SHTETI QË S’BËHET

E shpjegova në kolumnën e fundit: në shtetin e sëmurë nga ileti i rrezikshëm me gjenezë mesjete, nuk janë të ndaluara dhe të trurpshme përgjimet, përndjekjet, spiunllëqet, ndërhyrjet në drejtësi, burgosjet e kurdisura, inskenimet e konflikteve ndëretnike e ndërfetare, instrumentalizimi i medias dhe pitbullëve të saj me njëmijë privilegje, korrupcioni, keqpërdorimet ordinere të parave popullore dhe shtonat tjera kutërbuese të kapadainjëve me veset e Luigjit XIV, që e pandehin veten për Diell dhe thonë: shteti jam unë. Këta janë mekanizmat e peferuar të sistemit, të kamufluar me vite pas dërdëllitjesh patriotike të emetuara 24 orë në ditë n’medie-burektoret qeveritare. Të jashtëligjshme, të palejueshme, të ndaluara, të dënueshme, antishtetërore, grushtshtetërore… janë vetëm aktet e publikimit të pisllëqeve që mund të prishin imazhin e teleisur të demokracisë maqedonase në paterica.

E sipërthëna u vërtetua në konferencën e fundit për shtyp të kryeministrit, të mbajtur 3 javë të plota pas shpëthimit të bombave të opozitës maqedonase, me çrast, në stilin e gjithmonshëm dinjitoz dardha te kumlla, ligjëroi pa pët syri mbi teoritë konspirative të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit qendër të botës; mbi përpjekjet për rrënimin e rendit kushtetues; mbi tendencat për marrjen me dhunë të pushtetit; mbi krimet e personave të burgosur si puçistë të rrezikshëm, që prijësi demokrat i përmend vetëm me iniciale, duke dhënë shembullin personal të respektimit të ligjit; mbi manipulimet e Zaevit me dialogë të trukuar me gjoja zëret e kryepolicëve të vendit dhe megafonëve e mashave të tyre; mbi pritjet e kota të opozitës maqedonase për protesta masive; mbi vetëdijen e lartë dhe pathyeshmërinë e besnikërisë popullore ndaj pushtetit që solli kaq të mira me vetëm 6 miliardë borxh të jashtëm (vetëm me 2-3 mijë eur-o për kokë banori), që do të lahet në dekadat e ardhshme nga të lumturuarit që janë të lire të bëjnë selfie nën testise luanësh e kuajsh të hazdisur në gjendje vrapi për kush e di se ku; mbi vigjilencën dhe gatishmerinë e institucioneve mbrojtëse të sistemit që do ta shuajnë në çast çdo përjekje destabilizuese (pikërisht për këtë, para dy ditësh, ligjbërësi kërkoi shtimin e mjeteve mbrojtëse – plumba gome, shkopinj elektrikë, automjete të blinduara… nga turmat hipotetikisht të dhunshme); mbi pritjen e kotë të opozitës për zgjedhje të parakohshme; mbi vetëdijen e lartë popullore, e cila sërish do t’i votojë pahezitueshëm arkitektët e gjithë kësaj mrekullie e hajt bir.

E vetmja gjë për të cilën nuk bëzajti kryeministri qe ajo që ka shtangur gjithë botën: përgjegjësia e tij dhe ajo e suitës së tezgaxhinjëve shakaxhi, që bëjnë pazare me fate njerëzish. Këtë ai e justifikoi me faktin se në shtetin e Shërbëtorit Jernej, gjithçka duhet dëshmuar vetëm nga gjyqet e dëshmuara për pavarësinë e tyre të dëshmuar në burleskun që shfaq Zaevi.

Dorën në zemër: qetësuese dhe shpresëdhënëse paraqitja e kryeministrit, pa çka se fyen inteligjencën e auditorit të stepur trishtimesh, të cilit, ashiqare: i duhet kohë për zhdehje dhe për t’u bindur se ky shtet s’ka nijet të bëhet. Të paktën jo me kësi burrështetasish skajshmërisht të pabusullë, që bëjnë kinse nuk e kuptojnë se, edhe po t’i fitojnë sërish votat e qytetarëve të disiplinuar me cuclla, asgjë më nuk mund të jetë ashtu si ishte.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button