Pse mendoj që qeveria nuk do të bjerë?

Në këtë jetë nuk është e rëndësishme nëse ajo që ke bërë është e drejtë apo e gabueshme; e rëndësishme është se si e interpreton dhe se si e paraqet veprën tëndë. Këtë do t’jua thotë çdo avokat, çdo biznesmen, çdo politikan i suksesshëm. Sidomos politikanët. Sepse të gjithë politikanët e ëndërrojnë statusin e diktatorit. Atij diktatori të cilit i lejohet të kontrollojë qendrat e krijimit të mendimit dhe opinionit publik dhe t’i bëtë këto qendra të vallëzojnë me muzikën e tij. Në këtë mënyrë diktatorit i mundësohet të krijojë dhe të interpretojë veprimet e veta në mënyrën të cilën ai e quan më të përshtatshme. Të plasojë të vërtetën e vet. Sepse e vërteta ka shumë fytyra, ka shumë trajta. Edhe ajo varet nga interpretimi. Nëse një politikan arrin që nëpërmjet influencës së vet të shtrijë dorë në krijimin e të vërtetave, atëherë diktatura e tij është e plotë. Kuptohet shpeshherë këto të vërteta janë të shtrëmbuara, por indoktrinimi i tyre në popull i bën ato shumë të besueshme.

Në realitetin e botës tonë është e vështirë të dallosh cila është e vërteta, por ajo e vërteta ama. Cila është “super-e-vërteta”? Ajo që pas testit të kohës, do të mbetet e pashtrembëruar dhe konstante?

Dy janë të vërtetat që na shtrohen përpara, edhe është e kuptueshme të duam t’i analizojmë sepse jemi të gjithë shumë konfuzë nga ajo që po ndodh përreth nesh. Papritmas, nga një Maqedoni e bindur ndaj liderit të vet, në sajë të disa “bombave” u shndërrua në një cirkus të pasinkronizuar ku secila palë e këndon këngën e vet jashtë pautës së dirigjentit. Nga njëra anë dëgjon Zaevin që po na argëton me “bombat” e tija të përgjimeve, edhe këtë zë po e dëgjojmë ja disa javë. Dhe më në fund sot dëgjuam reagimin e kryeministrit, të vërtetën e tij ashtu si ai na e shërben. Pyetjet pas gjithë këtyre pres konferencave mbeten po të njejtat: cila është më e rëndësishme: e vërteta e Zaevit që me përgjimin e personave janë thyer të drejtat e tyre njerëzore, apo të vërtetën e Gruevskit që përgjimet janë bërë por nga shërbime të huaja që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Për neve, më e rëndësishme duhet të jetë thelbi dhe jo forma. Nëse mendojmë se “kush, si dhe pse” përgjoi, do të futemi brenda në vorteksin e lojërave të fjalëve të dy njerëzve që janë më të mencur se ne (fakti që i kemi votuar, tregon që jemi më pak intelegjentë sesa liderët tanë). Thelbi qëndron në atë që në ato përgjime shihet se si funksionon shteti në një mënyrë jodemokratike, mënyra se si teledirigjohet gjithcka në jetën publike dhe se si pjesa më e madhe e popullit këtu jeton në një gënjeshtër. Kjo është e vërteta besoj që do t’i mbisundojë kohës.

Por e vërteta sic thashë më sipër nuk është shumë e rëndësishme, nëse interpretimi që i bëhet asaj nuk është i duhuri. Ose më mirë, fitimtar nga e gjithë kjo do të dalë ai i cili do të dijë të interpretojë në formën e duhur dhe në sasinë e duhur të vërtetën e vet. Se a do të bijë qeveria, varet nga ajo se cila e vërtetë do të jetë më e besueshme në sytë e popullit.

Janë të shumtë ata që presin që kjo qeveri do të bjerë shumë shpejt. Edhe me të vërtetë, kjo aferë që po e shkundën shtetin është afera më e madhe e historisë së këtij vendi. Por t’i marrim sendet më me qetësi. Sot të gjithë dëgjuam Gruevskin. Cuditesha pse nuk kishte dalë akoma që të japë ndonjë sqarim, pse nuk i ishte përgjigjur Zaevit dhe akuzave të tij. Sot më duket që mu qartësua: Më duket ende i bindur në mundësitë e veta dhe në të vërtetën e vet. Sepse realisht për momentin, ashtu si qëndrojnë punët, në mungesë të protestave masive që do të kërkonin dorëheqjen e tij, në mungesë të një iniciative ligjore për të ngrituar akuza serioze kundër kundërvajtësve dhe i mbrojtur nga numrat e deputetëve në parlament, situata akoma është në duart e tij. Në fjalimin e tij, ai i kërcënohet Zaevit duke e quajtur marionetë të një force të huaj që gjoja nuk ia don të mirën këtij vendi. Ai ju kërcenohet të gjithë disidentëve të këtyre ditëve të fundit që kanë guxuar të dyshojnë në autoritetin e tij. Edhe atyre që shpresojnë në zgjedhje të parakohshme apo qeveri teknike ju dha mesazh të rëndësishëm, që zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Në këtë formë të “damage control” ai mundohet të rigrupojë forcat e brendshme të partisë së vet dhe elektoratin e tij që akoma e beson verbërisht. Jo më kot i përmendi projektet, punësimet, progresin që t’i përkujtojë në gënjeshtrën e madhe të krijuar këto vitet e fundit.

Unë akoma nuk besoj që kjo qeveri do të bjerë. Të paktën jo për një kohë të shkurtër. Ajo që besoj fuqishëm është që ky cirk do të vazhdojë shumë gjatë. Gruevski nuk do të lejojë që lehtë të bjerë pre e presioneve të Zaevit, të përgjimeve, të ndërkombëtarëve (nuk e përmend BDI-në sepse nuk mund ta fus në këtë fjali).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. per momentin nese nuk bie qeveria e tij te pakten do te tundet seriozisht, qe do te thote se do t,i lere pasoja per ne te ardhme, bile mund t,i kushtoje me humbjen e qeverise. kurse per me tutje krejt dote mvaret se si dote rjedhe situata ashtu dote veproje kryeministri i tashem

Back to top button