Përse tinejxherët i preferojnë shumë trendët?

Vitet e adoleshencës janë vite kryeneçësie. Tinejxherëve u krijon kënaqësi të madhe që t’i sfidojnë edhe prindërit. Është në modë të theksohet ndonjë mënyrë të cilën do ta pranojnë edhe moshatarët e tyre.

Është fakt që trendët kanë ekzistuar gjithmonë. Shumica nesh vështirë pranojmë preferencat e të rinjve për të zgjedhur muzikës apo edhe veshjen, mirëpo mbase harrojmë që edhe prindërit tanë nuk janë pajtuar edhe aq kur na kanë shikuar duke kopjuar lëvizjet e Elvis Presleyt apo frizurën e Bitëllsave.

Është e vërtetë që gjithmonë ekzistojnë trendët të cilët të rinjtë i përvetësojnë për të trazuar ambientin ku jetojnë; pa marrë parasysh se a është ajo moda, muzika apo diçka tjetër, transmeton Telegrafi.

Trendët nuk zgjasin pa kufij dhe nuk janë të gjithë tinejxherët nën ndikimin e medieve apo nën presionin e moshatarëve. Në të vërtetë, sa më shumë që të jenë të pavarur dhe sa më shumë të kenë vetëbesim, më pak janë shanset që të bien nën ndikim të trendëve më të reja apo të ndiejnë nevojën për të shokuar.

E po, ju pëlqeu juve apo jo, duhet patjetër të ballafaqoheni me ndikimin e trendëve në njërën prej këtyre mënyrave. Do ta përballoni më lehtë nëse mendoni për muzikën dhe modën si shfaqje individualiteti. Këto janë mjete të cilat tinejxherët i përdorin për t’u dukur ndryshe nga prindërit e tyre, e pra edhe kjo sjellje mund të jetë e shëndetshme.

Që adoleshentët tanë dinë të ndjekin modën e vërteton paraqitja e tyre, dëshira për të qenë të veshur bukur në modë, e thënë ndryshe me një veshje me firmë, është rritur edhe më shumë. Sot është fizionomia ajo, që sundon dhe për këtë është normale, që të rinjtë tanë t’i mbajnë sytë nga moda dhe veshjet e reja.

Një adoleshent, duke veshur një lloj veshjeje të caktuar, ai kërkon të tregojë para të tjerëve besimin e tij në vetvete. Padyshim që faktorët, që ndikojnë në besimin në vetvete dhe përzgjedhjen e rrobave, janë të shumtë. Një nga faktorët më të rëndësishëm këtu janë shokët e adoleshentit. Shokët janë përcaktues dhe orientues kryesor i sjelljeve të adoleshentit dhe veshjeve të tij.

Për të rinjtë e sotëm, moda është ajo që ata mendojnë se u jep atyre një status të veçantë në shoqëri. Moda për ta s’është vetëm një mënyrë të veshuri që ata e ndjekin me pasion, por edhe një mënyrë që përdoret për të shfaqur personalitetin e tyre, për të treguar veten dhe për të lënë tek të tjerët një përshtypje të mirë.

Një paraqitje e mirë,tregon në një farë mënyre edhe personalitetin tënd, ashtu siç do të tregonte një paraqitje jo e mirë dhe ekstravagante, natyrën jo dinjitoze dikujt.

Por duhet thënë edhe se ka mjaft probleme në rininë e sotme për sa i përket mënyrës së të veshurit. Çdo kush duhet të jetë i lirë të vishet si ai ndihet më mirë dhe të mos ndikohet nga shijet e të tjerëve. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button