Dëgjoni shumë muzikë? Kufizojeni kohën, po humbni dëgjimin!

Jeni të fiksuar pas dëgjimit të muzikës, ndoshta edhe me zë të lartë? Kujdes! Organizata Botërore e Shëndetësisë ka sugjeruar së fundi se njerëzit duhet të dëgjojnë muzikë jo më shumë sesa një orë në ditë, në mënyrë që të mbrojnë dëgjimin.

Sipas studimit të OBSH-së, 1.1 miliard fëmijë dhe të rinj rrezikohen nga dëmtimi i përhershëm i dëgjimit, për shkak se dëgjojnë muzikë për “një kohë të gjatë dhe me zë të lartë”. Sipas organizatës, mjetet e dëgjimit, koncertet dhe baret (veçanërisht klubet e natës) përbëjnë një “kërcënim serioz”.

Shifrat e publikuara nga OBSH tregojnë se 43 milionë njerëz të grupmoshës 12-35 vjeç kanë humbje të dëgjueshmërisë dhe prevalenca është në rritje. Në këtë grupmoshë, sipas OBSH, gjysma e personave në vendet e pasura ose ato me të ardhura të mesme, janë të ekspozuar ndaj niveleve të pasigurta të zhurmave, qoftë edhe nga pajisjet personale të dëgjimit.

Ndërkohë, 40% e njerëzve në botë janë të ekspozuar nga nivelet shkatërruese të zhurmave të shkaktuara nga klubet dhe lokalet. Përqindja e adoleshentëve amerikanë me humbje të dëgjimit është rritur: nga 3,5% në vitin 1994 drejt 5,3% në vitin 2006.

Doktor Etienne Krug, drejtori i OBSH-së për parandalimin e këtij lloj dëmtimi, tha për BBC se “ajo që po përpiqemi të bëjmë është të rrisim ndërgjegjësimin për një çështje, për të cilën nuk është folur mjaftueshëm, por që ka një potencial tepër të madh për të na shkaktuar dëmtime, e njëkohësisht është edhe lehtësisht e shmangshme”.

Ai tha se të dëgjosh muzikë rreth një orë në ditë është diçka e mjaftueshme. “Është një rekomandim i përafërt, jo i përpiktë me minutazh, por për të dhënë një ide ndaj atyre që harxhojnë rreth 10 orë në ditë duke dëgjuar muzikë me pajisjet mp3-player”. Megjithatë, sërish duhet pasur kujdes, pasi edhe ajo “1 orë dëgjim mund të jetë e dëmshme, nëse volumi është tepër i lartë”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button