Do të shënohet 70 vjetori i numrit të parë të gazetës “Flaka”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, dhe Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, sivjet do ta shënojë 70 vjetorin e botimit të numrit të parë të gazetës “Flaka e Vëllazërimit”. Kjo u vendos në mbledhjen e djeshme në mes udhëheqësve të këtyre subjekteve, Dr. Skender Asani (drejtor i ITSHKSH) e Naser Selmani (kryetar i SHGM), ku për koordinatorë të aktiviteteve u caktuan Dr. Sevdail Demiri, hulumtues i historisë së shtypit shqiptar në Maqedoni, dhe Dr. Sefer Tahiri, analist dhe komunikolog. Në takim u vendos që ky përvjetor i rëndësishëm për historinë e gazetarisë shqiptare, të shënohet më 4 prill 2015 në ITSHKSH – Shkup, me një tryezë shkencore, me pjesëmarrjen e historianëve, gjuhëtarëve, gazetarëve e intelektualëve, që kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë e sukseseve dhe sfidave të kësaj gazete nëpër dekada, si dhe me një ekspozitë me fotografi dhe dokumente që kanë të bëjnë me fillet e punës dhe zhvillimin e gazetës “Flaka”. Me këtë rast, Këshilli organizativ vendosi që të bëjë ftesë publike për të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë aktive në këto aktivitete. Disa nga tezat e debatit do të jenë: rrethanat historike – politike në prag të botimit të gazetës “Flaka”, kushtet e punës dhe themeluesit e gazetës “Flaka”, rëndësia e “Flakës” në historinë e gazetarisë shqiptare, roli i saj në zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqip, kontributi i gazetës “Flaka” për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës standarde shqipe, emra dhe pena të shquara – gazetarë dhe bashkëpunëtorë të “Flakës”, censura dhe presionet, polemika, rëndësia e revistave “Fatosi”, “Gëzimi” e “Jehona”, shuarja e gazetës “Flaka” – një trashëgimi e paçmuar, , mundësia e digjitalizimit të arkivit të gazetës “Flaka”, mundësia e ringjalljes së gazetës “Flaka”, etj.

Lajme të ngjashme

Back to top button