Demaçi: Evropa po ia bën qejfin çetnikëve të Serbisë

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, shpreson se Qeveria e dy partive me të mëdha në vend të fillojë seriozisht të punojë në zhvillimin ekonomik, që është plaga më e madhe e shoqërisë në Kosovë. Ndërsa, e quan gabim themelimin e Gjykatës Speciale, sepse është Serbia ajo që ka kryer krime në Kosovë e jo populli që luftoi për liri.

“Nuk u mjaftuan me këto gjykimet që janë bërë në Hagë, por duhet edhe më tutje t’ua bëjnë qejfin çetnikëve të Serbisë e t’i akuzojnë luftëtarët tanë. Nuk kemi qenë ne ata që e kemi sulmuar Serbinë. Serbia ka qenë ajo që na ka luftuar, që ka dashur të na shfaros nga këto troje, qe njëqind vjet. Dhe, tash vjen situata që një Evropë të mashtrohet nga një Serbi çetnike, që bëri katër luftëra, duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, e deri të lufta në Kosovë”, thotë Demaçi.

Sipas tij, Parlamenti Evropian po merr vendime nga sugjerimet që i vijnë nga Serbia dhe se individët dorëzohen përball sfidave të tilla.

Demaçi shprehet optimist se me ndihmën e vendeve mike, Kosova do të dalë nga gjendja e rëndë ekonomike.

“Pjesën me të madhe të buxhetit e kemi nga doganat. Çka do të thotë kjo? Do të thotë se ekonomia jonë është askund. Meqë jemi të hapur për mallrat e dynjasë që vijnë këtu, atëherë edhe doganat nxjerrin përfitime të caktuara. Buxheti duhet të mbushet nga prodhimet, nga shitjet e prodhimeve tona”, thotë Demaçi, i cili megjithatë nuk po i humb shpresat që kjo Qeveri do të punojë në ngritjen e ekonomisë dhe zbutjen e papunësisë.

“Shpresat nuk i humb kurrë. Domosdoshmëria do të na detyrojë që të gjejmë rrugë, që të hapim shtigje të reja që të ecim përpara. Asnjë popull nuk dorëzohet. Individët dorëzohen, por populli jo. Besoj që edhe premtimet që i ka dhënë Gjermania, si mike e vërtetë, do të jenë shtytje e madhe për zhvillimin tonë”, thekson ai. /KP

Lajme të ngjashme

Back to top button