Visar Ymeri zyrtarisht kryetari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarisht do të udhëhiqet nga Visar Ymeri, i cili u shpall kryetar nga Këshilli i Përgjithshëm pas përfundimit të procesit zgjedhor brenda Lëvizjes.

Me të marrë detyrën e re, Ymeri u zotua se përgjegjësinë e re do ta shndërrojë në angazhim për një Kosovë që do të vendosë vetë.

“Ky vit do të jetë një vit i zhvillimeve të përgjithshme për Republikën e Kosovës, por edhe për organizatën tonë, sepse edhe Lëvizja Vetëvendosje është në proces ristrukturimi. Bashkë me kryesinë e re do të angazhohemi pa kursim në fuqizimin e aktivizimit të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër Kosovë e jashtë saj. Do t’i forcojmë strukturat e kapacitetet tona në të gjitha nivelet e organizatës dhe në tërë hapësirën gjeografike e shoqërore të Kosovës. Kudo ku ka padrejtësi, kudo ku ka cënim të interesit të përgjithshëm, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë aty bashkë me qytetarin, kundër padrejtësisë e shkeljes apo cënimit të interesit”, tha Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Visar Ymeri vjen në krye të Vetëvendosjes, pasi Albin Kurti vendosi që të qëndrojë vetëm si aktivist i thjeshtë i Lëvizjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button