Intervista me të nominuarit për Arritjen e Vitit në sport – “Milingona e Artë 2014”

Intervista me të nominuarit për Arritjen e Vitit në sport – “Milingona e Artë 2014” 

Manifestimi Arritjet e vitit “Milingona e Artë” 2014 po afrohet drejt finales, tani më janë shpallur të nominuarit në 9 kategori dhe votimi  është i hapur deri më 28 shkurt. Për ta njohtuar publikun më mirë me të gjithë të nominuarit, punën e tyre dhe arsyen pse janë nominuar këtë vit, do të sjellim materiale, intervista dhe deklarata nga vetë të nominuarit në secilën kategori.

Këtë vit të nominuar në këtë kategori janë: futbollisti Agim Ibrahimi, karateisti Berat Jakupi, atletja Drita Islami, mundësi Jasin Rexhallari dhe futbollistja Afrodita Salihu. Që të pesë të nominuarit e kësaj kategorie kanë punuar shumë gjatë vitit të kaluar, kanë korrur suksese nëpër sportet e tyre, kanë fituar çmime dhe kanë pasur ndikim tek publiku.

berat jakupiKarateisti i suksesshëm Berat Jakupi i cilësuar si “mbreti i karatesë” është nominuar pasi në vitin që e lëmë pas ka shkëlqyer duke u shpallur kampion i shumëfishtë i këtij sporti. Ndërkaq, vet Berati na zbulon se kyçja e tij në sportin e karatesë ka qenë krejt e rastësishme, biles fillimisht ai është regjistruar në një klub futbolli si portier, që në fund të krejt rastësisht të regjistrohet në klubin e karatesë “Fati Gostivar” dhe që atë ditë ai nuk ka ndaluar se ushtruari sportin e karatesë.

Kështu nis ditën Berati: “Zgjohem herët në mëngjes pasi që bëj stërvitjen e parë. Gjatë stinës së verës, stërvitjet i bëj në natyrë, respektivisht, në vendet e larta malore, Mavrovë, por edhe përreth kejit të lumit Vardar. Pasi përfundojmë me ligjeratat, kthehem në shtëpi ku më pret dreka që e gatuan nëna ime e mrekullueshme. Shpesh ndodh që të bëj edhe pak gjumë, si dhe përgatitem për stërvitjen e dytë.”

Por, a duhet njerëzit të frikohen nga Berat Jakupi? –“Jo, assesi. Ska pse dikush të frikohet prej meje? Për ato që nuk kanë njohuri rreth sportit të karatesë, dua të sqarojë se karateja mbi gjitha është filozofi në vete, mënyrë e mbijetesës, forcimi i karakterit të njeriut, sjellje, kulturë, disiplinë, vetëbesim, respekt.”- ka deklaruar Berati për Milingonën.

agim ibrahimiAgim Ibraimi është futbollisti më i mirë i vitit i shpallur nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Futbollist i përfaqësueses të Maqedonisë dhe një ndër futbollistët më të spikatur shqiptar në Maqedoni ndër vite. Sezonin 2013/2014 ishte futbollist i Cagliari, në Serie A të Italisë, për tu kthyer përsëri këtë sezon te Maribori i Sllovenisë. Luajti në fazën e grupeve të Champions League ku edhe shënoi një gol spektakular kundër skuadrës angleze Chelsea.

Sukses më të madh, Agimi e llogarit Ligën e kampionëve, pasi si çdo futbollist edhe ai e ka ëndërruar ligën e kampionëve si një prej garave më të fuqishme në Evropë.

Çfarë synon të arrish në karrierë? –“Nuk synoj për asgjë, faktikisht punoj cdo ditë, jap maksimumin që të jem më i mirë dhe të jem i kënaqur me atë çka bëj.”

Njerëzit të njohin, të duan, na trego ndonjë gjest, fjalë ose dhuratë interesante nga fansat? –“Po, është kënaqësi kur i gëzojmë fansat tanë, veçanërisht fëmijët apo tifozët e vegjël. Nga ana tjetër edhe ato mundohen me përkrahje të na gëzojnë ndonjëherë edhe me dhurata të ndryshme. Thash dhurata të ndryshme sepse na japin lloj – lloj fotografi vizatime e shumë gjëra tjera”, ka deklaruar futbollisti Agim Ibraimi për Milingonën.

drita islamiDrita Islami është e nominuara e radhës në kategorinë e sportit për këtë vit. Ajo është një vajzë e re por shumë talentuar në sportin e atletikës, ajo llogaritet si një atlete pa konkurencë në Maqedoni duke u shpallur atletja më e suksesshme në vend. Edhepse në vendin tonë sporti i atletikës nuk është edhe aq i njohur, por ajo vazhdon të mbetet mbretëresha e sporteve, ajo që më së shumti i pëlqen Dritës në këtë sport është fakti se është individual, një sport ku çdo arritje shënohet  në emrin tënd personal, sport ku mund ta tregosh talentin tënd dhe ambiciet e tua.

