RINIA UNIVERSITARE SHQIPTARE: AMORFE, PSE?

Faktet nga jeta flasin se s’ndodh e s’bëhet gjë pa një shkak-arsye. Arsyet apo motivet e këtij shkrimi janë dy: numri tepër i vogël i studentëve shqiptarë pjesëmarrës në protestat e PP-së lidhur me ndryshimet në politikat arsimore që synohej të implementoheshin dhe e dyta, një kafe-makiato që një mik imi përmes facebookut ua dhuroi student-statistëve tanë që u sfiduan nga kolegët e tyre maqedonas që kremtonin ‘fitoren’ ndaj qeverisë para shtatoreve të “shenjtorëve” Ciril e Metodi dhe në një sallë ku dukej qartë entuziazmi dhe satisfaksioni nga rebelizmi rinor, jeta alternative në aulat universitare dhe suksesi i korrur ndaj Ministrisë përmes “No Pasaran!”.

Rinia është term që shënon dimensione sociologjike-kulturologjike të një kategorie sociale që përfshin individët që ndjekin procesin arsimor, që ekonomikisht nuk qëndrojnë në këmbët e veta, që janë të ndjeshëm ndaj çështjeve shoqërore dhe në aspektin demografik përfshijnë grupin moshor deri më 25 vjet; disa këtë shifër e çojnë deri më 30 madje edhe deri më 35 vjet. Faza e rinisë është faza më dinamike dhe më komplekse e jetës. Arnet thotë se mosha rinore fillon me 18 vjet dhe mbaron kur i ri mbush 25 ose 29 vite të jetës. Cilësitë kryesore të saj janë zhvillimi fizik-trupor dhe ai psikologjik, dinamizmi, emocionaliteti, shpirti ndërmarrës, mosdurimi, kërkimi i identitetit, rebelizmi, krizat, shqetësimet, brengat, reaksionet, konfliktet, ëndrrat, pasionet, kërkesat e pafundme, etj.

Rinia universitare përbën një kategori të qytetarëve akademikë të cilët kalojnë fazën e mbindërtimit të tyre intelektual-profesional, drejt shtigjeve të reja të jetës, karrierës në sfera të ndryshme sociale, drejt përgjegjësive dhe benefiteve vetjake dhe sociale-kolektive. Ajo shumë herë ka treguar se është spiritus movens (shpirt lëvizës) i shoqërisë. Rinia universitare është masë sociale mobile-dinamike siç është parë në SHBA, në Harvard “Butter Rebelation” (qysh më 1776), në vitet 1960 në demonstratat kur studentët kundërshtonin lidershpinin politik dhe kulturën amerikane, në Paris më 1968 kundër kapitalizmit, konsumerizmit, në Madrid kundër Frankos, në “Pranverën Çeke” kur Dubçek shpalli reforma, në opizitën gjermane jashtëparlamentare “APO” të Dutschkes, në Tienanmen më 1989, në Serbi 1996 që arritën objektivin, shmangien e Millosheviqit… Këtë trend mund ta ilustrojmë edhe me rastin shqiptar, demonstratat e vitit 1980 (Prishtinë) dhe ato studentore në Tiranë (1990), që çuan në shembjen e Jugosllavisë dhe të sistemit monist-enverist, si dhe me demonstratat studentore të Tetovës në vitin 1994 për të mbrojtur UT-në si vatër e parë arsimore jona e këtij niveli.

Në dy qendrat e sipërpërmendura, fryma e aksionerizmit studentor del shumë më e gjallë. Studentët e Tiranë kanë protestuar kundër kundër draftit të ligjit për arsimin e lartë, kundër mbeturinave radioaktive, për dinjitet të bluzës së bardhë mjekësore, kundër TOEFL-it, etj. Në një protestë studentore të organizuar në Tiranë vitin e kaluar studentët mes tjerash dolën edhe me këto parulla: „Universitetin universitarëve, jo tregtarëve!”, “Student jo klient!”, “Dija s’është mall!”, “Reformim jo shformim!”, “Universiteti publik, rahmet pastë!” (“Reforma në Arsim”, Opinion, TV Klan, 4 qershor 2014) Para do muajsh studentët e dridhën Universitetin e Prishtinës, dolën me parulla (si “Zbritje: Publikojmë punime shkencore vetëm për 59.99 euro në Indinë ekzotike!”), dhe kërkesa që më pas shkaktuan dorëheqjen e majës së piramidës së këtij institucioni. Përveç kësaj studentët hoqën katër shkronja nga muri i UP-së, dhe Universiteti i Prishtinës u cilësua si i “prisht”, pra  i degraduar, i dërrmuar, si institucion i krizës strukturale akademike.

