Ruzhin: Priten reagime të ashpra ndërkombëtare për përgjimin e ambasadorëve

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruzhin thekson se Maqedonia mund të ballafaqohet me nota proteste madje dhe dëbim ambasadorësh nëse dëshmohet përgjimi i ambasadave të huaja në vend. Ruzhin thekson se në këtë mënyrë Maqedonia ka shkelur konventën e Vjenës, dhe ka devijuar nga besimi i ndërtuar me vendet e tjera.

“Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, pra shtetet anëtare të tyre do të ndihen të ofenduara nga kjo situatë.. duhet të presim që kjo fillimisht të shpallet nëpër mediat e tyre, pastaj mund të presim nota proteste.. Nga përvojat që kemi nga Lufta e Ftohtë, mund të vijnë deri në dëbimin e ambasadorëve të caktuar, ndërkohë që më së shumti mund të goditen marrëdhëniet multilaterale.. por gjithashtu ka mundësi të shkojmë drejt një izolimi më të madh të Maqedonisë. Maqedonia është shumë e vogël të lejojë një luks të tillë, pra të luaj me statusin e shtetit dhe kombësive që jetojnë këtu, përpara bashkësisë ndërkombëtare”, tha Nano Ruzhin, Ish ambasador i Maqedonisë në NATO.

Ruzhin nuk beson se shtetet e huaja do të hakmerren ndaj Maqedonisë, pasi në rast një skenari të tillë, qëndrimi i tij pasiv dhe indiferent do e bënte Gruevskin të bënte çfarë të donte me shtetin. Por nga ana tjetër, shteti është i qytetarëve, dhe qytetarët duan integrim – thotë Ruzhin.

“Këto shtete janë të mençura të kuptojnë se Qeveria e Maqedonisë nuk i përfaqëson të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Ata do të bëjnë përpjekje t’ia bëjnë me dije Qeverisë së gabon rëndë, se nuk e meriton familjen euro-atlantike dhe se ndoshta, duhet të vijnë të tjerë që e meritojnë integrimin. Nuk duhet të tregojnë armiqësi të hapur ndaj Maqedonisë sepse ajo prapëseprapë mbetet shtet i qytetarëve që janë të interesuar për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe do i kishin bërë vetëm shërbim Gruevskit nëse mbeten indiferente, pasi atëherë Gruevski do të bëjë çfarë të dojë me shtetin”, u shpreh Nano Ruzhin, Ish ambasador i Maqedonisë në NATO.

Ruzhin beson se qëndrimi i deritanishëm i misioneve të huaja për hetime transparente tregon se ato, besojnë se qeveria ka bërë shkelje, dhe se ajo duhet të ballafaqohet me përgjegjësinë e këtyre shkeljeve./ alsat-m.

Lajme të ngjashme

Back to top button