Kurti: Qeveria rrëzohet me ashpërsim të protestave

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frankfurter Rundschau”, themeluesi dhe ish-lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, e ka quajtur veten një “majtist pan-evropian”. Ai e ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare dhe ka thënë së njëra prej mundësive për rrëzimin e Qeverisë është përmes ashpërsimit të protestave.

Për qeverisjen e koalicionit të madh, Kurti për të përditshmen gjermane ka thënë se njerëzit kishin shpresa e jo iluzione se partia më e madhe në vend, PDK, më në fund do të shkonte në opozitë. “Vetëvendosja, edhe pse dëshironte të qeveriste së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e dinte fare qartë se AAK nuk posedonte shumë vlera, por se qeverisja e shkuar ishte krejtësisht e keqe”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Ndërsa, rreth donacioneve në vend që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Kurti ka thënë se tetëdhjetë përqind e donacioneve, në një mënyrë apo tjetër, i janë kthyer prapa vendeve donatore, të cilat i kanë invetuar në seminare dhe kurse trajnimi për zyrtarët e EULEX-it, të cilët gëzojnë paga të majme. “Bashkësia ndërkombëtare po i ofron mbrojtje establishmentit në dëm të qytetarëve, e jo qytetarëve nga establishmenti, ndërsa paradigma e ndërkombëtarëve nuk është zhvillimi, por stabiliteti”, ka theksuar Kurti.

Lideri i deritashëm i Vetëvendosjes ka thënë se subjekti i tij synon t’i japë fund krimit të lartë, nepotizmit dhe pasigurisë totale përmes demonstrative. Opcioni i ashpërsimit të protestave, sipas Kurtit, mund të sjellë përfundimisht rrëzimin e Qeverisë.

Për gazetën gjermane, Kurti ka thënë se bashkësia ndërkombëtare që pothuajse dy dekada po e zbaton kolonializimin Kosovës. Sipas tij, ky kolonializim do të mund të kishte edhe aspekte pozitive sikur ndërkombëtaret të ishin përqendruar në emancipimin e popullatës vendase, duke ndërtuar shkolla, etj.

Ndërsa për EULEX-in, Kurti ka thënë se ky mision ka shpenzuar kot dy miliardë euro në shtatë vitet e fundit, para këto të cilat do të kishin efekt shumë më të madh po të ishin investuar në profesorë cilësorë.

http://www.fr-online.de/politik/kosovo–die-regierung-wegdemonstrieren-,1472596,29967662.html;

Lajme të ngjashme

Back to top button