Kur je në kuzhinë..ka ca gjëra që duhet t’i dish

Ndonjëherë mjafton vetëm të dish disa këshilla praktike, që puna në kuzhinë të jetë më e lehtë.

Erën e qepës apo të hurdhrave mund ta heqësh duke i fërkuar duart me uthull të bardhë, menjëherë pas mbarimit të përgatitjes së ushqimit ose t’i fërkosh më lugë a pirun në ujë të rrjedhshëm.

Në mënyrë që të zhdukësh erën e mykut apo çdo lloj ere tjetër të pakëndshme në dollap apo në sirtarë, mjafton të vendosësh në kënd të tyre një copëz qymyri.

Për zierjen e vezëve të plasaritura, mjafton t’i mblidhësh ato me nje copë letër alumini dhe t’i hedhësh në ujë.

Mos e lër orizin, thjerrëzat apo çdo lloj ushqimi tjetër që futet në këtë grup në qese plastmase në kuzhinë. Futi në qese basme, në mënyrë që të mos zënë krimba apo të myken.

Mos i lër perimet një kohë të gjatë në ujë. Eshtë më mirë që ato të lahen në ujë të rrjedhshëm e pastaj të vihen në kullesë.

Erëzat e gjelbra; majdanozi, kopra etj., nuk grihen me makinë, sepse u humbet lëngu, ndaj griji gjithmonë me thikë. Dhe nëse do t’i ruash sa më gjatë, futi në një qese plastmase.

Që të mos i humbasin vlerat e tyre ushqimore, perimet duhet të priten sa më të mëdha.

Vitaminat që ndodhen në perimet e freskëta janë shumë të ndjeshme gjatë të nxehtit, prandaj është më mirë që ato të zihen shpejt e në zjarr të fortë.

Patatet e ziera qërohen më lehtë, nëse pas zierjes hidhen në ujë të ftohtë.

Që panxhari i kuq të ruajë ngjyrën gjatë zierjes, në vend të kripës, hidh pak uthull në ujë.

Pasi ke qëruar perimet, njollat e duarve mund të hiqen me lëng limoni ose limontoz.

Nëse djathi është shumë i kripur, fute në ujë të zier, por të ftohur.

Djathi i tharë, që të bëhet i butë, lihet për pak kohë në qumësht.

Vezët e freskëta duket kur futen në ujë me kripë. Nëse bien në fund, janë vërtet të freskëta, nëse notojnë, nuk janë.

Të bardhat e vezës marrin më shumë volum kur i shton brenda një gjysmë luge gjelle ujë.

Që lakra të mos vijë erë të keqe gjatë zjerjes, hidh në tenxhere një fetë bukë të lyer me uthull.

Mos e mbaj lulelakrën në dritë, sepse nxihet dhe i ikën shija.

Në mënyrë që të heqesh erën e peshkut nga duart, pastroji ato duke i fërkuar mirë me limon.

Lajme të ngjashme

Back to top button