Thaçi: Zgjedhjet e parakohshme apo qeveria teknike nuk zgjidhin problemin

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi realizoi takim me delegacionin nga Brukseli i udhëhequr nga Kryetari i Partisë së Socialistëve Evropian, Sergej Stanishev. Në këtë takim u bisedua për situatën aktuale politike dhe mënyrat e mundshme për të dalë nga kriza politike në vend.

“Kisha kënaqësinë që të pres në një takim sot drejtues të lartë të eurosocialistëve, në krye me Kryetarin e tyre. Biseduam për çështjet aktuale politike në vend, për problemin e bllokimit të procesit integrues që e ka Maqedonia si prioritet shumë të madh, si edhe për shumë gjëra të tjera siç: instrumentalizimin e medieve në Maqedoni, instrumentalizimin e drejtësisë, e kështu me radhë. Ishte shumë një bisedë e rehatshme dhe e qetë, ramë dakord që rruga e vërtetë për të dalë prej kësaj situate është rifillimi i dialogut politik mes katër forcave kryesore politike. Ai dialog duhet të jetë thelbësor dhe të merret me çështje thelbësore, e jo teknike dhe më pastaj në bazë të këtij dialogu të arrijmë që të marrim rekomandim pozitiv dhe të arrijmë që të hapim bisedimet me Unionin Evropian”, deklaroi Menduh Thaçi.

Me tej Thaçi deklaroi: “Procesi i përgjimit nuk është proces i ri në Maqedoni, por është një proces i vjetër që prej vitit 1992. Viktima kryesore, pa konkurrencë, në këtë përgjim është kryetari i tanishëm i PDSH-së dhe kërkova që mundësisht këtë çështje ta institucionalizojmë. Të krijojmë një komision hetimor në parlament, komision i cili do të merret me çështjet e përgjimit që nga viti 1992 dhe se këtë komision duhet ta drejtojë Partia Demokratike Shqiptare, për shkak se është e vetmja parti që nuk ka marrë pjesë në këto aktivitete të paligjshme dhe jo njerëzore. Opinion e din se qeveria LSDM-PPD ka përgjuar, qeveria LSDM-BDI ka përgjuar, qeveria VMRO-BDI ka përgjuar dhe vetëm për qeverinë VMRO-PDSH nuk ka argumente të tilla, po të zbulohen edhe ata do të kenë të njëjtën trajtesë ligjore”.

Sipas Thaçit, çështja e zgjedhjeve të parakohshme apo qeverisë teknike duhet të jenë pikat e fundit të këtij dialogu.

“Pikat e para të këtij dialogu duhet të jenë çështjet thelbësore: procesi integrues, raportet ndëretnike, apo të drejtat e shqiptarëve, analiza e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjyqësia, çështja e mediumeve, a i kontrollon vërtetë qeveria mediumet, apo i kontrollon edhe dikush tjetër? Këtu është bërë shumë simpatike të thuhet se mediumet i kontrollon 90% VMRO-ja, 10% LSDM-ja, po tek maqedonasit, por tek shqiptarët mediumet i kontrollon 50% BDI-ja dhe 50% LSDM-ja dhe PDSH-ja është parti opozitare e cila s’ka asnjë medium që i mundëson të flet dhe të tregojë realitetin e vet. Po të nisemi nga ky aspekt dhe po të kemi zgjedhje të parakohshme, nuk po them se kush do të fitojë, përsëri këto do të jenë katër forcat politike që prapë do ta mbisundojnë parlamentin dhe problemin e kemi përsëri aty”, tha Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button