Thaçi: Të krijojmë një komision hetimor që do të merret me përgjimet nga viti 1992

Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi kërkon komision hetimor parlamentar që do të hetonte aferën e përgjimeve që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot. Thaçi kërkon që partia e tij, e cila sipas tij nuk ka qenë asnjëherë e përfshirë si urdhëruese apo zbatuese e përgjimeve, të drejtojë hetimin e kësaj çështje.

“Të krijojmë një komision hetimor në Parlament, komision që do të merret me çështjet e përgjimit që nga viti ’92 dhe këtë komision duhet ta drejtojë PDSH-ja, sepse është e vetmja parti që nuk ka marrë pjesë në kësi aktivitete të paligjshme, bile edhe jonjerëzore. E dinë opinioni se Qeveria LSDM–PPD kanë përgjuar, Qeveria LSDM-BDI kanë përgjuar, Qeveria VMRO-BDI kanë përgjuar, vetëm Qeveria VMRO-PDSH nuk ka argumente të tilla. Po të zbulohen edhe ata do të kenë të njëjtën trajtesë ligjore”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, transmeton Alsat.

Thaçi tha gjithashtu se viktimë kryesore e përgjimeve nga viti ’93 deri sot ka qenë pikërisht ai. Për këtë shkak në vitin 2008 kishte ngritur edhe padi penale kundër ish drejtorit të DSK-së Zoran Verushevski, për përgjimin 15 vjeçar të tij dhe fëmijëve të tij. Megjithatë Thaçi tha se nuk do të ngrejë padi kundër drejtorit aktual Sasho Mijallkov, për shkak se ai personalisht dhe qytetarët, nuk iu besojnë institucioneve të sistemit.

“Jemi mbytur duke bërë padi, por nuk ka asgjë! Nuk iu besojmë institucioneve, nuk është diçka e re që e thotë Menduh Thaçi që nuk u beson institucioneve, nuk iu besojnë qytetarët. Ky manipulim kaq i madh, nuk guxon të fokusohet vetëm në një fazë”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button