Shkupi fillon sezonin kundër “Skopjes”

Klubi futbollistik Shkupi sezonin pranveror do ta fillojë në Shkup, por jo në stadiumin e Çairit, pasi që ndeshjen e parë sezonale e luan kundër “Skopjes” në lagjën e Autokomandës.

Shkupi dimëroi në pozitën e parë në tabelë me 13 pikë diferencë ndaj konkurrentëve të tij, ndërsa sezoni pranveror do të jetë sigurisht më i vështirë nga vetë fakti se ekipet pretenduese, si Vëllazërimi, Gostivari dhe Mlladost C.D., kanë përforcuar radhët e saja për të pretenduar një pozitë që do tu mundësonte atyre gjithashtu inkuadrim në Ligën e Parë.

Të përkujtojmë se Shkupi ka zhvilluar stërvitje të mira gjatë pushimit dimëror, duke e filluar në Shkup, e më pas vazhduan në Ohër për dhjetë ditë, që më pas përsëri të kthehen në Shkup. Gjatë kësaj faze Shkupi luajti dhe 5 ndeshje kontrolluese, duke shënuar katër fitore dhe pësoi një humbje. Fillimisht Shkupi e mundi Trepçën ’89 me rezultat 1:0, pastaj mundi ekipin Makedonija Gj.P 3:1, Vëllazërimin e fitoi me rezultat 2:1, pësoi disfatë nga Renova 3:1 dhe në ndeshjen e fundit ishte më e mirë se skuadra e Ligës së Parë Bregallnica 1:0.

“Mendoj se jemi përgatitur maksimalisht mirë. Kemi pasur kohë të mjaftueshme të konsolidojmë radhët tona dhe të fillojmë aty ku mbetëm. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë aspak, pasi që në bazë të asaj që kemi mësuar e kemi kuptuar se edhe ekipet konkurrente nuk kanë qëndruar duarkryq dhe janë përfocuar mjaft. Por mos të harrojmë se ne jemi një ekip kompakte që së bashku luamë më shumë se një vit dhe kjo na bënë që të mos mendojmë për të tjerët sa për lojën tonë”, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani i cili më pas ka shtuar se pret që ekipi i tij të jetë i gatshëm 100% diku pas xhiros së dytë.

Suat Zendeli
Suat Zendeli

Edhe kapiteni i skuadrës Suat Zendeli fillimin e sezonit pranveror e ka komentuar pozitivisht për ekipin e tij. “Mendoj se si skuadër kemi treguar profesionalizmin dhe se kjo do të vazhdoj edhe më tutje. Ne nuk do të ndalemi këtu, dëshirojmë rezultate edhe më të mira, andaj në asnjë moment epërsia prej 13 pikëve nuk na bënë që të ndjehemi të rehatshëm por të marrin ndeshjet një nga një dhe të futemi në Ligën e Parë pa kokëdhëmbje”, ka thënë Zendeli.

Në ndeshjen e të shtunës kundër “Skopjes”, Shkupi do të ketë vetëm një mungesë, e ai është Ardian Nuhiu i cili duhet pushuar shkaku i kartonit të kuq.

Të përkujtojmë se FC Shkupi në radhët e saja gjatë afatit kalimtarë të janarit u përforcua me Ersan Asanin e Renovës, Miran Maksutin e Dritës dhe Kenan Vatiç nga Metalurgu, ndërsa nga klubi u larguan Minas Osmani, Besir Demiri, Mevlan Adili, Krenar Ramadani, Benjamin Shabani dhe Afrim Luma.

Lajme të ngjashme

Back to top button