Kuvendi nuk ndal dinamikën, në katër seanca janë votuar 110 Ligje

Derisa i gjithë opinioni ka kthyer sytë kah përgjimet, shumica parlamentare forcon gjithnjë e më shumë tempon e votimit në mënyrë eksprese të një numri të madh të ligjeve. Kështu Kuvendi është shndërruar tanimë në një makineri votuese duke votuar mbi 110 ligje vetëm në katër seanca, transmeton Alsat.

Ish deputeti i cili mbahet mend si më i zëshmi deri më tani, Izet Zeqiri, thotë se kjo është vazhdimësi e një tradite të mëhershme të pushtetit aktual.

“Po është e vërtetë se në Maqedoni nga viti 2008 e këndej çdo vit në Maqedoni sillen dikund nga 300 deri 350 ligje, akte nënligjore. Shumica e tyre janë në mënyrë të përshpejtuar dhe pa opozitën. Ndryshohen ligje vend e pa vend, pa analiza paraprake, pa vlerësim të ekspertëve dhe krejt kjo tregon se në Maqedoni ekziston një jo stabilitet juridik që jep një mesazh shumë të keq edhe për investitorët”, tha Izet Zeqiri, ish deputet.

Pjesa më e madhe e ndryshimeve janë bërë në një periudhë kur pjesa më e madhe e opozitës nuk është në Kuvend. Sipas Jane Dimeskit nga Instituti për demokraci, Societas Civilis, edhe vërejtjet e atyre pak deputetëve opozitarë, nuk janë marr në konsideratë.

“Rrallë herë, gjeqësisht vetëm dy raste deri më tani kemi pasur kur deputetët pranojnë se argumentet e shprehura nga deputetët e palës së kundërt kanë qenë cilësore dhe kanë ndikuar që ata ta ndryshojnë qëndrimin. Pra, konstatimi i parë është se nuk ka diskutim të mjaftueshëm dhe e dyta deputetët nuk janë të hapur për të pranuar argumentet e palës tjetër edhe në rastet kur ata janë më cilësore se zgjidhjet e tyre”, tha Jane Dimeski, Instituti për demokraci “Societas Civilis”.
Sipas Zeqiri kjo tempo nuk është e rastësishme. Me ndryshimet ligjore ai thotë se forcohet kontrolli i pushtetit, ndërsa nga ana tjetër zvogëlohen liritë e qytetarëve.

“Po të shikoni përmbajtjen e ligjeve në aspektin normative do të vërejmë se në mënyrë konstante rritet kontrolli i shtetit, rriten obligimet e qytetarëve, rriten obligimet e bizneseve që në fakt korrespondon me zvogëlimin e të drejtave të qytetarëve. Është për të ardhur keq që deputetët në koalicionin qeveritarë nuk guxojnë as gëk as mëk të bëjnë në Parlament lidhur me ligjet e Qeverisë”, tha Izet Zeqiri, ish deputet.

Përveç opozitës, dyert e Kuvendit sipas Dimeskit janë të mbyllura edhe për grupe të shoqërisë të cilat preken drejtpërdrejtë nga ndryshimet ligjore.
“Gjithashtu vërehet se edhe atëherë kur opinion më i gjerë, apo një pjesë që janë të interesuar për ligje të caktuara, në periudhën e miratimit të tyre dhe publikisht demonstrojnë një dëshirë të tillë, deri më tani nuk janë përfshirë. Edhe pse i kanë argumentuar qëndrimet e tyre nuk janë përfshirë nga ana e Parlamentit në diskutime dhe me këtë përsëri zgjidhjet përfundimtare ligjore janë me cilësi më të dobët”, deklaroi Jane Dimeski, Instituti për demokraci “Societas Civilis”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button