhe një pjesë prej tyre u paraqitën me shqetësim të pyesin se çka në të vërtetë është duke ndodhur. Pikërisht kjo ndodhi me një kompani e cila interesohej te ministrat tanë se çka është duke ndodhur dhe se a munden të vazhdojnë me qëllimet e tyre për të investuar, gjegjësisht me planet e tyre për investim. Pas sqarimit tonë, ata, për fat të mirë, morën vendim që të vazhdojnë më tutje me planin që e kanë për realizimin e investimit të tyre në Maqedoni”, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski.

Sipas një pjese të politikanëve, gjendja e përgjithshme politike në vend, e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe e kushtëzon zhvillimin dhe stabilitetin ekonimik, zgjat me vite.

“Maqedonia tashmë 24 vite është në krizë politike, që nga miratimi i Kushtetutës së parë të Maqedonisë. Sikur të kishim pasur që atëherë politikanë të mençur dhe të guximshëm, do të mbylleshin disa probleme ndëretnike të cilat me vite e çonin Maqedoninë mbrapa dhe në konflikt ndëretnik. Мendova se pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, populli do të bëhet më i mençur dhe nuk do të lejojë që politikanë me qëndrime nacionaliste të vijnë në pushtet, mirëpo erdhën ata që duheshte të dënohen. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë që moti paralajmëronin për këtë që ndodh sot. Unë mendoj se kjo krizë mund të jetë e mirë për ardhmërinë e Maqedonisë, vetëm se varet se si do ta menaxhojnë ata që e krijojnë”, konsideron politikani Zimberi.

Një shok plotësues për ekonominë, sipas analistëve do të ishin edhe zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër kryeministri Gruevski deklaroi se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ahaa po kit kontribut kini mos haroni ej kto ju i keni votu kriminelet tash do dilni siret na se paret edhe buxhetin nuk e ka pro vetem vmroja ata edhe bdi e ka pro edhe paret si jan harxho kit e din edhe alija edhe gruja tash hamm kaka milet

Back to top button