Si qëndron puna me rininë studentore apo universitare shqiptare këtu tek ne në Maqedoni sot? Mund të themi se kjo kategori tek ne në Maqedoni, me përjashtime të vogla (disa pankarta, pllakate dhe studentë në Shkup në protestat e para të Plenumit Studentor), është amorfe, e shtangët, me përjashtime të vogla, një masë e pazë, e patrajtë, e paformësuar, e mjegullt, e padefinuar, joguximtare. Këtë më qartë e vërejmë nëse çështjen e ndërlidhim me ndodhitë e fundit lidhur me ndryshimeve në Ligjin për arsimin e lartë. Jo vetëm kaq, ajo u tregua e pazëshme edhe në protestat e Eciguerilla-s të Tetovës, 3-4  studentë nga gjithsej mbi 12 apo 13 mijë sa numëron ky qytet. Thua pse? Faktorët janë shumë që ndikojnë në këtë gjendje të këtij grupi relevant që duhet të jetë avangardë sociale, forcë motorike e shoqërisë. Pikë së pari, një pjesë e saj është indolente, shpërfillëse, nuk i interesojnë gjërat që ndodhin përreth, nisen nga ideja se “ne nuk mund ta ndryshojmë botën!” Është kapluar nga apatia dhe deprimimi social. Një pjesë tjetër është e politizuar, është bërë vegël e partive politike, të cilat prodhojnë frontmenët e vet që më pas luajnë me efektin e gurit në ujë të qetë që gjeneron rrathë të tjerë të poltronizmit rinor, që krijojnë shokë e shoqe të cilëve ua kripin mendjen se “të mëdhenjtë mendojnë edhe për ne”.

Pra kemi të bëjmë me një mendje të robëruar rinore, në kuptimin e shkrimtarit  polak polak me nam Çesllav Millosh, nën ndikimin e pushtetit që synon të krijojë “njeriun e ri”, një rini studentore që nuk del ta thotë hapur qëndrimin e vet, që është papagall i kryetarit ose i nënës parti. Një arsye tjetër mund të jetë mosbesimi te pala tjetër, pra te studentiada maqedonase e cila në të kaluarën ka ditur të kërkojë edhe dhoma gazi për shqiptarët. Por kjo s’mund të jetë arsyetim aq i qëndrueshëm. Në rastin e fundit bëhej fjalë për fatin studentor dhe studentët shqiptarë vetëm mund të fitonin edhe si rezultat edhe si imazh, si njësi dinamike, mobile, të tregonte se edhe ne kemi rini mendare e ikonoklaste (idhullthyese), se kemi vërtet studentë, kërkues, njerëz me sens kritik, me ndjenjë të kontruktivizmit social, që shkruajnë e protestojnë, që shprehur me gjuhën e Pepsi-t gjithnjë kërkojnë më tepër (Ask for more!), që shohin përtej perdes a murit, që s’i frikojnë as listat denoncuese të kolegëve, as bodrumet e truprojave, as kërcënimet e provimeve finale, as ato për “krizë punësimi”! Se gjendja nuk është siç duhet në rrafshin e mobilitetit studentor e vërtetuan edhe vetë studentët në konferencën studentore të 24 shkurtit në UEJL, ku mes tjerash u theksuan partizimi dhe indolenca si shkaktërë të ngërçit studentor shqiptar aktual ndër ne.

Të jemi vetëkritikë: Sa ne profesorët kemi bërë për t’u injektuar apo për të ngjallur tek ata vetëbesimin dhe optimizmin në ndryshimet konstruktive? Sa kemi qenë vetë protagonistë nëpër protestat e Plenumit të Profesorëve? I kemi të gjitha profilet dhe kuadrot, ama vetëm për nëpër klasa e amfiteatro, jo për kriticizëm social? Ideatorë e ideologë, koka vetëm për brenda katër mureve, jo për në publik. Intelektualët publikë ku na mbetën? E pra, studentët jemi vetë ne, mësimdhënësit, brezi më i vjetër! Changes we need! (Ndryshime na duhen!) Edhe atë, shumë! Ndryshime në konstruktin mental për mospajtim me gjendjen deprimuese, me regresin shumëprmasor, jo rebelizëm për rebelizëm!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button