Drita ushtron shumë, por asnjëherë nuk e lë anash mësimin, meqë është nxënëse e vitit të katërt, ajo mundohet që t’i koordinojë mirë punët që të korr suksese në të dyja sferat. Ajo ushtron çdo ditë nga 2 deri në 3 orë, ndërsa në fazën përgatitore stërvitet edhe nga dy herë në ditë.

Kush është idhulli yt dhe çfarë synon të arrish? Idhulli i saj është atletja Alison Felix është një atlete nga USA e cila po ashtu vrapon në 200m dhe është një nder më të mirat atlete në botë. Ndryshe, sa u përket aktiviteteve të mëdha sportive edhe Drita e ëndërron Olimpiadën edhe pse pranon se bëhen shpesh edhe padrejtësi, por shpreson që deri 2016 të sqarohen problemet dhe të shkoj ai/ajo që e meriton – ka deklaruar atletja Drita Islami për Milingonën.

Jasin Rexhallari (me të kaltërta)
Jasin Rexhallari (me të kaltërta)

Jasin Rexhallari-Mundësi i Lirisë, ka fituar vendin e parë për Maqedoninë në konkurrencë të seniorëve në Lojërat Mesdhetare. Kampion i pakontestueshëm në Maqedoni, ndërsa në Kampionatin Evropian u plasua në çerekfinale. Në kampionatin zgjedhor shtetëror për senior, ai u shpall fitues absolut në kategorinë e tij, 61 kg. Për sukseset e tij, Rexhallari u shpall Sportist i Vitit i Qytetit të Shkupit.

Pasi shqiptarët si komb më shumë i preferojnë sportet individuale dhe aty e tregojnë veten më mirë edhe Jasini ka vendosur që të merret me sportin e mundjes pasi aty e dëshmon veten më mirë. Për tu bërë një mundës i mirë sipas Jasinit kërkon shumë përkushtim, regjim i veçantë duke filluar që nga gjumi,ushqimi dhe stërvitje maksimale brenda 4-6 orë në ditë dhe palestra të veçanta për mundjen.

Cili është synimi për të ardhmen?- Është ëndrra ime për të ndjek rrugën e kampioneve të mëparshëm ,që të synoj piedestalin më të lart për tu bërë një ditë kampion olimpik. Jo më kot legjenda e sportit, i ndjeri Mentas Allajbegu thoshte: “kulmet janë kulme dhe nuk pushtohen lehtë”. Ato i pushtojnë vetëm të rrallët, ata që janë superior, ata që janë më të aftë, më të shpejt, më të fortë, më të shkathet, më të qëndrueshëm fizikisht ose thënë shkurt, ata që arrijnë të bëhen legjenda të sportit botëror.

aferdita salihiE nominuara e pestë në kategorinë Arritja e vitit në sport është futbollistja Afërdita Salihu. Ajo llogaritet si golashënmuesja më e mirë në kategorinë e femrave për vitin 2014 sipas Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Afërdita merret me futboll që nga mosha 13 vjeçare, në moshën 17-19 vjeçare ka luajtur për Reprezentacionin e Maqedonisë në mbi 80 ndeshje.

Futbolli ka qenë sporti i preferuar i Aferditës që nga fëmijëria dhe shpesh herë ka luajtur me shoqëri nëpër fusha të vogla sportive dhe kjo e ka shtyrë atë që të vendos për këtë sport jo shumë të zakonshëm për femrat. Ka pasur eksperienca të tilla kur njerëzit janë habitur kur ajo ka treguar se merret me futboll, pasi ka të tillë që nuk dinë biles që ka futboll për femra në vendin tonë.

Idhulli i saj është Messi ndërsa klubi i preferuar Barcelona. Ëndrra e saj është që një ditë të luaj jashtë shtetit dhe të përfaqësohet në botë si një futbolliste e suksesshme shqiptare nga Maqedonia.

Lajme të ngjashme

Back to top button